Alarmante! OKB: Ndotja në Shqipëri shkaktari kryesor i sëmundjeve te fëmijët nën 5-vjeç

Kombet e Bashkuara kërkojnë masa të menjëhershme për uljen e niveleve të ndotjes në Tiranë dhe në qytetet e mëdha të vendit. Në qytetet kryesore si Tirana, cilësia e ajrit shpesh i tejkalon nivelet e rekomanduara nga OBSH-ja për substanca të dëmshme si dioksidi i azotit (NO2) dhe grimcat (PM10).

Ndërsa Tirana mund të jetë në nivelin më të lartë të ndotjes urbane, rajone të tjera si Elbasani, Fieri dhe Korça janë njësoj të prekura, kryesisht për shkak të emetimeve industriale. Një vlerësim i Agjencisë Evropiane të Mjedisit arriti në përfundimin se ndotja e ajrit në mjedis ka shkaktuar 4.600 vdekje të parakohshme në Shqipëri në vitin 2021.

Kjo nuk është thjesht statistikë; është një realitet i zymtë që përkthehet në shtim të problemeve të frymëmarrjes, kostove të kujdesit shëndetësor dhe presioneve ndaj shërbimeve publike. Cilësia e keqe e ajrit shkakton dëmtim të zhvillimit konjiktiv që çon në performancë të dobët në shkollë, tha Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së dhe Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri, në një opinion në lidhje “Ndryshimet klimatike dhe mbrojtja e mjedisit – koha për të përshpejtuar veprimin e përbashkët‘”

McCluney vlerësoi se, ndotja e ajrit është një shqetësim kritik që rrezikon mjedisin tonë dhe shëndetin publik. Për më tepër, është çështje e të drejtave të njeriut që ndikon në mënyrë joproporcionale te komunitetet tona më të cenueshme, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit. Sipas një studimi të UNEP-it të vitit 2021 për Ballkanin Perëndimor, ndotja e ajrit mbetet një sfidë urgjente në të gjithë rajonin.

Në Shqipëri, cilësia e ajrit vuan nga efektet e kombinuara të transportit, aktiviteteve industriale dhe ngrohjes së banesave. Ndërkohë, sipas Indeksit të UNICEF-it për Rrezikun Klimatik për Fëmijët 2021, ndotja e ajrit është barra më e madhe shëndetësore për fëmijët nën pesë vjeç në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me 99% të fëmijëve të ekspozuar ndaj niveleve të ndotësve të ajrit që mund të ndikojnë rëndë në shëndetin dhe zhvillimin e tyre, duke çuar në pasoja të përjetshme.

Pavarësisht performancës relativisht më të mirë të Shqipërisë në krahasim me vendet fqinje, nuk ka vend për vetëkënaqësi.

Sistemet e monitorimit të cilësisë së ajrit në Shqipëri janë të vjetruara dhe shpesh jo të besueshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2018 zbuloi se të dhënave të mbledhura për monitorimin e cilësisë u mungonte rigoroziteti i kërkuar për të frymëzuar politika efektive. Për më tepër, ndonëse është miratuar Direktiva për Cilësinë e Ajrit të Mjedisit, mekanizmat e zbatimit mbeten, për fat të keq, të pamjaftueshëm. Autoritetet shqiptare duhet të trajtojnë urgjentisht mangësitë në rrjetin e monitorimit të cilësisë së ajrit dhe të sigurojnë që të dhënat të ndahen në mënyrë transparente me publikun.

Shqipëria nuk është e vetme në përballjen e kësaj sfide dhe komuniteti ndërkombëtar është këtu për ta mbështetur vendin. Një qasje e unifikuar që përfshin BE-në, OKB-në dhe palët vendore të interesit është thelbësore. Nismat ndërkombëtare, si Indeksi i UNICEF-it për Rrezikun Klimatik për Fëmijët dhe Manifesti i të Rinjve për Cilësinë e Ajrit dhe Ndryshimet Klimatike, me të rinjtë që kërkojnë të ndërmerren hapa konkretë, ofrojnë korniza thelbësore për veprim.

Këto nisma theksojnë nevojën kritike për ndërgjegjësimin dhe edukimin e publikut për cilësinë e ajrit dhe ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në shëndet. BE-ja e shoqëron Shqipërinë në tranzicionin e saj të gjelbër duke mbështetur transportin më efikas dhe miqësor me mjedisin, duke përfshirë edhe rivendosjen e linjave të modernizuara të trenave për qytetarët e saj me rajonin dhe Evropën, si dhe duke financuar sistemin e ardhshëm elektrik të transportit të shpejtë të autobusëve në Tiranë.

Është e rëndësishme që Shqipëria ta forcojë Agjencinë e saj Kombëtare të Mjedisit, të zgjerojë rrjetin e monitorimit të cilësisë së ajrit dhe të sigurojë që ka burimet dhe ekspertizën e nevojshme për ta monitoruar cilësinë e ajrit në mënyrë efektive, duke përfshirë edhe ngritjen e sistemeve të alarmit për cilësinë e ajrit në shkolla dhe kopshte. Gjithashtu, vlerësimet e rregullta nga Instituti i Shëndetit Publik duhet të bëhen normë, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke ofruar të dhëna në kohë reale për publikun përmes një Indeksi të aksesueshëm të Cilësisë së Ajrit.

Mbrojtja, mirëmbajtja dhe rritja e mbulesës urbane dhe peri-urbane të pemëve dhe natyrës mund të ndihmojë për uljen e ekspozimit ndaj ndotjes urbane.

Për shembull, pemët përgjatë rrugëve veprojnë si një pengesë fizike, duke reduktuar fluksin e drejtpërdrejtë të ndotësve nga trafiku drejt ndërtesave. Mbulesa e shëndetshme e pemëve dhe e natyrës gjithashtu mund të zvogëlojë gjenerimin dhe ekspozimin ndaj rërës dhe pluhurit në zonat urbane. Bashkimi Evropian do të mbështesë ripyllëzimin dhe menaxhimin e pyjeve në Shqipëri përmes programit të tij “BE për pyjet” që do të nisë vitin e ardhshëm.

Pemët dhe natyra urbane dhe peri-urbane sjellin edhe shumë përfitime të tjera, duke ndihmuar në freskimin e qyteteve dhe reduktimin e ishujve të nxehtësisë, përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor të banorëve, zvogëlimin e rrezikut nga përmbytjet, ofrimin e hapësirës për komunitetin, inkurajimin e ecjes dhe çiklizmit, krijimin e vendeve të gjelbra të punës, tërheqin blerësit dhe turistët në rrugët me hije, dhe shumë më tepër.

Promovimi i lëvizshmërisë së gjelbër, si përdorimi i automjeteve elektrike dhe adoptimi i praktikave të qëndrueshme të biznesit, luan një rol kritik në reduktimin e ndotjes urbane dhe nxitjen e qyteteve më të shëndetshme. Automjetet elektrike prodhojnë zero emetime nga tubat e shkarkimit, duke ulur ndjeshëm nivelet e ndotjes së ajrit në zonat me popullsi të dendur. Kur kombinohen me planifikim të qëndrueshëm urban dhe modele biznesi që i japin përparësi përgjegjësisë mjedisore, këto përpjekje mund të çojnë në ajër më të pastër dhe hapësira urbane më të jetueshme.

Integrimi i lëvizshmërisë së gjelbër me gjelbërimin urban jo vetëm që përmirëson cilësinë e ajrit, por krijon edhe një mjedis më të qëndrueshëm dhe elastik për brezat e ardhshëm. Bashkimi Evropian ka bashkuar forcat me Gjermaninë për të ndërtuar rrjetin e ri të transportit të gjelbër për qytetin e Tiranës, një sistem transporti me autobusë elektrikë me emetim zero që ndihmon ndjeshëm në reduktimin e emetimeve të dëmshme.

Ndodhemi në një moment kyç në trajtimin e ndotjes së ajrit në Shqipëri. Shëndeti i fëmijëve dhe e ardhmja e komuniteteve varen nga një angazhim i vendosur për ajër më të pastër. Le të ndërmarrim veprime kolektive tani për të zbatuar politika të fuqishme dhe për të forcuar sistemet e monitorimit, duke siguruar një mjedis më të shëndetshëm për brezat që do të vijnë. Është koha për t’i dhënë përparësi ajrit që thithim dhe për të mbrojtur shëndetin e njerëzve tanë.

*Ky artikull është pjesa e parë e serisë sonë të përbashkët të opinioneve OKB-BE mbi ‘ Ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit – koha për të përshpejtuar veprimin e përbashkët” nga Ambasadori i BE-së dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri. Dy artikujt e ardhshëm do të përqendrohen tek ndryshimet klimatike dhe turizmi i qëndrueshëm./ Monitor

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news