Alarmi i aktivistit/ Goxhaj: Ligji i ri mund t’ju gjobisë me miliona dhe t’ju marrë fëmijën nga shtëpia

Alarmi i aktivistit/ Goxhaj: Ligji i ri mund t’ju gjobisë me miliona dhe t’ju marrë fëmijën nga shtëpia

Një projektligj i ri për gjininë, ka shkaktuar një debat të ashpër publik, ku janë artikuluar pretendime të forta për pasojat e tij në shoqëri, ekonomi dhe në thelbin e familjes. Gjatë një interviste në emisionin Kafe Shqeto në syri tv, aktivisti Altin Goxhaj ka paraqitur një sërë argumentesh tronditëse, duke pretenduar se ligji, nëse miratohet, do të sjellë gjoba milionëshe, do të vendosë kuota absurde gjinore dhe madje do t’i japë shtetit fuqinë për të larguar fëmijët nga prindërit e tyre.

Sipas aktivistit Goxhaj, një nga pikat më problematike të ligjit lidhet me diskriminimin dhe barrën e provës. Ai solli një shembull hipotetik, ku një person mund të përballet me një gjobë prej 1.5 milionë lekësh nëse nuk i drejtohet me përemrin “zonjë” një burri të veshur si grua. Më tej, Goxhaj theksoi se në raste të tilla, barra e provës bie mbi të akuzuarin, i cili duhet të vërtetojë se nuk ka pasur qëllim të ofendojë, një mekanizëm që sipas tij i përket sistemeve totalitare dhe jo demokracive perëndimore.

Në bisedë me moderatorin Flavio Qarri ai tha se, “një tjetër pretendim i bujshëm i ngritur në debat ishte ai për vendosjen e kuotave të barabarta gjinore në fusha të paimagjinueshme”. “Analisti deklaroi se, duke e lexuar ligjin “gërmë për gërmë”, ai parashikon pjesëmarrje të barabartë 50/50 të burrave dhe grave në sektorë si minierat apo edhe në ekipin kombëtar të futbollit, gjë që ai e cilësoi si një “budallallëk” dhe “gafë” legjislative”.

Megjithatë, akuza më e rëndë dhe më alarmante kishte të bënte me ndikimin e ligjit te të miturit dhe autoriteti prindëror. Goxhaj përshkroi një skenar ku një psikolog shkolle, nëse vëren konfuzion të identitetit gjinor te një adoleshent, është i detyruar të njoftojë psikologë të specializuar, të cilët, sipas tij, financohen nga organizata të komunitetit LGBTI+. Këta specialistë më pas do të punonin për t’i “mbushur mendjen” fëmijës për identitetin e tij të ri gjinor, pavarësisht vullnetit të prindërve.

Sipas këtij interpretimi, nëse prindërit kundërshtojnë këtë proces dhe kërkojnë ndihmë për të adresuar konfuzionin e fëmijës së tyre, ata jo vetëm që nuk do të gjejnë mbështetje, por mund të përballen me ndërhyrjen e shtetit. Pika kulmore e argumentit ishte pretendimi se, në rast mosmarrëveshjeje, “vjen policia me urdhër gjykate dhe të merr fëmijën”, duke e dërguar në një qendër kujdesi shtetëror. Këto deklarata kanë ngjallur reagime të shumta, duke e vendosur projektligjin në qendër të një stuhie debati publik.

Flavio Qarri: Barazi për të gjithë, një lloj përgjithësimi. Barazi për të gjithë është komunizëm, për shembull, në këtë platformë. Barazi për të gjithë është komunizëm. Njerëzit kanë vetëm shanse dhe barazi para ligjit, jo… Po, Albi, fjala për ty. Ja dha Gjermenit.

Elsa Ballauri: Aktualisht është tamam mënyra se si ti po e trajton, për mua është baraz me atë që ndodhte në komunizëm, në forma nga më të ndryshmet.

Flavio Qarri: Dakord. Altin?

Altin Goxhaj: Flavio, meqë jemi te komunizmi, në komunizëm nxirrnin ligje për të edukuar njerëzit, siç e tha dhe zonja Elsa. Në demokraci nuk nxirren ligje për të edukuar njerëzit.

Flavio Qarri: Ligjet gjithmonë janë për të edukuar, edhe…

Altin Goxhaj: Sepse në demokraci presupozohet, në një shtet pluralist, presupozohet që çdokush ka të drejta dhe shteti nuk ka detyrim, po as as detyrë, të bëjë ligje, të bëjë ligje për edukim. Këto i bëhen vetëm në shoqëritë totalitare dhe në komunizëm.

Pika e dytë. Ky ligj përcakton qartë që në qoftë se ti nuk i thua zonja zotit të veshur si grua, ai ka të drejtë të shkojë të ankohet për ty dhe ti ke barrën e provës të provosh që s’e ke ofenduar.

Flavio Qarri: Është në ligj kjo?

Altin Goxhaj: Dhe… Po pra, po. Dhe ti do marrësh një gjobë fillimisht…

Elsa Ballauri: Ku e marr vesh ti këtë gjë? Si e kupton?

Altin Goxhaj: Fillimisht 1 milion e gjysmë lekë…

Flavio Qarri: Ballauri thotë që nuk është në ligj kjo.

Altin Goxhaj: Po le të thotë tashti, ai nuk do thotë të vërtetën. Se unë po ja u them troç. Unë kam lexuar ligjin dhe të gjithë e kemi lexuar, për këtë kemi diskutuar. 1 milion e gjysmë, se do quhesh i diskriminuar dhe i diskriminuari nuk e ka barrën e provës. Ai vetëm pretendon. Do t’ia mbushësh ti mendjen sistemit që s’e ke bërë ti. Apo që s’e ke ofenduar. Apo s’e ke pasur me qëllim të keq. Por ndërkohë, po nuk i the grua, ti ke shkelur ligjin, sepse është ai termi…

Elsa Ballauri: Në Amerikën që ti e merr gjithmonë në krahasim, t’i thuash tjetrit ‘n-ëord’ e përkthen gjithë… E përçon ca gjëra më duket.

Altin Goxhaj: Ky ligj është vetëm në tre vende të Evropës. Ky ligj vetëm në tre vende të Evropës.

Flavio Qarri: Cilat?

Altin Goxhaj: Në vendet e tjera s’e kanë miratuar këtë ligj. Vazhdojmë. Elementi i tretë. Sipas këtij ligji…

Elsa Ballauri: Është e vazhduar kështu pa i analizuar, pa i parë gjërat, është shumë keq.

Altin Goxhaj: …në kampionatin e futbollit, kombëtarja e futbollit me meshkuj duhet të ketë gjysma gra, gjysma burra. E di pse e them këtë gjë? Se ka dhe budallallëqe në atë ligj, gabime, idiotësira, që kanë vënë pjesëmarrjen e barabartë apo me kuota burrave dhe grave edhe në minierë, edhe te ekipi i futbollit. Po ta lexosh germë për germë ligjin, është siç them unë. Dhe këto janë gafa që po i quajmë të dorës së dytë. Ajo që është e rëndësishme, ka të bëjë me punëdhënësin. Shkon për të kërkuar punë një burrë i veshur si grua. Shkojnë dhe tre burra të veshur si burra, edhe dy gra të veshura si gra. Kujt i ka të drejtë të ankohet? Jo atyre pse s’u punësuan. Sepse ky e quan që e kanë diskriminuar meqë është i veshur si grua. Dhe punëdhënësi fillon të marrë gjobat derisa i mbyllet biznesi.

Vazhdojmë. Këta kanë përcaktuar burrë dhe grua. Jo mashkull dhe femër, që përcakton mashkulli burrin dhe femra femrën. Po këta nuk kanë përcaktuar moshë. Sapo lind. Që do të thotë, ky përcaktim fillon që 10 vjeç, 15 vjeç. Dhe si e kanë ndërtuar këtë mekanizëm me anë të këtij ligji? Që lidhet me ligjet e tjera. Këta kanë krijuar një manual dhe një rregullore që psikologu, kur i vjen një djalë 12 vjeç, 14 vjeç te shkolla dhe ka një lloj konfuzioni, dhe ju e kuptoni, moshë adoleshente, kanë shumë kriza të identitetit në pubertet. Po. Në qoftë se ai paraqet një moment krize, fluiditeti gjinor, psikologu e ka detyrim të njoftojë psikologët e specializuar sipas urdhrit të psikologut, që financohen nga shoqatat e gejve, që ta marrin në shqyrtim dhe t’i mbushin mendjen që ti nuk je djalë, po je një femër në trupin e gabuar të një djali. Dhe fillon procedura, edhe me këtë ligj, që të trajtohet në qejf të prindit, të përpunohet mendja e tij dhe nëse prindi e konstaton dhe kërkon që të ndryshojë sjelljen e fëmijës, asnjë psikolog nuk e ka merr përsipër, sepse çdo psikolog nuk mund ta trajtojë si sëmundje, nuk mund ta trajtojë si deviancë, as si një krizë identiteti. Po duhet ta ushqejë. Dhe në momentin që prindi s’është dakord, vjen policia me urdhër gjykate dhe të merr fëmijën. Dhe e çon në qendër kujdesi.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news