SPAK akuzon pa vepruar/ E pandehura”, që feston fitoren e Greqisë në projektet e gazit
Në Athinë sot, SHBA dhe Greqia festuan një marrëveshje historike: Exxon Mobil do të kërkojë gaz në ujërat greke, një ceremoni që e shpall Greqinë zyrtarisht “qendër rajonale për gazin natyror të lëngshëm”. Në të njëjtën ceremoni, me Kryeministrin Mitsotakis dhe Sekretarin amerikan të Energjisë Chris Wright, ishte edhe zëvendëskryeministrja shqiptare Belinda Balluku, e njëjta që në Tiranë është nën hetim nga SPAK dhe e marrë e pandehur për aferat e tenderave publikë.
Balluku firmoste në Houston me Exxon Mobil dhe Excelerate Energy marrëveshjen që Rama e quajti “epoka e artë e gazit për Shqipërinë”. Ajo duhej të kthente TEC-in e Vlorës në një nyjë strategjike të gazit amerikan për Ballkanin, me terminalin LNG që do ta shndërronte Vlorën “në portin rajonal të gazit”.
Sot, tre vite më vonë, as TEC-i nuk punon, as terminal nuk ka, asnjë metër kub gaz nuk ka hyrë, dhe Shqipëria është zhdukur nga harta e projekteve rajonale që financohen e drejtohen nga amerikanët. Ndërsa në Athinë, Exxon Mobil firmos për gërmimet e para pas 40 vitesh në ujërat greke, Mitsotakis shpall me krenari se “Greqia është porta hyrëse e gazit amerikan në Europë” dhe se “Europa duhet të sigurojë burime energjie pa bagazh gjeopolitik”. Mitsotakis ka lëshuar edhe një shigjetë ndaj Ankarasë: “Gazi rus nuk duhet të hyjë në Europë nga dera e pasme, përmes Turqisë”.
Praktikisht, Greqia po shndërrohet porta e energjisë amerikane, ndërsa Tirana e cila kishte synuar të njëjtin projekt ka vetëm duartrokitje. Sepse, në të njëjtën kohë që Mitsotakis përmend “lidhjen e përhershme mes SHBA-së dhe Greqisë”, Balluku, e akuzuar për korrupsion në tenderin e tunelit të Llogarasë ndodhet në sallë, duke përfaqësuar një qeveri që nuk ka asnjë projekt energjetik funksional me SHBA-në, përveç dokumenteve të harruara të vitit 2021.
Në një takim online me përfaqësues të Exxon Mobil në mars të 2021, Rama shprehej: “Sot për Shqipërinë nis epoka e artë e gazit. Nuk do të ishte e mundur pa ambasadoren Yuri Kim.” Ndërsa Balluku shtonte: “Kjo është një marrëveshje historike që do ta bëjë Vlorën port rajonal të gazit.”
Tre vite më vonë, e vetmja “epokë e artë” që ka mbetur është ajo e dosjeve gjyqësore: SPAK ka marrë nën hetim disa nga vartësit e saj dhe vetë Balluku tashmë është e pandehur për abuzime me fondet publike. Në vend që të japë dorëheqjen në Tiranë, ajo shfaqet në Athinë në një ceremoni ku Greqia feston pikërisht atë që Shqipëria dështoi ta bëjë.
Shpjegimi mund të jetë i thjeshtë; pushteti i korruptuar politik e sheh mbështetjen amerikane si “çertifikatë morali”, fotot me një zyrtar të Uashingtonit vlejnë më shumë se një vendim gjykate. Ndërkohë, Shqipëria mbetet jashtë loje, si spektatore e festës së fqinjëve që arritën të bëhen “hub” energjetik, ndërsa në arkiva mbeten mburrjet me “epoka të arta” që s’erdhën kurrë.






