Zbardhet “aksidenti” / Djali vret babanë dhe e raporton si vdekje aksidentale

Sonja Caka

Policia prangos 23-vjeçarin Ardian Thaçi, nis hetimi edhe për inspektorin e zonës. Krimi në familje, pas një sherri banal mes babë e bir

 

largea_pranga_021349193017Tri ditë pas vdekjes “aksidentale” të babait, policia zbardh misterin. Fatos Thaçi nuk vdiq si pasojë e përplasjes së biçikletës së tij nga një makinë por nga dora e djalit të tij. Policisë së Tiranës i është dashur 3 ditë hetime intensive dhe mbledhje provash për të zgjidhur këtë ngjarje, të cilën për kaq ditë e arkivoi si vdekje aksidentale. Nga hetimet paraprake dhe dëshmitë e para të djalit të dyshuar për vrasjen e të atit, gjithçka ndodhi pas një sherri banal mes babë e bir. Pas kësaj, 23-vjeçari Ardian Thaçi ka qëlluar disa herë me mjete të forta të atin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas, vdekjen e babait do e raportonte si përplasje me makinë, për të larguar dyshimet se kishim të bënim me një krim brenda familjes. Policia e kryeqytetit vijoi hetimet dhe tri ditë pas ngjarjes, arrestoi djalin për vrasjen e të atit, shtetasit Fatos Thaçi. Ndërkohë, burime policore bëjnë me dije se po hetohet edhe inspektori i zonës për fshehje të ngjarjes.

Ngjarja

Policia e Tiranës ka zbardhur dje një vrasje e ndodhur ditën e mërkurë (12 shkurt 2014), e cila ishte regjistruar si aksident nga ana e policisë. Policia e Tiranës vetëm gjatë ditës së djeshme ka zbuluar të vërtetën rreth vdekjes së një banori të lagjes “Xhamllik” në kryeqytet, konkretisht të shtetasit Fatos Thaçi, kur prangosi një 23-vjeçar që kishte vrarë të atin. Fillimisht, të mërkurën, ngjarja ishte raportuar si aksidentale, sikur Fatos Thaçi ishte përplasur me biçikletë dhe për pasojë kishte gjetur vdekjen. Ngjarja u arkivua si e tillë nga oficerët e policisë të komisariatit nr. 4 në Tiranë, të cilët në raportet e tyre referuan për plagë të marra pas një aksidenti.

Hetimi

Pas grumbullimit të provave të tjera, si dhe pas verifikimit të saktësive të dëshmive të djalit të viktimës, ekspertët nisën të dyshonin se diçka nuk shkonte dhe se djali nuk po thoshte të vërtetën rreth ngjarjes. Ai ishte përherë edhe më kontradiktor në deklarimet e tij. Sipas burimeve, 23-vjeçari Ardian Thaçi nuk ishte i qartë rreth pyetjeve se ku kishte qenë momentin e aksidentit, gjë e cila solli edhe rinisjen e hetimeve. Grupit hetimor i rezultoi se ngjarja kishte ndodhur pas një sherri me djalit dhe të atit, ndërsa 23-vjeçari e kishte goditur në kokë me sende të forta. Si pasojë e këtij veprimi, Fatos Thaçi ka pësuar fraktura të shumta në kokë dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia vendosi të ndjekë penalisht edhe oficerin që kishte kryer veprimet hetimore, derisa të sqarohen më pas të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje. Ndërkaq, 23-vjeçari i arrestuar pritet të marrë masën e sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda për krimin e kryer brenda familjes.

 

 

Pogradec

Plagosi me thikë në qafë kushërirën, “arrest me burg” për Sandokanin

Gjykata e Pogradecit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 29-vjeçarin Sandokan Meçaj, i cili plagosi me thikë në qafë kushërirën e tij me të cilën kishte lidhje intime. Ngjarja e pazakontë u shënua tri ditë më parë në fshatin Memlisht të Pogradecit. Sipas akuzës, 34-vjeçarja Bona M., lindur në Shkodër dhe nënë e tre fëmijëve është qëlluar me thikë nga djali i tezes së saj. Ajo ishte zhvendosur prej 7 muajsh në Pogradec dhe jetonte në familjen e tezes së saj. E martuar në Malësi të Madhe, 34-vjeçarja është detyruar të largohet, pasi burri i saj vrau një person në vitin 2011. Pas zhvendosjes së saj në shtëpinë e tezes, ajo nisi një marrëdhënie intime me kushëririn e saj 27-vjeçar, Sandokan Meçaj. Sipas burimeve zyrtare nga Policia, 34-vjeçarja dhe kushëriri i saj (i divorcuar), prej muajsh kishin krijuar një lidhje intime. Meçaj e ka qëlluar me thikë “të dashurën” e tij me të cilën ka lidhje gjaku, për shkak të xhelozisë, pas një debati të çastit në rrugë. Kanë qenë banorët e zonës, të cilët e kanë transportuar me urgjencë 34-vjeçaren në spital. Më pas, 29-vjeçari është vetëdorëzuar në polici së bashku me thikën. Ai akuzohet për veprën penale “tentativë vrasjeje”.

 

Burrel

Kushtet e vështira të trajtimit në burg, 17 të dënuar në grevë urie

Një grup të dënuarish në burgun e sigurisë së lartë në Burrel prej 5 ditësh ndodhen në grevë urie. Bëhet fjalë për 17 të dënuar të cilët deklarojnë se janë futur në grevë për shkak të kushteve çnjerëzore të trajtimit brenda ambjenteve të këtij burgu. Sipas të dënuarave, ata janë transferuar në këtë burg pas mbylljes së burgut të Lezhës. Ata akuzojnë për trajtim çnjerëzor dhe të diferencuar nga gardianët e këtij burgu, çka detyroi një grup të komisionerëve të Avokatit të Popullit të nisen dje drejt Burrelit. Të dënuarit kanë akuzuar gardianët se nuk i kanë lejuar të realizojnë edhe një takim me drejtorin e burgut.

 

Korçë

Gjendet i pajetë një person, policia heton vdekjen

Trupi pajetë i një personi, ende i paidentifikuar, është gjetur mëngjesin e djeshëm në Korçë. Sipas burimeve policore, viktima është e seksit mashkull, rreth 50 vjeç është gjetur dje nga punonjësit e ndërmarrjes së pastrimit, të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat pasi kanë kqyrur viktimën e kanë të dërguar në morg ku do t`i bëhet edhe ekspertiza për të vërtetuar edhe shkaqet e vdekjes. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.