Eksploziv makinës së inxhinieres së ndertimit. Në polici: S’kam konflikt

Anxhela Tato

Shpërthim/ Atentat me eksploziv makinës së arkitektes në autostradë

Dyshimet, lënda plasëse u aktivizua nga celulari, u montua në Kavajë kur 39-vjeçarja kishte ndaluar

Policia, Entela Çano mohon të ketë probleme apo konflikte, pronare e një studioje projektimi

makina shperthimiEksploziv automjetit të arkitektes teksa ishte duke u kthyer nga Kavaja për në Tiranë. Entela Çano ishte duke udhëtuar në autostradën Tiranë-Durrës kur ka parë flakë që të dilnin nga pjesa e përparme e makinës. E tmerruar 39-vjeçarja ka dalë me shpejtësi nga automjeti tip “Mitsubishi”, i cili brenda pak minutave është përfshirë nga flakët. Nga të dhënat e policisë mësohet se lënda plasëse ka qenë e montuar në pjesën e pasme të automjetit dhe shpërthimi ka qenë i telekomanduar. Dyshimet e bluve janë që eksplozivi C4 është montuar në momentin që makina ndodhej e parkuar në Kavajë, ku arkitektja 39-vjeçare kishte ndaluar për të takuar një mik. Vetë e pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore Entela Çano ka mohuar që të ketë konflikte ose probleme. Ajo është shprehur e gëzuar që ka arritur të mbijetojë, ndërsa ka kërkuar nga policia që të mbyllet sa më parë kjo çështje. Nga ana e bluve kanë nisur hetimet për akuzën e vrasjes me dashje mbetur në tentativë dhe përdorimit të armëve luftarake. Ndër pistat që do të hetohen për këtë ngjarje janë konfliktet që mund të jetë e përfshirë e reja, por në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gjurmë gishtat që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Entela Çato është nëna e dy fëmijëve dhe së bashku me bashkëshortin e saj kanë një studio projektimi në kryeqytet.

 

Hetimet

Dy orë pas ngjarjes, Policia e Durrësit konfirmoi zyrtarisht se u gjeten gjurmë të lëndës plasëse në pjesën e përparme të mjetit. Nga dëshmitë e gruas, e cila është nënë e dy fëmijëve dhe bashkë me burrin e saj kanë një studio projektimi në Tiranë, është mësuar se në fakt nuk ka asnjë problem ndaj nuk ka asnjë të dyshuar për aktin. Grupi i ekspertëve, kanë nisur verifikimin e të gjithë rrugëtimit të mjetit, vendet ku është lënë i parkuar jo vetëm gjatë paradites së djeshme por edhe ditëve të fundit, ndërsa burimet e policisë bëjnë me dije se identifikimi i autorëve të sulmit me bombë ndaj gruas është mjaft i vështirë për shkak se nuk është lënë asnjë gjurmë në mjet për shkak të djegies. Ekspertët bëjnë me dije se mjeti lënda plasëse është aktivizuar me anë të një celulari ndërsa dyshohet se mina të jetë montuar shumë orë para se të shpërthehej. Policia ka marrë në pyetje edhe bashkëshortin e të shënjestruarës ndërsa po verifikojnë ndonjë konflikt që mund të kenë çifti për të shkuar tek autorët e ngjarjes. Referuar të dhënave të policisë së Durrësit, të cilat kanë vijuar të transmetohen nga zyra e shtypit e kësaj drejtorie në lidhje me këtë ngjarje përgjatë gjithë ditës së djeshme, mësohet se Entela Çano ka qenë duke u kthyer nga Kavaja. Atje gruaja ka qenë në një takim dhe mësohet se ka rrugëtuar e vetme.  Sipas të dhënave mjeti i saj u hodh në erë me eksploziv tek mbikalimi i Sukthit. Në vendngjarje përveç grupit hetimor të Policisë së Durrësit u panë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga e Arben Dashi. Si pasojë e situatës së krijuar, qarkullimi në autostradë Durrës-Tiranë u bllokua në një distancë prej rreth 1 km, duke shkaktuar trafik të rënduar. Rastet e sulmeve me eksploziv vijon të jetw ndër krimet më të vështira për tu zbuluar nga ana e forcave të policisë. Përdorimi i lëndëve plasëse shkatërron gjurmët që mund të kenë lënë autorët, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve janë të paguar. Një ngërç tjetër është mos identifikimi i pronarit të kartës SIM që gjendet në mbetjet e eksplozivit, por në pjesën më të madhe të rasteve rezulton e regjistruar në emrin e ndonjë të vdekuri ose të ndonjë personi që nuk e ka më numrin në përdorim.

 

Durrës/ Shkatërrohet baza e falsifikimit të dokumenteve, sekuestrohen vula italiane

Shkatërrohet një bazë moderne e falsifikimit të dokumenteve shqiptare dhe italiane në Shijak. Në objektet e sekuestruara ishin edhe disa vula italiane. Operacioni i Koduar  “klienti” nga sektori kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Durrësit. Policia ka arrestuar Muhamet Strefin dhe  Alvaro Strefin pas kontrollit në banesë. Në  këtë bazë falsifikimi u gjetën dhe u sekuestruan 8 vula të ndryshme si: Vulë noteriale italiane me qendër në Milano; Vulë komune Milano/Itali; Vulë komune Monza/Itali; Vulë avokatie Italiane; Vulë e Drejtorisë Rajonale e Shfrytëzimit të Automjeteve në Durrës; Vulë e Kontrollit Teknik Durrës; Vulë noterie shqiptare; Vulë për lëshimin e mandat-pagesave te Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Durrës. Gjithashtu është sekuestruar një sasi e konsiderueshme dokumentesh të falsifikuara, si: policë sigurimi,  certifikata pronësie italiane si dhe prokura te posaçme, leje drejtimi automjetesh shqiptare, leje drejtimi italiane, karta identiteti italiane, leje qëndrimi greke, dokumente të kontrollit teknik të automjeteve, leje qarkullimi ndërkombëtare, dokumente të kontrollit teknik te automjeteve të shtetit anglez si dhe dokumente të tjera të Drejtorisë Rajonale të Shfrytëzimit të Transportit Rrugor Durrës. Hetimet për këtë bazë të falsifikimit të dokumenteve kanë nisur prej 4 muajsh, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës.

 

Tiranë/ Shitësi ambulant plagos 25-vjeçarin, i kërkoi të ulet zërin

Plagos 25-vjeçarin pasi i kërkoi të mos bërtiste. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:10 në afërsi të zonës së “Pallatit me shigjeta” . Nga burime të policisë bëhet me dije se 25-vjeçari është konfliktuar me një shitës ambulant bananesh. Fillimisht të dyja palët kanë debatuar dhe janë konfrontuar fizikisht. Por situata ka degraduar kur 60-vjeçari ka nxjerrë thikën dhe ka goditur 25-vjeçarin dhe është larguar me vrap. Me shpejtësi ka mbërritur në vendin e ngjarjes mbërriti policia, e cila ka mundur të arrestojë 60-vjeçarin. Ndërsa është shoqëruar për mjekim në spital 25-vjeçari, i cili ndodhte jashtë rrezikut për jetën. I plagosuri ishte nën shoqërinë e një shoku, i cili ka rrëfyer për blutë mekanizmin e ngjarjes. Sipas dëshmsië së të riut shitësi ambulant ulërinte në rrugë: Hajde banane, banane. Në këto momente ka ndërhyrë 25-vjeçari duke i kërkuar që të ulte zërin. Mes tyre janë shkëmbyer ofendime dhe i moshuari është sulur për t’i dhunuar djemtë. Por situata është acaruar dhe ka mbetur i plagosur 25-vjeçari.

 

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news