Anxhela Tato
Hetimet, dyshime se krimi mund të jetë i lidhur me konfliktet e djalit, i dënuar në Greqi
Ekspertiza mjekoligjore, 62-vjeçari ka një plagë tejshpuese në shpinë, është vrarë me armë gjahu
Vrasja e fermerit shoqëron në polici 20 persona, të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Nga ana e bluve janë marrë në pyetje rreth 20 persona, por për asnjërin prej tyre nuk ka pasur dyshime se mund të jetë i përfshirë në krimin e rëndë. Dy barinjtë, të cilët gjetën trupin e pajetë, kanë rrëfyer se nuk kanë pikasur asnjë person të dyshimtë. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore dy barinjtë kanë treguar se kanë parë në distancë një person të shtrirë në tokë. Pasi i janë afruar viktimës ata kanë parë gjak dhe vrimën e plumbit që kishte në shpinë. “Pamë një person që ishte i shtrirë dhe menduam mos ishte plagosur apo mos kishte ndonjë problem shëndetësor. Kur i afrohemi vura re se kishte gjak dhe një vrimë në kurriz. Aty e kuptova se e kishin vrarë dhe njoftova policinë. Nuk mund ta lëviznim trupin, pasi kjo ishte pjesë e punës së policisë. Por nuk është se kam parë ndonjë person të dyshimtë. Nuk është se e njoh viktimën, por si fytyrë e kam parë disa herë në pyll kur vinte për të prerë dru. Dukej njeri i qetë”, – pjesë e dëshmisë së një prej barinjve. Në pyetje janë marrë edhe familjarë të viktimës, të cilët kanë dëshmuar se i afërmi i tyre, 62-vjeçari Mark Leka nuk kishte konflikte me askënd dhe as probleme ose kërcënime. Nga banorë të zonës dhe fqinj, 62-vjeçari përshkruhet si një person i qetë. Ndërkohë që policia është duke hetuar paralelisht ën disa pista, ende nuk konfirmohet versioni zyrtar.
Hetimet
Sipas ekspertizës mjekoligjore, 62-vjeçari ka një plagë tejshpuese në shpinë, e cila i ka marrë jetën për shkak të hemorragjisë. Perimetri i plagës çon në përfundimit se në këtë vrasjes është përdorur një armë zjarri automatike, e llojit armë gjahu. Plaga ndodhet në zonën e shpinës, çka tregon se viktima mund të jetë vrarë aksidentalisht ose pas një konflikti të çastit. Nga veprimet e kryera nga policia është mësuar se viktima ishte Mark Leka, 62 vjeç, banor i fshatit, i cili sipas tyre banonte në një distancë jo shumë të afërt me vendin e krimit. Burimet thonë se ai ishte nisur për në pyll për të prerë dru zjarri për ngrohje, ndërsa për këtë qëllim kishte njoftuar edhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes policia ka krijuar dyshimin se vrasja mund të ishte e qëllimshme, duke menduar edhe për ngjarje aksidentale nga ndonjë gjuetar. Pavarësisht këtij dyshimi, hetuesit e policisë kanë konkluduar se vrasja duhet të jetë kryer në mënyrë të qëllimshme dhe me paramendim. Verifikimi i kryer nga policia ka zbuluar se viktima nuk kishte ndonjë konflikt personal, edhe pse në të shkuarën ai ka qenë i dënuar për vjedhje. Po ashtu, policia ka mësuar se djali i Lekës, aktualisht është i dënuar në Greqi, duke vuajtur dënimin e dhënë ndaj tij në një burg grek. Dyshimet e policisë janë drejtuar në disa pista aktualisht dhe po hetohen konflikte të mundshme pronësie, konflikte të mundshme në fshat të viktimës, si dhe ndonjë konflikt që mund të ketë pasur në Greqi djali i tij. Policia tha se është duke verifikuar informacione të ndryshme në fshat, për të identifikuar dhe arrestuar autorët e mundshëm të krimit të djeshëm në fshatin Malaj të Mirditës.
Tiranë
Sherr për lojën e bilardos, plagoset me thikë 20-vjeçari
Loja e bilardos mes disa adoleshentëve degradon me plagosjen e 20-vjeçarit. Ngjarja e rëndë është shënuar pasditen e djeshme në zonën e Kamzës, kur një telefonatë ka mbërritur në komisariatin e policisë nr. 5, ku është denoncuar ngjarja. Patrulla të policisë janë paraqitur menjëherë në vendin e ngjarjes duke transportuar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak 20-vjeçarin e plagosur. Nga bluzat e bardha mësohet se i riu ka një plagë thike në zonën e barkut dhe gjendja e tij është stabël, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa janë shoqëruar për në komisariat shok të 20-vjeçarit, të cilët kanë zbuluar detaje dhe shkakun e sherrit. Dyshohet se lekët e një loje bilardoje ka qenë shkaku i sherrit mes dy të rinjve. Fillimisht dy djemtë janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke u konfrontuar fizikisht, por debati ka degraduar në përdorimin e thikës nga autori dhe në saj të ndërhyrjes së shokëve të të plagosurit është bërë i mundur parandalimi i një ngjarjeje të rëndë. Nga ana e bluve kanë nisur hetimet dhe kërkimet për autorin e ngjarjes, i cili është larguar me shpejtësi. Blutë nuk bëjnë me dije identitetin e tij për arsye hetimore.
Lezhë
Makina del nga rruga, humb jetën 16-vjeçari
Një 16-vjeçar ka gjetur vdekjen paraditen e djeshme, ndërsa shoku i tij është plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti rrugor. Makina me të cilën po udhëtonin dy të rinjtë mësohet se ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal. Aksidenti ndodhi rreth orës 12:00 të ditës së djeshme në aksin dytësor Shënkoll – Tale në Lezhë. Policia tha se nga ky aksident ka humbur jetën 16-vjeçari me inicialet E. H. nga Rubiku, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur edhe drejtuesi i mjetit po 16 vjeç me inicialet A. P., nga fshati Tale i Lezhës. I plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje kritike për jetën. Nga hetimet e para të policisë bëhet e ditur se mjeti tip “Golf” me targa MR 2604 A ishte duke lëvizur me shpejtësi të madhe, çka ka bërë që drejtuesi i tij të humbasë kontrollin. Aksidentet rrugore vijojnë të jenë një ndër problemet më shqetësuese për policinë. Mosrespektimi i rregullave, shpejtësia tej normale, drejtimi i automjetit në gjendje të dehur, shpërqendrimi, janë ndër motivet që ndeshen më shpesh nëpër aksidente. Ndonëse rritjes së numrit të patrullimeve dhe aksionit për ndëshkimin e drejtuesve të papërgjegjshëm, shifrat vijojnë të jetë të larta.




