Zbardhet raporti/ Mazhoranca: Të shkarkohet kryetarja e ILDKP-së. Opozita pret vendimin e Kushtetueses

Gëzim Saliu

 

Raporti: Inspektorja nuk ka zbatuar me dashje detyrimin ligjor për të raportuar para Komisionit

 

Zana-Xhuka1Zbardhet i plotë raporti “Mbi kontrollin e ushtruar në ILDKPKI për verifikimin e përmbushjes së detyrës funksionale”. Në raportin e hartuar nga grupi i kontrollit, i përbërë vetëm nga tre deputetët e mazhorancës, për veprimtarinë e kryeinspektores Zana Xhuka në krye të ILDKP-së, kërkohet shkarkimi i saj nga kjo detyrë. Në ketë raport theksohet se emërimi është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi Zhuka nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 12, që sanksionon se kreu i ILDKP-së duhet të ketë arsimin e lartë si ekonomist financier ose jurist si dhe përvojë në profesion jo më pak se 10 vjet. Po ashtu, grupi i kontrollit i përbërë nga deputetët Armando Subashi, Pirro Lutaj, Ulsi Manja, ka dalë në përfundimin se Xhuka nuk kryen detyrat ligjore dhe institucionale, duke sjellë mungesë të rezultateve në funksionimin e institucionit, konkretisht në: Administrimin dhe kontrollin e deklaratave të interesave private, trajtimin e ankimeve të konfliktit të interesit dhe masat për parandalimin dhe zgjidhjen e tyre, forcimin e kapaciteteve investiguese dhe rolin e ILDKP-së në ndërgjegjësimin e zyrtarëve dhe autoriteteve përgjegjëse dhe forcimin e transparencës së institucionit. Sipas raportit, inspektorja e Përgjithshme nuk ka zbatuar me dashje detyrimin ligjor për të informuar dhe raportuar para komisionit të Kuvendit. Nga ana e saj opozita e ka cilësuar këtë akt të mazhorancës si një sulm ndaj institucioneve të pavarura e prër këtë Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për ndalimin e sulmit ndaj ILDKP-së. “Partia Demokratike ka kërkuar shpalljen si antikushtetuese të sulmit të hapur ndaj institucionit të pavarur të Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive të qeveritarëve si dhe të përpjekjeve të paligjshme për shkarkimin e kreut të këtij institucioni. Me shkarkimin e kreut të ILDKP-së, Rama dhe Meta po kërkojnë me çdo kusht të marrin nën kontroll këtë institucion të pavarur në mënyrë që të fshehin pasuritë e paligjshme dhe aferat korruptive të tyre dhe bashkëpunëtorëve të tyre”, – ka pohuar deputeti i djathtë Oerd Bylykbashi, pasi depozitoi kërkesën në Kushtetuese.

 

 

Korçë

Rama, inspektim në Doganë dhe në shtëpinë e të moshuarve

Kreu i qeverisë, Edi Rama, zhvilloi dje një inspektim të panjoftuar në Doganë dhe më pas edhe në Hipotekë. Inspektimi surprizë pason vizitat që Rama ka bërë fillimisht në Doganën e Hanit të Hotit dhe të Durrësit. Më herët, gjatë ndalesës së tij në Korçë, Rama, shoqëruar nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi kanë bërë një vizitë në shtëpinë e të moshuarve në këtë qytet. Kryeministri e vlerësoi këtë qendër strehimi të të moshuarve, si një model për t’u ndjekur, për sa i përket menaxhimit dhe shërbimeve që ajo siguron për banorët e saj. Ndërkohë zv.kryeministri Peleshi propozoi gjithashtu shfrytëzimin e godinave të lëna djerrë dhe shndërrimin e tyre në institucione që ofrojnë standarde të këtij lloji.

 

Share it :