Inteligjenca Artificiale ka depërtuar tashmë në zgjedhje anekënd botës. Nga audiot e rreme të kandidatëve, te videot ku politikanët duket sikur thonë fraza që nuk i kanë thënë kurrë, përmbajtjet deepfake të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale po përdoren për të sulmuar kundërshtarët politikë, për të ndikuar perceptimin e votuesve apo për të ndryshuar sjelljen e tyre elektorale.
Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky fenomen. Prej zgjedhjeve të fundit elektorale e deri tek protestat maratonë anti-qeveritare, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, Inteligjenca Artificiale po përdoret gjerësisht për të krijuar përmbajtje online, shpeshherë në format e saj më të dëmshme.
Gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, një numër fushatash dezinformimi u orkestruan përmes faqeve anonime ndaj aktorëve politikë, pa u kufizuar nga platformat digjitale. Shkelje të tjera u dokumentuan gjithashtu me rastet e përdorimit joetik të Inteligjencës Artificiale, krijimit dhe shpërndarjes së përmbajtjes së rreme apo manipulimit të angazhimit në rrjetet sociale përmes reagimeve të koordinuara apo bot-eve me qëllim rritjen artificiale të pëlqyeshmërisë.
Por ndërsa vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja lokale në vitin 2027, ekziston një shqetësim në rritje për boshllëqet ligjore dhe kapacitetet teknike për të adresuar keqpërdorimin e Inteligjencës Artificiale në proceset demokratike.
“Shqipëria nuk është e përgatitur për rrezikun që mund të shkaktojë keqpërdorimi i Inteligjencës Artificiale,” thotë Megi Reçi, studiuese e të drejtave digjitale.
Kodi Zgjedhor aktual trajton mbulimin e fushatës në mediat tradicionale, por anashkalon sferën digjitale. Më specifikisht, transparenca e reklamave politike online, praktikat e shënjestrimit dhe mbikëqyrja e financimit të fushatave online mbeten të parregulluara,” shtoi Reçi për BIRN.
Sfidat nuk lidhen vetëm me mungesën e një kuadri të plotë ligjor, por edhe me kapacitetet e kufizuara institucionale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, pranoi për BIRN boshllëkun ligjor si dhe mungesën e një protokolli të dedikuar për identifikimin dhe trajtimin e përmbajtjeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale gjatë fushatave zgjedhore.
Ndërsa po vlerëson nevojën për udhëzime dhe protokolle shtesë, KQZ i tha BIRN se po e trajtonte çështjen në një kuadër më të gjerë të kompetencave ekzistuese dhe bashkëpunimit me institucionet e tjera.
“Kodi Zgjedhor dhe kuadri ligjor mbi median e fushatën parashikojnë rregulla të përgjithshme mbi propagandën zgjedhore, heshtjen zgjedhore dhe përgjegjësinë e mediave, por nuk përmbajnë dispozita specifike që të përcaktojnë, etiketojnë apo sanksionojnë përmbajtjen e krijuar apo të manipuluar me Inteligjencë Artificiale,” tha KQZ përmes zëdhënëses Drilona Hoxhaj.
“Ky është një boshllëk që po vërehet edhe në vende të tjera të rajonit dhe të BE-së, dhe që kërkon adresim me ndryshime të targetuara ligjore, jo domosdoshmërisht rishikim të plotë të Kodit Zgjedhor,” shtoi më tej ajo.
Format e manipulimit

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale nuk është problematik në vetvete, por ai shndërrohet i tillë në rastet kur publikut i fshihet paralajmërimi se një material është krijuar ose manipuluar me IA dhe kur përmbajtja përdoret për të krijuar një perceptim të rremë të publikut.
Mes përmbajtjeve të prodhuara me IA, deepfake kanë për qëllim manipulimin, që në kontekstin zgjedhor portretizojnë politikanë të caktuar sikur kanë thënë ose kanë bërë diçka që nuk ka ndodhur në realitet. Gjatë fushatave zgjedhore, materialet deepfake bëhen virale shumë më shpejt sesa të verifikohen dhe të adresohen si të rreme, çka ndikon në perceptimin e zgjedhësve.
Erlis Çela, pedagog dhe studiues i dezinformimit, thotë se përdorimi i Inteligjencës Artificiale në përmbajtjet politike në Shqipëri është ende në fazë relativisht të hershme, por ka tendencën të zgjerohet. Çela mendon gjithashtu se teknologjia deepfake nuk është domosdoshmërisht forma më e mundshme e manipulimit për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Më të vështira për t’u dalluar, sipas tij, janë përmbajtjet që ndërthurin një element real me një ose disa elemente të manipuluar, si psh., një video e vjetër që paraqitet si aktuale, një deklaratë e shkëputur nga konteksti, një foto reale e retushuar apo një audio ku manipulohen disa fjali.
Materialet sintetike në audio ose video përbëjnë gjithashtu një tjetër rrezik. Në një mjedis të polarizuar, një regjistrim i rremë që paraqitet si bisedë private mes politikanëve mund të jetë veçanërisht efektiv nëse publikohet pak ditë përpara votimit.
“Manipulimi nuk ka nevojë të bindë të gjithë publikun,” argumenton Çela për BIRN, duke shtuar se pas tij mund të fshihen disa qëllime, si për shembull, forcimi i bindjeve ekzistuese, shkurajimi i votuesve kundërshtarë apo ngritja e dyshimit mbi integritetin e zgjedhjeve.
“Rreziku nuk është përmbajtja e rreme në vetvete, por efekti që ajo përcjell përmes mekanizmave të shpërndarjes dhe përmbajtjes problematike, që është manipulimi dhe ndotja e mjedisit informativ,” theksoi ai.
Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare”, një organizatë e angazhuar në monitorimin e fushatave zgjedhore, thotë se situata në Shqipëri përbën tashmë një paradoks.
Ndërkohë që komunikimi politik është zhvendosur masivisht në rrjetet sociale, kuadri rregullator dhe mekanizmat e monitorimit nuk i janë përgjigjur aspak këtij ritmi sipas Qiraxhi.
“Pra, kemi një paradoks: ndërkohë që një pjesë e madhe e fushatës dhe e parave të saj kalon në hapësirën online, kontrolli publik mbi këtë hapësirë mbetet pothuajse në një version manual,” theksoi ai.
“Inteligjenca Artificiale, përmbajtja e manipuluar, zëri apo imazhi artificial dhe format e reja të dezinformimit kërkojnë një kundërpërgjigje kapilare, nga kurrikulat arsimore deri te legjislacioni zgjedhor, për t’u paraprirë këtyre fenomeneve përpara se ato të kthehen në një problem masiv,” theksoi më tej Qiraxhi.
Boshllëqet ligjore

Qeveria shqiptare po synon që të adresojë disa prej problematikave të përdorimit të Inteligjencës Artificiale përmes projektligjit “Për Shërbimet Digjitale në Republikën e Shqipërisë” – një detyrim i vendit për të harmonizuar legjilacionin lokal me Aktin e Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Europian, DSA.
Në korrik të këtij viti, projektligji u publikua në platformën e konsultimeve publike dhe ende nuk është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë. Drafti parashikon detyrime dhe mekanizma bashkëpunimi mes autoriteteve shtetërore dhe platformave të mëdha digjitale si dhe adreson tërthorazi disa prej implikimeve të përdorimit të Inteligjencës Artificiale, duke përfshirë efektet negative mbi debatin publik dhe proceset zgjedhore.
Megjithatë, ky projektligj nuk adreson specifikisht përdorimin e Inteligjencës Artificiale dhe nuk përcakton një regjim të posaçëm për përdorimin e saj në fushatat zgjedhore.
Për Shqipërinë që kandidon të hyjë në Bashkimin Europian, çështja duket më e komplikuar sesa përshtatja copy- paste me rregulloret e BE-së.
“Platformat e mëdha digjitale, si Meta dhe Google, në vende si Shqipëria veprojnë kryesisht në mënyrë pasive,” thotë studiuesja Megi Reçi.
“Për shkak të mungesës së detyrimeve ligjore, përmasave të vogla të tregut digjital, si dhe mungesës së stafit të dedikuar me njohuri të gjuhës dhe kontekstit shqiptar, këto platforma shpesh dështojnë të identifikojnë dhe etiketojnë siç duhet përmbajtjet politike të manipuluara, reklamat politike apo ato të sponsorizuara nga palë të treta anonime,” theksoi ajo.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i konsideron të rëndësishme marrëveshjet formale të bashkëpunimit me platformat e mëdha digjitale, por vlerëson gjithashtu se duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme lokale nevojitet të adresohen disa prioritete kyçe.
Këto prioritete, sipas KQZ-së, lidhen me përcaktimin ligjor të përmbajtjes së gjeneruar ose manipuluar nga IA dhe detyrimin për ta etiketuar atë si reklamë politike si dhe krijimin e një sistemi të shpejtë raportimi dhe reagimi mes KQZ-së, AMA-s, platformave digjitale dhe organeve ligjzbatuese, veçanërisht në periudhën e fundit përpara votimit.
KQZ vlerëson gjithashtu si të rëndësishme forcimin e kapaciteteve të veta teknike në identifikimin e përmbajtjeve sintetike si dhe fushatat e edukimit për votuesit mbi rreziqet e dezinformimit të mundësuar nga IA.
“Këto janë fusha ku puna ka nisur, por që kërkojnë kohë, burime dhe vullnet politik për t’u finalizuar përpara 2027,” tha KQZ.
Për studiuesin Erlis Çela, KQZ duhet të ketë një rol qendror në rastet kur përmbajtja e manipuluar ka lidhje me zgjedhjet, por nuk duhet të mbetet institucioni i vetëm.
“Një institucion i vetëm nuk do mjaftojë asnjëherë përballë situatave të tilla,” tha Çela, ndërsa shtoi se “AMA do të duhej të kishte rol…, ndërsa platformat kanë informacion mbi mënyrën se si përmbajtja shpërndahet dhe amplifikohet”. /BIRN




