Kupat e Evropës/Kukësi varet nga brazilianët, Skënderbeu drejt Milasimit

KukeSkenderbeEkipet shqiptare duket se janë të mobilizuara në maksimum për kupat e Evropës. Kukësi dhe Skënderbeu duket se janë më të suksesshmet në këto kompeticione dhe këtë vit shanset për të shkuar larg janë të mëdha. Triumfi në Podgoricë për Kukësin është hedhur pas krahëve për ekipin verilindor që duhet të mendojë për sfidën e radhës kundër Leagias së Varshavës. Ditët e mbetura deri në datën 30 korrik, trajneri Marcelo Troisi duhet të heqë shumë pikëpyetje që lidhen me formacionin që ka nevojë urgjente për modifikime. Ndryshe nga sfida malazeze, Kukësi nuk do të ketë në dispozicion të paktën dy titullarë, mbrojtësin Gredi Mici dhe sulmuesin Pero Pejic që i dha lamtumirën skuadrës për të nisur një aventurë të re në Iran. Në këtë mënyrë, zghidhja duhet të gjendet brenda grupit aktual. Në sulm, braziliani Mateus Lima mbetet alternativa kryesore për të zëvendësuar shtatlartin kroat. Edhe pse u zyrtarizua vetëm pak ditë më parë në radhët e klubit kuksian, Lima mund të përzgjidhet titullar për të sfiduar polakët. Në këtë mënyrë, kolonia braziliane për verilindorët mund të shkojë në 5. Nevojë urgjente për modifikime ka edhe mbrojtja pasi Mici është i pezulluar për shkak kartonësh, ndërsa mbrojtësi gjirokastrit Ylli Shameti nuk u grumbullua për ndeshjen e kthimit kundër Mlladost për shkak të mosmarrëveshjeve me trajnerin. Në këtë optikë, shtatlarti i repartit të tërhequr mbetet mundësia e vetme për trajnerin brazilian i cili me shumë mundësi do ta thërrasë Shametin për sfidën e së enjtes. Në prag të ndeshjes së pestë evropiane, klubi ka publikuar edhe çmimet e biletave që nuk ndryshojnë nga ato të sfidës ndaj Mlladost. Për tribunat A dhe B çmimet janë 2 mijë lekë, ndërsa për sektorët D1, D2 dhe D3 biletat kushtojnë 5 mijë lekë.

Skënderbeu drejt Milasimit

Skënderbeu niset drejt aventurës moldave ku do të kërkojë të hedhë hapin e madh evropian. Ekipi i MIrel Josës është nisur gjatë orëve të para të së hënës drejt Moldavisë me destinacion kryeqytetin Kishinjev. Skuadra la rezidencën “Tropikal” në orët e para të mëngjesit për të udhëtuar drejt aeroportit “Nënë Tereza”. Për të evituar ndalesat tranzit ka mund të ndikojnë në formën e grupit, shoqëria vendosi në dispozicion një avion charter për të udhëtuar me një linjë direkte Tiranë-Kishinjev. Ndryshe nga udhëtimi drejt Belfastit, këtë herë kampionët e Shqipërisë kanë mundësi të rikuperojnë energji të vlefshme pasi udhëtimi drejt Moldavisë nuk zgjat më shumë së 120 minuta. Seancën stërvitore bardhekuqtë do ta zhvillojnë në orën 20:00 në stadiumin “Zimbru Arena” ku do të luhet edhe akti i parë i përballjes eliminatore kundër kampionëve të Moldavisë. Ndeshja do të drejtohet nga një katërshe gjyqtarësh nga Turqia me kryesor Hüseyin Göçek.

 

Berisha: Milasimi favorit, por ne bëjmë më të mirën

Bernard Berisha përcjell optimizëm te Skënderbeu në prag të transfertës delikate ndaj Milasimit në Moldavi. Mesfushori 23-vjeçar është njeriu i moment te korçarët madje në dy ndeshjet e turit të dytë kualifikues të Championsit ndaj Krusadersit ai ishte lojtari më i mirë në fushë për kampionët e Shqipërisë ku përveç se u shfaq në një formë fantastike ndihmoi skuadrën edhe me 2 gola dhe 1 asist. Berisha është i bindur se Skënderbeu mund ta kalojë Milasimin edhe pse në ndeshjen e parë konsideron moldavët si favoritë. “E kemi përgatitur ndeshjen mjaft mirë, ne si grup jemi përgatitur për ta kaluar edhe këtë raund. Duke marrë parasysh edhe afrimet që ka bërë klubi ne jemi forcuar shumë si skuadër në çdo aspekt. Ardhja e Hamdi Salihit na ka ndihmuar shumë. E kemi vlerësuar shumë ekipin kundërshtar, edhe pse ata janë favoritë ne jemi përgatitur mirë dhe besoj se do ja dalim”. I pyetur se sa do të ndikojnë mungesat e Osmanit dhe Arapit në mbrojtje, Berisha nënvizoi faktin se lojtarët që do ti zëvendësojnë do të japin më të mirën e tyre. “Mendoj që janë mungesa shumë të mëdha, por ne jemi një grup i mirë dhe edhe atyre që do tu jepet rasti mendoj se do ti zëvendësojnë denjësisht Arapin dhe Osmanin. Besoj se ky fakt do të ndikojë pozitivisht te ne sepse lojtarët që do të luajnë do të japin gjithçka nga vetja për të ndihmuar skuadrën dhe për të spikatur në sytë e trajnerit”. Kohët e fundit po flitet shumë për interesimin e disa skuadrave të njohura në Evropë për Bernard Berishën, si Duisburgu në Gjermani apo Standardi i Liezhit në Belgjikë. Futbollisti 23-vjeçar, edhe pse dëshiron që në një të ardhme të luajë në një kampionat më të fortë, aktualisht është i përqendruar vetëm te Skënderbeu. “Për momentin jam i përqendruar vetëm te skuadra ime, mendoj vetëm të jap më të mirën nga vetja që ne si grup tia dalim. Për sa u përket ofertave menaxheri bashkë me drejtuesit e klubit janë duke i shqyrtuar, për momentin unë jam i fokusuar te Skënderbeu por herët apo vonë kam dëshirë ta provoj veten në një kampionat më të fortë se ai shqiptar”. Në ndeshjen e kthimit ndaj Milasimit që do të zhvillohet në datën 5 Gusht në Elbasan Arena, Berisha do të ndiqet nga afër edhe nga trajneri i kombëtares shqiptare Gianni De Biasi. Ky fakt e gëzon tej mase ish-lojtarin e Besës së Kavajës që thekson se do të jetë gjithmonë në dispozicion të kombëtares kuqezi”. Kombëtarja po ecën shumë mirë për momentin dhe ky fakt më bën shumë krenar, skuadra është në rrugë të mbarë dhe unë jam i bindur se do të kualifikohet në Evropian. Për sa më përket mua, besoj se nuk është shumë problem prania ime në ekip e rëndësishme është që kombëtarja të eci përpara. Unë për vete gjithmonë do të jem në dispozicion të kombëtares shqiptare”.

Share it :