Zhytja e pallateve te Alabarit – IKMT pranon anomalitë në ‘Durrës Marina’: Janë zhytur 28 cm

Zhytja e pallateve te Alabarit – IKMT pranon anomalitë në ‘Durrës Marina’: Janë zhytur 28 cm

Një investigim disa javor mbi projektin gjigant “Durrës Marina”, i promovuar si një nga investimet më të mëdha në Shqipëri me vlerë rreth 3.2 miliardë euro, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë strukturore të pallateve të para të ndërtuara në këtë zonë.

Gjithçka nisi pas dëshmisë së një nënkontraktori të projektit, i cili në kushte anonimati deklaroi se dy prej pallateve kishin pësuar zhytje deri në 74 centimetra. Sipas tij, në kantier po punohej me përforcime të vazhdueshme, ndërsa një prej inxhinierëve zbatues kishte refuzuar të firmoste kolaudimin e objektit për shkak të problematikave të konstatuara.

Pas këtyre deklaratave, Piranjat kryen matje topogjeodezike me ndihmën e teknologjisë së dronit nga një specialist i fushës. Nga verifikimet rezultoi një disnivel prej rreth 30 centimetra mes soletave të godinave të përfunduara, ndërsa krahasimet me objektet ende në ndërtim nxorën diferenca që sipas matjeve arrinin deri në 70 centimetra apo edhe 1 metër.

Investigimi solli reagimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, i cili konfirmoi zyrtarisht se gjatë inspektimeve të kryera në bashkëpunim me Institutin e Ndërtimit dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, janë konstatuar ulje në dy objekte të projektit. Sipas komunikatës së IKMT-së, objekti 02 ka pësuar ulje prej 28 centimetrash, ndërsa objekti 04 rreth 18 centimetra.

Megjithatë, burime konfidenciale për Piranjat pretendojnë se zhytja reale mund të jetë të paktën 20 centimetra më e madhe se ajo e deklaruar zyrtarisht, pra 40cm.

Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro, i cilësoi këto ulje si fenomene që ndodhin në ndërtim, duke theksuar rëndësinë e marrjes së masave për stabilizimin e objekteve. Ndërkohë, pyetjet mbi rrezikun real për strukturat dhe sigurinë e banorëve mbeten ende pa një përgjigje të qartë publike.

Nga ana tjetër, administratorja e “Durrës Marina”, Elisabeta Hajrullai, nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë çështje, pavarësisht tentativave të shumta për komunikim.

Publikimi i raportit të IKMT-së dhe pranimi zyrtar i uljeve ka sjellë reagim të gjerë publik dhe mediatik, duke rikthyer në qendër të debatit transparencën dhe standardet e sigurisë në një nga projektet më të mëdha urbane në vend.

Share it :