Në Tiranë vazhdojnë reagimet për protestat që shpërthyen pas vrasjes së një të riu nga policia mesnatën e të hënën pranë banesës së tij.
Qeveria dhe opozita po shkëmbejnë akuza mbi përgjegjësitë e këtyre ngjarjeve. Ndërsa në rrjetet sociale protestuesit kërkojnë vazhdimin e protestave.
Ndërsa policia dhe bashkia bënin sot përmbledhjen e protestës së djeshme, kryeqyteti po kalon një qetësi të brishtë pas trazirave të një nate më parë.
Por kryeministri Edi Rama deklaroi se drejtori i përgjithshëm i policisë nuk do të largohet nga detyra.
Policia bëri të ditur se ka marrë si të arrestuar 59 protestues dhe janë nën hetim janë 116 pjesëmarrës në protesta.
Forcat e rendit kanë shoqëruar edhe të mitur nga mesi i protestuesve, të cilët më pas janë liruar, ndaj u ka kërkuar familjarëve të shmangin bashkimin e fëmijëve të mitur me protestuesit e rritur.
Ministri i punëve të brendshme dha dorëheqjen e parevokueshme një natë më parë, por largimi i tij nga detyra nuk e uli ritmin e protestave, përkundrazi ato u bënë edhe më energjike e më të dhunshme.
Ministria e brendshme, ministria e financave dhe një seri institucionesh të tjera publike pranë sheshit Skënderbej dhe shëtitores Dëshmorët e Kombit pësuan jo pak dëme në fasadat e tyre, kryesisht thyerje dyersh dhe dritaresh, mes të cilave e pësuan edhe Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Kombëtar.
Po ashtu janë dëmtuar jo pak semaforë në kryqëzime, reklama dhe ndricues të rrugëve e trotuarëve, kazanë mbeturinash, pra, objekte publike të administruara nga bashkia, ndërsa protestuesit nuk kanë prekur dyqane apo prona private.
Protesta nisën dy ditë më parë pas vrasjes mesnatën e të hënës nga policia të të riut 25-vjeçar, Klodian Rasha, i cili nuk iu bind patrullës së shërbimit, por u largua me vrap.
Familjarët e tij pohuan se djali kishte dalë vetëm për të blerë një paketë cigare dhe faji i tij i vetëm ishte se nuk kishte maskë anti-covid dhe gjendej jashtë banesës pas mesnate, vrapoi për t’iu shmangur gjobës, megjithatë u vra afër hyrjes së shtëpisë.
Polici që vrau të riun 25-vjecar Klodian Rasha mesnatën e të hënës doli sot para gjykatës, ku u konfirmua masa e arrestit të tij me burg.
Ndërsa qeveria dhe opozita vazhdojnë të shkëmbejnë akuza mbi përgjegjësitë e këtyre ngjarjeve.
Opozita akuzoi qeverinë, kryeministrin, ministrin e brendshëm që po frymëzojnë dhunën në radhët e policisë, gjë që solli edhe vrasjen e të riut 25 vjecar Klodian Rasha, krahas shumë e shumë raste të tjera dhune ndaj qytetarëve kudo nëpë Shqipëri.
Ndërsa kryeminstri Rama shpërndau pak më parë një tjetër mesazh në rrjetet sociale, ku sërish akuzoi presidentin e republikës dhe drejtuesit e opozitës si nxitës dhe orkestrues të dhunës.
Për t’u shënuar është edhe se protestat shpërthyen në kohën kur epidemia Covid-19 po shton përditë e më tepër rastet e qytetarëve të infektuar dhe atyre që po humbin jetën.
Në rrugë e sheshe dalin e përplasen mes tyre qindra qytetarë e policë pa maska sanitare, gjë që sipas mjekëve, edhe këto protesta do të shtojnë infektimet, ashtu si ka ndodhur edhe me protestat e majit, kur u shkatërrua Teatri Kombëtar, dhe policët u përleshën me qytetarët, që mbronin atë.




