1 javë para se t’i skadonte afati/ Kushtetuesja rrëzon vendimin e KKT-së për pezullimin e lejeve të ndërtimit nga kryebashkiakët

Gëzim Saliu

KushtetuesjaArsyetimi i vendimit të Kushtetueses: KKT ka cenuar parimet kushtetuese të decentralizimit dhe të autonomisë vendore dhe nuk ka respektuar standardet kushtetuese dhe parimet e KEAV

Gjykata Kushtetuese vendos të rrëzojë vendimin e Këshillit të Ministrave dhe të Këshillit Kombëtar të Territorit të marrë më 22 gusht të 2014-ës i cili parashikonte pezullimin e dhënies së lejeve të ndërtimit deri në konstituimin e organeve të reja të pushtetit lokal të cilat do të dalin nga zgjedhjet e 21 qershorit. Po vendimi i marrë me 7 vota pro dhe 2 kundër nga Kushtetuesja duket se nuk do të ketë asnjë “vlerë”, pasi vetë afati i vendimmarrjes së mëparshme të KKT-së skadonte thuajse dy javë nga dite e sotme. Sipas vendimit të marrë thuajse një vit më parë nga KKT e drejtuar nga Kryeministri Rama, do të ndaloheshin kryebashkiakët që të jepnin leje ndërtimi deri pas zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Ndërsa Kushtetuesja e mori vendimin për këtë çështje vetëm në 16 qershor dhe e zbardhi argumentin e tij ditën e sotme. Në këto kushte vendimi i Gjykatës thuajse nuk do të ketë asnjë ndikim, pasi hyrja e tij në fuqi pas 15 ditësh do të jetë në kohë thuajse të barabartë me konstituimin e organeve të qeverisjes vendore që do dalin nga zgjedhjet lokale. Vendimi i KKT-së u ankimua në Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqatë kjo e cila drejtohet nga kreu aktual i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

 

Argumentet e vendimit

Në argumentimin e vendimit të saj, Kushtetuesja thekson se pretendimet e paraqitura nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë janë të bazuara. Duke theksuar se në rastin konkret KKT-ja autoriteti përgjegjës për miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar, është në ushtrim të një kompetence të saj ligjore, gjykata argumenton nga ana tjetër: “Në ndryshim nga çështjet e mëparshme të shqyrtuara nga kjo Gjykatë, në rastin konkret kjo kompetencë është ushtruar në tejkalim të kufizimeve dhe parashikimeve ligjore, duke cenuar në thelb parimin e decentralizimit dhe në veçanti autonominë vendore. Pezullimi i instrumenteve të planifikimit deri në konstituimin e organeve të reja të qeverisjes vendore në vlerësimin e Gjykatës nuk përligj ndërhyrjen në kompetencat e organeve të qeverisjes vendore në ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese sepse me miratimin e vendimit nr. 1/2014, pushteti qendror ka ndërhyrë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që përbëjnë objekt qendror të veprimtarisë së organeve të qeverisjes vendore, në kundërshtim me parimin e sanksionuar të nenit 7 të Kushtetutës”. Më tej na arsyetimin e saj Kushtetuesja thekson se është e nevojshme që pushtetit qendror t’i rezervohen disa funksione të rëndësishme me rëndësi kombëtare e strategjike por sipas saj, “do të konsiderohej si cenim i të drejtës për vetëqeverisje të pushtetit vendor, nëse ligjvënësi, duke u hequr kompetenca organeve vendore, do ta dobësonte aq shumë rolin e këtyre saqë ekzistenca ose vetëqeverisja e tyre do të bëheshin të pandjeshme”. Nga ana tjetër gjykata pohon se parimi i ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, i sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës, në demokraci, synon kryesisht të mënjanojë rrezikun e përqendrimit të pushtetit në duart e një organi apo të personave të caktuar, gjë që praktikisht mbart me vete rrezikun e shpërdorimit të tij. “Në thelb, në bazë të këtij parimi, tri pushtetet qendrore duhet të ushtrohen jo vetëm në mënyrë të pavarur, por edhe në mënyrë të balancuar. Kjo gjë arrihet nëpërmjet zgjidhjeve kushtetuese që garantojnë kontroll të ndërsjellë dhe ekuilibër të mjaftueshëm midis pushteteve, pa cenuar dhe pa ndërhyrë në kompetencat e njëri-tjetrit”, – theksoi gjykata në vendimin e saj.

 

Takimi me një grupim/ Kërkesa e ish-të përndjekurve, Veliaj u premton: Piramidën e Enverit do ta bëjmë muze

Kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës zhvilloi dje një takim me një grupim të ish-të përndjekurve politikë, ku këta të fundit kërkuan që piramida në qendër të Tiranës “Enver Hoxha” të kthehet në një multimuze. Nga ana e tij, Veliaj, duke mos i mohuar këtë kërkesë ish-të përndjekurve, propozoi një memorial të ri në Tiranë për ish-të përndjekurit. “Dua t’ju falënderoj për mbështetjen në këtë sipërmarrje të re dhe do të propozoja të kishim një përfaqësi të shoqatës, e cila bashkë me Bashkinë, si pjesë e një komiteti që vlerëson idetë që vijnë nga artistët, arkitektët apo urbanistët, të gjejmë një hapësirë, ku edhe të kemi një memorial për ish-të përndjekurit, si një simbolikë e fortë dhe e fuqishme”, – theksoi kandidati i majtë. Ndërkaq, grupimi i ish-të përndjekurve hodhi idenë që piramida e diktatorit të jetë një muze disadimensional, për të gërshetuar historinë e komunizmit, në mënyrë sipas tyre që të gjithë të mësojnë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Nga ana tjetër, shkrimtari dhe ish-i përndjekuri Daut Gumeni shprehu mbështetjen për Veliajn, duke thënë: “Për ata që kanë shumë merak pse ka edhe ish-të përndjekur që e urojnë zotin Veliaj të bëhet kryetar Bashkie, unë u them vetëm kaq: e marr unë përgjegjësinë, jo vetëm timen, por edhe tuajën, se kemi 25 vjet mes dy të majtave dhe unë pëlqej gjërat reale. Më mirë me të majtën që s’i vjen turp të thotë e majtë, sesa me repartin më të qelbur të Partisë së Punës që hedh valle mbi varrezat e së djathtës”.

 

 

Share it :