Zaneti, legjenda zikaltër var këpucët, fillon aventurën si drejtor

Argjentinasi është një ndër lojtarët më të kompletuar që ka fituar respektin e gjithë botës së futbollit me lojën e tij dhe vullnetin për të punuar për skuadrën

javier Ka futbollistë të thjeshtë, por ka dhe legjenda. Një ndër ta është edhe Havier Zaneti. Një ndër ikonat e Interit, por gjithashtu edhe një ndër më të mëdhenjtë në botën e futbollit. Temperamenti i tij në fushë, forca dhe festimi për skuadrën zikaltër e ka kthyer në një ndër futbollistët më të mëdhenj. Lionel Mesi mund të jetë hero për Barcelonën dhe Kristiano Ronaldo idhull për tifozët e Realit të Madridit, por nuk kanë dashamirësinë e Zanetit. Argjentinasi është një nga disa ikona, së bashku me Paolo Maldinin, Alesandro del Pieron, të cilët janë të adhurueshëm nga të gjithë. Madje, edhe rivalët e Juventusit, të dëmtuar nga “Calciopoli” i 2006-ës, i cili ka krijuar një ndarje të thellë midis bardhezinjve dhe Interit, nuk kanë gjë tjetër përveçse admirimit për argjentinasin. Zaneti adhurohet, sepse ai është mishërim i klasit, si brenda ashtu edhe jashtë fushës përgjatë gjithë karrierës së tij 22-vjeçare. Si futbollist, “Pupi” do të hyjë në histori si një nga lojtarët e tërhequr më të mirë që kjo lojë ka parë ndonjëherë. Taktikisht, teknikisht, fizikisht dhe mentalisht ai zotëron çdo atribut. Heroi i Mançester Junajtidit, Rajan Gigs, e ka etiketuar argjentinasin si kundërshtarin më të fortë në karrierën e tij. “Jam përballur me Zanetin për herë të parë në çerekfinalen e vitit 1999 në Ligën e Kampioneve, ai ishte mbrojtës i djathtë dhe unë isha në të majtë. Ai më impresionoi me kualitetin, shpejtësinë, fuqinë, inteligjencën dhe ekspertizën e tij. Kam luajtur kundër tij edhe dy herë të tjera dhe ai ishte kundërshtari im më i vështirë, një lojtar i kompletuar”, – ka thënë uellsiani për “Gazzetta dello Sport”. Ajo që është me impresionuese është karriera e gjatë e Zanetit. Zakonisht kulmi i një futbollisti zgjat nga pesë deri në shtatë vjet, në raste të veçanta mund të jetë më e gjatë, por në nivele të larta është shumë më e shkurtër. Merrni për shembull Ronaldinjon. Gjatë mesit të dekadës së fundit, braziliani arriti një nivel që vetëm pak lojtarë mund ta arrijnë. Por vetëm për katër ose pesë sezone karriera e tij mund të konsiderohej e një futbollisti të klasit botëror. Zaneti qëndroi në këto nivele për 15 vjet. Në moshën 37-vjeçare, kur Interi mundi Barcelonën e madhe në Ligën e Kampioneve, i madhi Lionel Mesi nuk goditi më shumë se një herë, pasi bashkëkombësi i tij mbrojti në mënyrë fantastike. Qëndrueshmëria e tij në dy dekadat e fundit ka qenë një gjë e veçante që shihet në botën e futbollit. Derisa ai dëmtoi “tendinën e Akilit” në ndeshjen kundër Palermos një vit më parë, një dëmtim nga i cili nuk u rikuperua kurrë plotësisht, duke bërë vetëm 11 paraqitje këtë sezon. Nuk është surprizë që njeriu me nofkën “Traktori” mban rekordin e paraqitjeve me kombëtaren argjentinase dhe Interin, me të cilin u bashkua në vitin 1995 nga skuadra Banfild. Kurrë nuk ka provuar të arrijë suksese nëpërmjet stimulimeve. “Është një lojtar që ka bërë historinë dhe unë nuk mund të mendoj për një lojtar dhe njeri që qëndron më lart se ai”, – ka deklaruar trajneri i Juventusit, Antonio Konte, i cili nuk komplimenton shpesh lojtarët.

 

Qetësia, arma çarmatuese e lojtarit

Kur Zaneti nuk u zgjodh në skuadrën e Argjentinës për Kupën e Botës 2006 dhe 2010, ai kurrë nuk u ankua, edhe pse kishte gjithë të drejtën për të pyetur se përse Lionel Skaloni apo Jonas Gutierrez ishin preferuar në vend të tij. Kur Interi dhe Valencia u përfshinë në një sherr masiv në Champions League në vitin 2007, vetëm Zaneti qëndronte larg sherrit. Kur trajneri Roberto Mançini deklaroi se ishin “vjedhur” nga gjyqtari në ndeshjen kundër Liverpulit, Zaneti refuzoi të bëhej pjesë e polemikave, edhe pse dy kartonë të kuq të pashpjegueshëm u kushtuan rezultatin. “Ai është kaq special dhe unë kurrë nuk e kam dëgjuar të flasë keq për ndokënd. Në ditët e sotme nuk ka shumë lojtarë si ai. Një ditë ai më tha se donte të bëhej si unë. Unë i përgjigjem tani duke i thënë se do të dëshiroja që unë të bëhesha si ai”, – ka deklaruar ish-shoku i tij i skuadrës Roberto Baxho. Zaneti ndoshta nuk ka qenë më i zëshmi apo motivuesi, por në mënyrën se si ai motivonte veten e tij dhe shembulli që u jepte shokëve të skuadrës, ai ka qenë kapiteni i përkryer. Kur ai ngriti trofeun e Ligës së Kampioneve në qiellin e Madridit në vitin 2010, pas fitores 2-0 ndaj Bajernit, nuk ka pasur një tifoz të futbollit që nuk ka qenë i lumtur për Zanetin.

 

Karriera e Havier Zanetit në numra

15 – është numri i trofeve që Zaneti ka fituar me Interin.

45 – është numri mesatar i ndeshjeve të luajtura nga Zaneti për një sezon që në kohën kur ai bëri debutimin e parë në vitin 1992 deri përpara dëmtimit në 2013.

145 – janë ndeshjet e luajtura me Argjentinën, një rekord për vendin e tij. Ai ka luajtur në dy Kupa Bote, 1998 dhe 2002.

613 – është numri i ndeshjeve të luajtura nga Zaneti në Serinë A. Një rekord për lojtarët e huaj.

856 – është numri i paraqitjeve me fanellën e Interit që kur ai u bashkua me ekipin. Zaneti mban rekordin në klub.

 

Karriera e re si drejtor sportiv

 Kapiteni i Interit, Havier Zaneti, ka konfirmuar përfundimisht largimin nga fusha e lojës pas 22 vitesh karrierë si futbollist. Presidenti Erik Tohir deklaroi javën e kaluar se argjentinasi do të marrë një rol të ri brenda klubit. “Të largohem në moshën 41-vjeçare është një emocion unik. Ndihem krenar për veten time, ky është momenti i duhur për mua. Pas dëmtimit tim vitin e kaluar, doja të provoja se mund të kthehesha në futbollin konkurrues dhe ia dola. Kam ëndërruar të mbyllja karrierën time me Interin. Interi është shtëpia ime dhe unë do të kontribuoj jashtë fushës njësoj si brenda saj. Do të jem drejtor sportiv i klubit, një sfidë emocionuese. Jam i gatshëm për të mësuar”, – ka deklaruar kapiteni zikaltër.

 

Kronologji e Havier Zanetit

41 vjet më parë, në 10 gushtin e vitin 1973, do të lindte një njeri, të cilin trajneri Stramaçoni do ta quante Njeri i Bardhë. Në Buenos Airesin që jetonte një nga periudhat më të bukura të historisë së këtij qyteti do të vinte në jetë Havier Adelmat Zaneti.

17 vjet më parë, në Milano do të mbërrinte argjentinasi, që kurrë nuk e kishte menduar këtë histori lavdie. Në pamje të parë dukej si një aktor telenovelash. Së bashku me të ishte edhe një tjetër argjentinas, për të cilin Interi kishte ndërmend të shpenzonte shuma marramendëse, por njeriu i duhur ishte pikërisht Havier Zaneti. Dhe vetëm pak ditë pas mbërritjes së tij, Havier Zaneti do të bënte debutimin me Interin.

Ishte 27 gushti i verës së vitit 1995. Interi fitonte atë ditë përballë Viçencës në San Siro me një gol të brazilianit Roberto Karlos. Argjentinasi në debutimin e tij luajti në të djathtë, në mbrojtje, kishte një fizik të bëshëm, vraponte shumë dhe me një dëshirë për të mos u dorëzuar kurrë. Ishin të njëjtët përbërës të Zanetit që ne njohim sot, ishin që atë pasdite të verës së vitit 1995 në San Siron gjysmë të boshatisur dhe barin e zverdhur nga vapa.

6 maj 1998, në Paris, Në “Parkun e Princave”, ky njeri do të shënonte golin e dytë për Interin, në finalen e Kupës UEFA kundër Lacios. Një e djathtë e dhunshme nga jashtë zone, një fytyrë e padepërtueshme, një vrapim me krahët e hapur e më pas përqafimi ngazëllyes i shokëve të skuadrës.

Vera e vitit 1999, Bepe Bergomi, një tjetër legjendë e Interit, kishte vendosur të varte këpucët në gozhdë dhe shiriti i kapitenit i përkiste tashmë Havier Zanetit. Ishte takimi i Kupës së Italisë kundër Kastel di Sangros, ndeshje të cilën Interi e fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0. Por më shumë sesa ky rezultat, takimi në fjalë emëroi Havier Zanetin si kapiten të Interit. Ishte vetëm 26 vjeç dhe për të sapo kishte nisur të shkruhej historia e lavdishme.

13 maj i vitit 2003, lotët e këtij njeriu hynë në zemrën e të gjithë tifozëve zikaltër. Ishte gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve me Milanin. Përfundoi 1-1, por nuk mjaftoi që Interi të shkonte në finale, pasi takimi i parë ishte mbyllur në barazim pa gola. Një zhgënjim për Zanetin, që ëndërronte medoemos finalen e Ligës së Kampioneve me Interin.

22 maj 2010, ky njeri u pa sërish duke qarë. Atë mbrëmje ishin lotët e të gjithë tifozëve zikaltër. Këtë herë ishin lotët e gëzimit, të cilët kishin një jetë që kërkonin të shpërthenin. Ishin lotët e triumfit më të madh të karrierës së këtij njeriu. Interi fitoi Ligën e Kampioneve dhe njeriu që duhej të ngrinte në qiell kupën e ëndrrave, ishte pikërisht Havier Zaneti.

Havier mori të parin karton të kuq në karrierën e tij. Pas 19 vjetësh kishte një penalitet, që një njeri i përkryer nuk e meritonte.

Në Piatra Meant të Rumanisë ky njeri shënoi 800 ndeshje me fanellën e Interit. Një numër që mund të mbahet vetëm nga legjendat.

 

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news