Gëzim Saliu
Në video, këshilltari i MF-së, Beqiri, deputeti Braho dhe Shehaj. Grupi i auditit 12 orë tek serveri
Pamjet filmike nuk figurojnë më në hard-diskun e arkivit të kamerave të Drejtorisë së Tatimeve
Zbulohet videoja e lëvizjes së të dhënave të serverit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga data 15 deri në 17 nëntor. Videoja e bërë publike dje nga “News 24” tregon me pamje filmike detaje të reja mbi atë se çfarë ka ndodhur në Drejtorinë e Tatimeve disa ditë para se të konstatohej problemi në serverë, ku drejtorja e këtij institucioni kallëzoi drejtorin e IT-së, Renald Rista, për ndërhyrje në të dhëna. Kështu, në video shihet përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Ermal Beqiri, në zyrën e drejtores së Tatimeve, Briseida Shehaj, deputeti Spartak Braho si dhe grupi i Auditit, i cili më pas ka qëndruar dy herë nga 12 orë në zyrën e serverëve.
Ngjarja
Më 12 nëntor, Ministria e Financave dërgoi në Drejtorinë e Tatimeve një grup auditi për sistemin e IT-së, i cili kishte për qëllim autidimin e funksionalitetit të infrastrukturës së sistemit të IT-së, të drejtën për akses dhe mirëmbajtjes se sistemi. Por, sipas dëshmive të Renald Ristës, drejtor të IT-së në këtë institucion, të dhëna në Prokurorinë e Tiranës, grupi ka hyrë në ambientet e serverëve të IT, nga ku lind edhe debati mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes së grupit të auditit në serverë. Në pamjet filmike të ditës së premte, datë 15 nëntor 2013, duket qartë i dërguari i Ministrisë së Financave, Ermal Beqiri, i cili ka hyrë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i shoqëruar nga deputeti i Parlamentit, Spartak Braho, ku kanë takuar drejtoren e Tatimeve, Briseida Shehaj. Më pas është kryer takimi me shefin e IT, Renald Rista, të cilët i kanë shpjeguar nga Briseida Shehaj, rolin e Beqirit në këtë institucion. Nga ana e tij, Rista ka theksuar se të dhënat janë shumë sensitive, ndaj edhe ka kërkuar nga i dërguari i Financave, dokumentin mbi të cilin Ermal Beqiri mbështet punën e tij. Pas debatesh një grup prej 4 personash, rreth orës 18:30 minuta është parë të hyjë në dhomën e serverëve të shoqëruar nga Ermal Beqiri, të cilët deri në orën 06:00 të mëngjesit të së shtunës, dt. 16 nëntor, kanë kopjuar jo vetëm të dhënat e sistemit të deklarimit elektronik, por çdo gjë që ishte e pranishme në server.
Prokuroria
Pas publikimit të videos së serverit të Tatimeve ka reaguar dje edhe Prokuroria e Tiranës, e cila bëri të ditur se po vijon hetimet në kuadër të procedimit penal për akuzën e “Ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike”. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon hetimet në kuadër të procedimit penal për akuzën e “Ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike”, parashikuar në nenin 293/b të Kodit Penal, pas kallëzimit të dorëzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në bazë të materialit që i është referuar prokurorisë, institucioni kallëzues ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj një ish-punonjësi të saj, për të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dyshon se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në sistemin e saj elektronik. Në kuadër të hetimeve për këtë procedim, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen verifikimet e nevojshme, si edhe ka urdhëruar kryerjen e ekspertizës teknike, e cila ende është duke u zhvilluar pranë Policisë Shkencore”. Nga ana tjetër, Prokuroria bën të ditur se do t’i kërkojë televizionit Neës24 materialin filmik të transmetuar, pasi theksoi ky institucion, materiali filmik mund t’i shërbejë hetimit. “Në të njëjtën kohë, organi i Prokurorisë ka ndjekur pamjet filmike në televizionin “News 24”, të publikuara ditën e mërkurë, dt. 22.1.2014, në të cilat paraqiten disa persona, anëtarë të grupit që po zhvillonin procedure e auditit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe persona të tjerë. Ky material filmik, i cili nuk gjendet në dosjen hetimore, do t’i kërkohet zyrtarisht televizionit “News 24” që të vihet në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky vendim i prokurorisë së kryeqytetit është marrë pasi vlerësohet se materiali filmik mund t’i shërbejë hetimit. Ndër të tjera, nga kjo video do të punohet për të sqaruar rolin e secilit prej personave të shfaqur në të, në kuadër të procedimit penal të nisur tashmë për “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.
Braho: Kam qenë te Tatimet si deputet dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë
Deputeti Spartak Braho reagoi dje për videon e tatimeve, duke pohuar praninë e tij në këtë institucion. “Është e vërtetë që kam qenë tek tatim-taksat si deputet dhe si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe si tillë unë kam të drejtë të shkoj kudo ku shikoj se cenohet siguria e vendit dhe, në rastin konkret, siguria financiare e strukturave të shtetit”, – tha ai. Në këtë kontekst, Braho lëshoi akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Berisha, i cili sipas tij është ideatori i këtij komploti. “Dhe kam konstatuar se Sali Berisha është ideatori i një komploti financiar, që i ka kushtuar rëndë shtetit. Në ditët në vijim unë do t’ia hap petët këtij byreku ku ka kullotur banda financiare e Saliut. Gjithsesi, e gjithë kjo aferë financiare është denoncuar dhe po hetohet nga Prokuroria. Prandaj zotërinjtë e PD-së, të kenë durim, ta lënë prokurorinë rehat, se nuk i shpëton dot as Shkëlzen Ternova etj.”.
Ministria e Financave: Çështja nën hetim, sigurojmë bizneset për privatësinë
Ministria e Financave e ka cilësuar si shfaqje mediatike pamjet e djeshme të kamerave të sigurisë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. “Problematika shqetësuese e të dhënave në serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është konstatuar dhe bërë publike nga drejtoria e DPT. Ka qenë pikërisht DPT, përmes drejtores, që këtë ndërhyrje flagrante e ka paditur në Prokurori. Kjo çështje është aktualisht nën hetim dhe Ministria e Financave është në pritje të zbardhjes së plotë nga organet hetimore të problematikës së konstatuar prej nesh. Ministria e Financave siguron të gjithë qytetarët dhe sipërmarrjen private se problematika në fjalë nuk cenon aktivitetin e përditshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe as privatësinë e të dhënave në fjalë”, – thuhej në reagimin e ministrisë.
Drejtorja e Tatimeve
Shehaj: Të dhënat nuk janë zhdukur, janë rikthyer sërish
Ndaj pamjeve filmike të transmetuar dje ka reaguar edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briselda Shehaj, e cila ka theksuar se të dhënat e denoncuara të zhdukura nga serverët nuk kanë humbur dhe janë rikthyer përsëri. Në një prononcim për “News 24”, Shehaj pohoi se personat që shfaqen në video kanë autorizim për të hyrë në ambientet e Drejtorisë së tatimeve. “Ai është grupi i auditit i dërguar nga Ministria e Financave. Është çështje në hetim. Unë videon nuk e kam parë. Nuk kam asnjë koment tjetër për të bërë. Unë nuk jam informuar për fshirjen e të dhënave. Të dhënat nuk janë zhdukur janë rikuperuar që të gjitha”, – tha drejtorja e Tatimeve.
Ish-drejtori i IT-së
Rista: Personat që shfaqen në video kanë marrë informacion në server me autorizimin e Shehaj
Ish-drejtori i IT-së së Drejtorisë së Tatimeve, Renald Rista, deklaroi dje se personat që shfaqen në video kanë pasur autorizim nga drejtorja Shehaj për të marrë çdo lloj informacioni nga serverët e tatimeve. Sipas tij këta persona kanë nxjerrë jashtë Drejtorisë së Tatimeve të dhënat dhe kanë ndërhyrë në procesverbale.
Personat që shfaqen në video janë të autorizuar?
Shpresoj që të duken qartë personat që hyjnë në drejtorinë e tatimeve pa autorizim. Ligji ta ndalon marrjen dhe nxjerrjen e të dhënave nga administrata tatimore. Më pas kanë ndodhur ndërhyrje në procesverbale.
Ju keni zhvilluar një debat me zotin Beqiri përse?
Po kam zhvilluar debat për mosmarrjen e të dhënave në mënyrë abuzive. Këta zotërinj ishin me urdhër të prerë nga drejtoresha e përgjithshme që të marrin çfarë të duash. Kam marrë forma kërcënuese.
Qeveria pretendo se të dhënat janë zhdukur para datës 15 nëntor dhe se ky grup është çuar për të hetuar zhdukjen e të dhënave. Keni ju prova që këto të dhëna janë zhdukur pas kësaj date?
Ndërhyrja ka ndodhur në datën 20, në orën katër. Faktet janë evidente personat nuk gjenin të dhënat e tyre. Personat më kanë raportuar në datën 20 se nuk gjenin të dhënat e tyre. Këta persona që shfaqen në video kanë kopjuar të gjitha të dhënat që nga viti 1996 dhe nuk e di ku kanë vajtur. Dhe kanë vazhduar aktivitetin e tyre deri në datën 20.




