Florenc Drizari
Grupet e punës në rrethe, rikthehet Rusmali, Alibeaj, Xhaferri, Kadilli etj.
Partia Demokratike nis ditën e hënë procesin e verifikimit të bazës së anëtarësisë si dhe hapjen për anëtarët e rinj që duan t’i bashkohen së djathtës shqiptare. Paralelisht me këtë proces, partia më e madhe në opozitë fillon edhe procesin e analizës së zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Kjo fazë do ti paraprijë zgjedhjeve të strukturave të reja drejtuese. PD ka ngritur grupet e punës që do të merren me organizimin e këtij procesi, duke përfshirë figura që kanë mbajtur poste të larta në qeverisje si ish-deputetë dhe ish-zv. Ministra. Burime brenda Partisë Demokratike thonë se në qytetin e Vlorës, kryesues i këtyre grupeve është caktuar ish-deputeti Enkelejd Alibeaj. Për qytetin e Korçës flitet emri i Enno Bozdos dhe në Elbasan, Ferdinand Xhaferri. Gjithashtu burime nga PD theksojnë se në Mallakastër do të jetë ish-kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali dhe në Lezhë, Arben Sefgjini. Në qytetin e Lushnjes është caktuar ish-deputeti Fatbardh Kadilli, ndërsa në Librazhd dhe në Devoll, Eris Hoxha dhe Kreshnik Çollaku.
Në fushatën e PD-së që nis me anëtarësime të reja dhe zgjedhjen e strukturave, rikthehen emra ish-deputetësh të PD-së në qarqe të ndryshme të vendit, emra ish-zv. Ministra si dhe figura të tjera që kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeverisjen e djathtë. Këtu mund të përmendim figura si, Osman Metalla, Aurel Bylykbashi, Ledina Aliolli, Alfren Rrushaj, Arben Qirjako etj.
Pas mbylljes së kremtimeve të themelimit të 23 vjetorit të degëve të PD në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, opozita pritet t’i rikthehet anëtarësimeve të reja si dhe hapjes së strukturave të saj, proces ky që do të vazhdojë më pas me zgjedhjet për seksionet, grup-seksionet dhe degët e saj nëpër rrethe. Udhëzimet për mënyrën se si do të veprohet janë shpërndarë më parë nga kreu i kësaj partie Lulzim Basha. Demokratët duket se janë të vendosur që brenda një muaji ta mbyllin këtë fazë dhe më pas të kalojnë në zgjedhjen e strukturave të reja të PD-së.
Degët dhe nëndegët e PD-së do t’i nënshtrohen zgjedhjes së drejtueseve të rinj, për tu përmbyllur me thirrjen e Kuvendit Kombëtar, që shënon edhe fazën e zgjedhjeve të strukturave më të larta drejtuese në PD.
Partia Demokratike pritet që t’i rikthehet edhe zgjedhjes së strukturave të larta drejtuese, ky përtej zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë Lulzim Basha në muajin korrik të 2013-ës, pjesa tjetër e strukturave u ka mbaruar mandati. Edhe pse kjo fazë për demokratët duhet të ishte mbullur në fund të vitit që shkoi, vonesat në këtë proces janë agumentuar nga krerët e PD-së me axhendën e ngjeshur që mazhoranca i ka shkaktuar opozitës, ku një sërë vendimesh të qeverisë janë kundërshtuar më mënyra dhe mjetë të ndryshme si protesta në sheshe, debate të ashpra në Kuvend, konferenca shtypi dhe ankimime në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e rëndësishme për demokratët të ndihen të përfaqësuar në këto procese dhe që analiza e zgjedhjeve në PD dhe përfshirja e anëtarëve të rinj, të marri kohën e nevojshme për të nxjerrë në pah konkluzione që do t’i vlejnë opozitës në zgjedhjet e ardhshme. Në takimet që kreu i PD-së ka kryer në qytete të ndryshme të vendit në kuadër të 23 vjetorit të themelimit të degëve të PD-së, ia ka vënë theksin që përballë analizës të dalë edhe alternativa ndryshe e së djathtës ndaj qeverisjes aktuale. Shpesh herë në takimet e tij, kreu i PD-së ka folur për një demokraci të re në raport me qytetarët dhe ligjet e vendit.
Emrat e grupeve të punës
Enkelejd Alibeaj në Vlorë
Enno Bozdo në Korçë
Ferdinand Xhaferri në Elbasan
Ilir Rusmali në Mallakastër
Arben Ibra në Durrës
Arben Sefgjini në Lezhë
Eris Hoxha në Librazhd
Kreshnik Çollaku në Devoll
Fatbardh Kadilli në Lushnje
Lulzim Basha: Nisim procesin e anëtarësimeve të reja
Në takimet qe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pasur me qytetarë në qytete të ndryshme të vendit gjatë kremtimit të 23 vjetorit të themelimit të degëve të PD-së, shpesh herë ka bërë thirrje për hapje të strukturave të saj ndaj anëtarësimeve të reja.
“Unë kam nënshkruar sot një udhëzim që u kërkon kryetarëve të PD, të nisin menjëherë “rifreskimin” e bazës së të dhënave, të nisin menjëherë procesin e hapjes dhe mirëpritjes së të kthyerve dhe të rikthyerve në gjirin e PD si dhe kam autorizuar kryetarët e PD dhe të deleguarit të bëjnë mënjeherë dhe automatikisht anëtarësimin me të drejta të plota në gjirin e PD të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Gruas dhe Forumit Rinor të PD. Hapjen e partisë për të përthithur në gjirin e saj të gjithë energjinë pozitive jo vetëm të shtresave tona tradicionale, rinisë, intelektualëve, sipëmarresve, të përndjekurve, pronarëve por të kujtdo, absolutisht të kujtdo që është gati t’i thotë shtëpisë së madhe të lirisë, shtëpia ime dhe kjo është PD”,-ka thënë disa ditë më parë Basha në qytetin e Beratit.
Gjithashtu kreu i demokratëve Lulzim Basha gjatë ndalesë që ka pasur pak ditë më parë në Kurbin, foli për procesin e analizës dhe hapjes së PD. Zoti Basha ka theksuar se duke nisur nga dita e hënë, seksionet, grup-seksionet, degët e PD anembanë Shqipërisë, për një muaj me radhë do i nënshtrohen një procesi rigoroz të evidentimit dhe ripërtëritjes së bazës së të dhënave të anëtarësisë së PD, anëtarësimeve të reja dhe hapjes më të madhe e më të fuqishme që PD ka bërë gjatë historisë së saj 23 vjeçare.
Letra e OSBE-së: Të shqetësuar për pavarësinë e AMA-s
Nisma e mazhorancës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të AMA-s, ka ngritur shqetësimin e OSBE-së. Me anë të një letre drejtuar kreut të Komisionit të Medias, Genc Pollo, OSBE shpreh shqetësimin në lidhje me pavaresinë e AMA-s si dhe shprehet se do përfshihet në proces nisur nga fakti i ndërhyrjes së qeverisë. Gjithashtu në letër thuhet se OSBE se po monitoron dhe do shtyrtojë nismën kundër AMA-s. Sipas kësaj organizate është esenciale pavaresia e AMA-s dhe OSBE pritet të përfshihet me asistencë ligjore për të garantuar pavarësinë e këtij institucioni.
Më herët Palët kanë patur kundërshti mes tyre për futjen në kalendar të projektligjit të ardhur nga deputeti Alfred Peza, nëpërmjet të cilit synohet shkarkimi i të gjithë anëtarëve dhe kryetarit të AMA-s, si dhe për propozimin e ardhur nga grupi parlamentar socialist për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale. Për sa i përket AMA-s, mazhoranca ka vendosur që ta përfshijë në kalendar, pavarësisht kundërshtimit të opozitës.
Ndërkohë, zëvendësimi i anëtarëve të këshillit të Autoritetit Audiovizual të Medias ngre pyetje serioze mbi pavarësinë e ardhshme të peizazhit të medias shqiptare, edhe sipas eurodeputetëve në PE.




