Është zbuluar emri i biznesmenit që dyshohet se do të ekzekutohej nga Komron Zukhurov, terroristi i shumëkërkuar nga Interpoli, i cili u vu disa ditë më parë në prangat e policisë së Tiranës, në bashkëpunim me dy miq të tij nga Taxhikistani.
Ishte gazetari Artan Hoxha ai që dha detaje lidhur me atentatin e dështuar ndaj ish-pronarit të Gulf Albano Alikos, edhe pse nuk preferoi që ti jepte emrin, ndërsa ishte i ftuar në emisionin Opinion. Duke iu referuar kohës kur kanë ndodhur ngjarjet, dhe inicialeve që Hoxha tha A.A, bëhet fjalë për skandalin me kompaninë e naftës Gulf, dhe arrestimin e Alikos në shtatorin e 2018-tës.
Hoxha tha se atentati dyshohet të jetë porositur nga ortakët e Alikos në Azerbaxhan, ndërkohë që planet dështuan për shkak se ai ndodhej në arrest shtëpie, në momentin kur dy persona nga Taxhikistani kishin mbërritur në Shqipëri me qëllimin për ta eliminuar.
Dy të rinjtë nga Taxhikistani, bashkëpunëtorë të Zukhurov do të paguheshin 40 mijë euro për eleminimin e Alikos, mbërritën në Shqipëri në Shtatorin e 2018-tës, moment që përkoi me vënien në pranga të Alikos, ndërsa policia shqiptare ka marrë sinjale nga homologët gjermanë.
“Para se të bëhej arrestimi në Shqipëri, ka pasur ndalime dhe në Gjermani, bëhet fjalë për një grup personash nga Taxhikistani, që i akuzojnë për pjesëmarrje në grupe terroriste. Autoritetet gjermane kanë mbledhur të dhëna se dy persona nga Taxhikistani kanë hyrë në Shqipëri në shtator të 2018-tës me pretendimin për të ekzekutuar një biznesmen, shqiptar, këta dy persona janë tashmë të arrestuar në Gjermani, ndërsa personi që është në Shqipëri është bashkëpunëtor i tyre, dhe nuk do merrte pjesë direkt në vrasje.
Bëhet fjalë që në vitin 2018 këta dy persona kanë ardhur nga Taxhikistani, dhe kanë pasur si objektiv, një biznesmen të fushës së hidrokarbureve, që kishte ortak shtetas nga Azerbaxhani. Këta persona dyshohet se kanë pasur prishje të pazareve, kanë paguar dy shtetasit nga Azerbaxhani për të vrarë biznesmenin. Policia shqiptare pas mbylljes së Gulf-it, ka arrestuar biznesmenin, dhe më pas e ka lënë në arrest shtëpie.
Atentati dështoi pasi personi në fjalë ishte nën arrest shtëpie, dhe ruhej dhe nga punonjës të shumtë policie, dhe këta persona nuk mund të qendronin për një kohë të gjatë në Shqipëri, sepse mund të zbuloheshin, dhe së treti autoritetet tona e kanë njoftuar biznesmenin në fjalë, duke i kërkuar që të jetë i kujdesshëm në lëvizjet e tij”, u shpreh Hoxha.
Kujtojmë se Aliko qendroi pak kohë i arrestuar në vitin 2018, pavarësisht shitjes së tollonave dhe mbylljes së papritur të biznesit të tij, ai më pas u lirua me një vendim të Gjykatës, ndërsa nuk dihet ende nëse e ka lënë Shqipërinë, për ti shpëtuar ndoshta edhe hakmarrjeve të mundshme, që mund ti kanoseshin.
Komron Zukhurov nga ana tjetër, është lënë në masën e arrestit të shtëpisë, deri në një vendim të dytë nga ana e Gjykatës, nëse do të ekstradohet në drejtim të Gjermanisë, për tu përballur me drejtësinë atje.




