Zbardhet vendimi Vrasja e balerinës, Kuliçi, shkaktar i sherrit në lokalin e natës

 Sonja Caka

 

 

Dënohet 1 vit burg Endon Bajraktari, i akuzuar vetëm për gjetjen e automatikut pa leje. Veçohet çështja për Kuliçin dhe Hodon

 

Sonila dervishiVendimi i dhënë nga Gjykata për Endon (Elton) Bajraktarin ka hedhur dritë mbi të vërtetën e natës kur u vra balerina Sonila Dervishi dhe u plagos një tjetër balerinë shoqe e saj, Romina Kaso. Ashtu siç edhe është deklaruar, vajzat balerina dhe shoqëria e tyre as që kishin ndonjë debat, të ishin konfliktuar më parë me autorin apo dhe të kishin ndonjë përplasje momentale teksa dilnin nga përfundimi i festimeve me shoqërinë në një nga lokalet e natës në periferi të kryeqytetit. I pandehuri Artur Kuliçi është konfliktuar brenda mjediseve me një tjetër vajzë, e cila pa dashje e kishte prekur me krah ndërsa kalonte. Mes dy tavolinave ka filluar sherri, i cili ka degjeneruar më pas jashtë tij me të shtëna automatike. Kuliçi është larguar nga vendi i ngjarjes, pasi qëlloi në drejtim të derës hyrëse të lokalit dhe më pas automjetin e ka parkuar në oborrin e banesës së të pandehurit tjetër, Endon Bajraktari. Gjykata e Tiranës e ka dënuar Bajraktarin vetëm për “Armëmbajtje pa leje”, për shkak të një arme automatike pa leje që iu gjet në banesë. Përfundimisht, Gjykata e ka dënuar me 1 vit burg të pandehurin, pas veçimit të çështjes nga dy të pandehurit e tjerë, Artur Kuliçi dhe Graciana Hodo. Nga hetimet ka rezultuar se Bajraktari nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen.

 

Akuza

 Sipas vendimit të zbardhur të Gjykatës, fillimisht në Gjykatën e Tiranës ka ardhur për t’u gjykuar çështja penale në ngarkim të të pandehurve Artur Kuliçi, Graciana Hodo, Endon Bajraktari, të cilët akuzohen respektivisht: i pandehuri Artur Kuliçi për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shtetases Sonila Dervishi, si dhe rrezikimin e jetës së shtetasve Romina Kaso etj., si dhe për veprën penale të “Prodhimit, mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”; i pandehuri Endon Bajraktari për veprën penale të “Prodhimit, mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe e pandehura Graciana Hodo, akuzuar për veprën penale të “Moskallzimit të krimit”. Pas ndarjes së çështjes, duke pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të Bajraktarit dhe gjykimit të zakonshëm për Kuliçin dhe Hodon, Gjykata vijoi procesin gjyqësor vetëm për njërin nga të pandehurit. Më datë 5.4.2013 në lokalin “Dream City”, të ndodhur pranë “Casa Italia”-s, rreth orës 01:30, pranë podiumit të sallës kryesore të këtij lokali kane qenë dy tavolina, ku në njërën ishin dy çifte, ndërsa në tavolinën tjetër ngjitur ishin tre persona, dy meshkuj dhe një femër. Rreth orës 02:00, mes dy tavolinave ka nisur një grindje, ku njëri nga djemtë e tavolinës treshe, i veshur me pantallona xhinse dhe bluzë të bardhë, i identifikuar si shtetasi Artur Kuliçi, ka shtyrë dhe fyer njërën nga vajzat e tavolinës ngjitur, pasi kjo e fundit e ka prekur atë pa dashje me bërryl. Kjo ka shkaktuar dhe reagimin e djemve ku ndodhej vajza e fyer, e konkretisht të cilët janë sharë dhe goditur, por me ndërhyrjen e truprojave është shuar sherri për momentin për të vazhduar më tej dhe jashtë dyerve të lokalit. Rreth dhjetë minuta më pas, kur thuajse palët tashmë dukeshin se ishin larguar dhe qetësuar tek dera e hekurt e gardhit rrethues të lokali, regjistruar kjo me pamje filmike është parë një mjet “BMW”, ngjyrë të zezë, me targa të huaja DOG 12047, që drejtohej nga shtetasi Artur Kuliçi dhe në vendin e pasagjerit ishte shtetasja Graciana Hodo. Shtetasi Artur Kuliçi ka ndaluar mjetin përballë hyrjes kryesore të lokalit dhe nga dera e shoferit ai ka shtënë rreth 5-6 herë në drejtim të derës së lokalit ku ndërkohë ishin duke dalë klientët. Si rezultat i këtyre qitjeve, ka mbetur e vrarë shtetasja Sonila Dervishi dhe është plagosur në këmbë Romina Kaso, si dhe janë rrezikuar seriozisht për jetën njerëzit të cilët ndodheshin tek hyrja e lokalit.

 

Hetimi

 Nga hetimet e para është arritur të identifikohet mjeti me të cilin lëvizi shtetasi Artur Kuliçi dhe ky mjet është gjetur në banesën e shtetasit Tahir Bajraktari. Fillimisht, hetuesit kanë dyshuar për një rol aktiv të djemve të shtetasit Tahir Bajraktari në ngjarjen në fjalë. Por, pas hetimeve është vërtetuar se nuk kishte ndonjë lidhje e tyre me ngjarjen në fjalë dhe është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Tahir Bajraktari (babai i të pandehurit Endon Bajraktari) ku në dhomën e Endon Bajraktarit u gjet një armë automatike me nr. 11119149, pa qytë, me siguresë të hapur, pa krehër në fole. Kjo armë nuk ishte arma e përdorur nga Kuliçi natën e ngjarjes.

 

 

Share it :