‘4 miliardë euro për rrugë, qytetarët ende në trafik ferri’/ Këlliçi: Paratë e shqiptarëve janë vjedhur
Deputeti i Belind Këlliçi ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me trafikun dhe gjendjen e infrastrukturës rrugore në vend, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe keqmenaxhim të investimeve publike.
Sipas Këlliçit, qytetarët shqiptarë po përballen çdo ditë me “radhë kilometrike” në akse të ndryshme rrugore, duke përmendur daljen nga Tirana, hyrjen në Elbasan dhe kalimin në Lezhë. Ai theksoi se kjo situatë është kthyer në një problem të vazhdueshëm prej 13 vitesh.
Deputeti demokrat deklaroi se, sipas tij, rreth 4 miliardë euro janë shpenzuar për rrugët gjatë qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama, por investimet nuk kanë sjellë përmirësim real të infrastrukturës. Këlliçi akuzoi gjithashtu ish-zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për rritje të kostove dhe abuzim me fondet publike.
Në reagimin e tij, ai u shpreh se me fondet e shpenzuara mund të ishin ndërtuar qindra kilometra autostradë të standardit të lartë, ndërsa shtoi se “taksat e qytetarëve janë vjedhur” dhe se shumë projekte rrugore kanë rezultuar të kushtueshme dhe problematike.
Këlliçi iu referua edhe situatës së trafikut pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit dhe daljes së tunelit të Elbasanit, ku sipas tij qytetarët kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra. Ai e cilësoi këtë si “dëshmi të korrupsionit të lartë dhe qeverisjes së keqe”.
Në përfundim të mesazhit të tij, deputeti i Partisë Demokratike deklaroi se zgjidhja e vetme për situatën aktuale është largimi i Kryeministrit Edi Rama nga qeverisja.
Postimi i plotë:
Radhët e përditshme kilometrike që denoncojnë korrupsionin qeveritar!
Radhë kilometrike duke dalë nga Tirana. Radhë kilometrike për të hyrë në Elbasan. Radhë kilometrike për të kaluar Lezhën. Radhë kilometrike në fundjavë. Radhë kilometrike në ditë të zakonshme jave.
Ky është ferri që kalojnë qytetarët prej 13 vitesh me radhë edhe pse rreth 4 miliardë euro kanë shkuar vetëm për rrugët që kur Edi Rama nisi qeverisjen e deri më sot.
Çdo vit është rritur buxheti për rrugët, çdo vit Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë shtuar qokat dhe pasurimin e tyre.
Nuk ka nevojë të jesh specialist për të llogaritur se me kaq shumë para të buxhetit të shtetit do të ishin ndërtuar rreth 400 kilometra autostradë e kategorisë A, që për Shqipërinë tonë të vogël do të mjaftonin për të zgjidhur një herë e mirë problemin e infrastrukturës.
Por taksat e qytetarëve janë vjedhur. Ndaj kilometri ka shkuar deri në 20 milionë euro, ndaj dhe janë ndërtuar rrugë të kushtueshme, të panevojshme dhe që kanë rënë 1 muaj pas inaugurimit.
Fotot që vijnë sot nga tortura e qytetarëve të mbërthyer si në çark, në dalje të tunelit të Elbasanit për më shumë se 2 orë, janë dëshmia e korrupsionit të lartë dhe e qeverisjes së keqe.
Edi Rama mund të jetë duke dhënë leksione në Azi për demokracinë, por rrethrrotullimi i Bradasheshit është çjerrja e propagandës, e fasadës e hipokrizisë së një Kryeministri të zhytur në afera, i cili nuk ofron zgjidhje por tallje për qytetarët.
Ka vetëm një mënyrë për të dalë nga ky rrethim, nga kjo përndjekje.
Largimi i Edi Ramës!




