Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi i është drejtuar sot zyrtarisht Kuvendit për të hequr mandatin e Olta Xhackës.
Sipas Bardhit pengimi i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhacka, vjen pas evidentimit të qartë të faktit se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik me firmë të Kryeministrit Edi Rama.
“Ky rast merr përmasat e një mbrojtjeje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK, nga ku ka rezultuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhacka, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të dhe duke përfituar me dokumente të falsifikuara statusin e investitorit strategjik nga Kryeministri Edi Rama dhe të drejtën për të zhvilluar një projekt me vlerë 5 milion euro në fushën e turizmit.
Në shkresën drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe për dijeni përfaqësive diplomatike në vendin tonë, Bardhi rikujton se përfitimi i pronave me dokumente të falsifikuara nga investitorët strategjik është një rast i përsëritur. “Ky është rasti i dytë i evidentuar në pak kohë, ku shtetit i grabiten me dokumente të falsifikuara pronësia në bregdet, për t’ia kaluar miqve apo bashkëpunëtorëve të Kryeministrit Edi Rama. Kujtojmë këtu se në një situata identike 390 mijë metra tokë në pronësi të shtetit në plazhin e Velipojës, u përfituan përmes falsifikimeve nga miku i Kryeministrit Edi Rama, shtetasi i arrestuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar Pëllumb Gjoka, dhe ku më pas Kryeministri Edi Rama i miratoi një projekt investimi strategjik me vlerë 52 milion euro,” shkruan Bardhi.
Më poshtë shkresa e plotë drejtuar Kuvendit dhe për dijeni trupit diplomatik:





