Anxhela Tato
Prova më e rëndësishme, rrëfimi i dëshmitarit okular që pa Frrokun në makinë natën e ngjarjes
Biznesmeni Arben Frroku, nën akuzë për vrasje me dashje të ish-kryekomisarit Lamaj dhe armëmbajtje pa leje
Mbyllet dosja hetimore për biznesmenin Arben Frroku, nën akuzë për ekzekutimin e ish-shefit të komisariatit numër 6, Dritan Lamaj. Lajmi bëhet me dije nga burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët janë nga fundi me përgatitjet e konkluzioneve dhe dërgimin e dosjes së plotë në Gjykatë. Siç bëhet me dije, brenda një jave dosja “Frroku” do të depozitohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda për akuzën e vrasjes me dashje. Dosja do të hidhet në shortin e përzgjedhjes së relatorit dhe anëtarëve të trupës gjykuese. Burime zbulojnë se prova më e rëndësishme që ka në dorë Prokuroria është rrëfimi i një dëshmitari okular, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, për arsye sigurie. Dëshmitari është nën mbrojtjen e organit të akuzës dhe ka rrëfyer se natën e ngjarjes ka parë në makinë të akuzuarin Arben Frroku. Akuza e vrasjes me dashje bazohet edhe tek përplasjet e herëpashershme që biznesmeni Frroku ka pasur me ish-shefin Lamaj. Prokuroria disponon tabulatet e sms-ve kërcënuese në numrin e të ndjerit Lamaj. Këto dy prova janë kyçi i dosjes së akuzës. Por, nga ana tjetër, biznesmeni Frroku ka mohuar kategorikisht të ketë lidhje me ekzekutimin e zyrtarit të lartë të policisë. Pak javë më parë, në një seancë me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Frroku rrëfeu gjithë itinerarin dhe lëvizjet e tij përgjatë 24 orëve të 24 shkurtit dhe arsyet përse nuk ka gisht në ekzekutimin e ish-shefit të komisariatit të Kombinatit, por pavarësisht nga alibia, nuk mundi ta bindte dot gjykatësen Etleva Deda të ndryshonte masën e sigurisë, që pati marrë ndaj tij në mungesë. Gjykata vendosi të linte në fuqi vendimin për të lënë Frrokun në burg, pasi, me sa duket, u bind nga fjala e prokurorit, i cili tha se ka prova të qëndrueshme për çështjen mbi të cilën ngrihen dyshimet mbi Arben Frrokun. I dyshuari Frroku mbahet në ambientet e paraburgimit “Jordan Misja” (burgu 313). Ai u ekstradua nga Greqia pak javë më parë nën masa të rrepta sigurie. Arben Frroku u vu në pranga në Selanik të Greqisë, pak orë pasi në zonën e “Vasil Shantos”, u qëllua me 12 plumba për vdekje kryekomisari Dritan Lamaj. Dhjetë muaj ai qëndroi në burgjet greke, derisa të përfundoheshin procedurat e ekstradimit. Më 8 nëntor u transferua për në vendin tonë.
Dëshmia
“Konfliktet e mia me Dritan Lamajn i kam denoncuar në organet përkatëse dhe hetimin e tyre e kam lënë në dorën e tyre. Nuk kam lidhje me vrasjen e tij”, – pjesë nga dëshmia e Arben Frrokut. Biznesmeni, i dyshuar si autori i vrasjes së ish-shefit të komisariatit nr. 6, Dritan Lamaj, është marrë në pyetje mbi gjashtë orë nga ana e prokurorëve të Krimeve të Rënda. Në qelinë e tij ditën e shtunë janë paraqitur tre përfaqësues të institucionit të akuzës, së bashku me dy oficerë policie dhe mbrojtësin e të pandehurit Frroku. Mësohet se i akuzuari nuk i është shmangur asnjë përgjigjeje dhe ka ritheksuar disa herë se nuk është ai autori i ekzekutimit. Para prokurorëve, Frroku ka treguar me detaje itinerarin e lëvizjeve dhe ka referuar pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë, ndërsa ka pohuar për konfliktet e herëpashershme të ndjerin Lamaj, ngjarje për të cilat ka parë të arsyeshme zgjidhjen në rrugë ligjore. “Është e vërtetë që kam pasur konflikte të herëpashershme me Dritan Lamajn, i cili më ka shoqëruar disa herë në komisariat, por për këto ngjarje unë u jam drejtuar organeve të drejtësisë dhe e kam pritur nga ato zgjidhjen. Në momentin e ekzekutimit të Dritan Lamajt, unë isha jashtë Tiranës, në afërsi të Elbasanit. Këtë pretendim unë e mbështes tek pamjet filmike që kanë kapur kamerat e sigurisë të disa karburanteve dhe lokaleve në rrugën nacionale, por kjo mund të vërtetohet edhe nga vendndodhja e telefonit celular”, – ka dëshmuar Arben Frroku. Ndërkohë, i ka cilësuar si të pavërteta dhe sajesë thëniet e dëshmitarit, i cili është marrë në mbrojtje nga ana e Prokurorisë. Arben Frroku është pyetur edhe në lidhje me intervistën e dhënë në televizionin “ABC News”, pak ditë nga arrestimi në qelinë në Selanik. Një kopje e kësaj interviste është e depozituar në Prokurori.
Shisnin 2 herë apartamente, procedim penal 2 personave
Mashtruan qytetarët duke u premtuar apartamente, të cilat më pas ua shisnin personave të tretë. Policia e Tiranës ka çuar për ndjeke penale dy shtetas nën akuzën e mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, njëri prej tyre është administrator i një firme ndërtimi. Bëhet fjalë për shtetasin A. Sherifi, i cili i mori 90 mijë euro një klienti dhe apartamentin ia shiti dikujt tjetër. Klienti I. Bajollari e ka paditur, pasi pretendon se nëpërmjet mashtrimit Sherifi i ka premtuar se do t’i shiste një apartament banimi dhe një dyqan në pallatin që po ndërtonte dhe më pas i ka marrë shumën e parave prej 90.000 eurosh, duke ia shitur një shtetasi tjetër, por kjo nuk ishte hera e parë. “Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se shtetasi A. Sherifi të njëjtën vepër penale e ka kryer edhe me disa qytetarë të tjerë, të cilëve dyshohet se u ka marrë para, duke u premtuar kontrata shitjeje dhe u ka shitur më pas personave të tretë”, – thuhet në njoftimin e policisë. Nga verifikimet u konkludua se kontratat fillestare janë lidhur në muajin tetor 2010 dhe janë rishitur në muajet maj-qershor të vitit 2013. Dosja e Sherifit po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për konsumim të veprës penale të mashtrimit. Ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit B. Kazhani, i cili i ka marrë një shumë lekësh një shtetaseje, duke i shitur apartamentin pa hipotekë. Në ngarkim të Kazhanit është depozituar një kallëzim penal nga një shtetase, e cila deklaron se Kazhani i ka shitur një apartament banimi në vitin 2010, për të cilin i ka marrë shumën prej 4.600.000 lekë. “Në momentin që do të bëhej hipotekimi i banesës, do të likuidohej dhe një shumë prej 400.000 lekësh, ndërkohë që shtetasi B. Kazhani e ka bërë hipotekimin e banesës në emrin e tij dhe nuk ia ka kaluar hipotekën shtetases E. B., por e ka shitur banesën një personi tjetër kundrejt një vlere më të lartë”, – pjesë e padisë.
Kavajë, tenton të vrasë veten, plagos policin
Shoqëroi një të ndaluar në komisariat, i cili tentoi të vetëvritej dhe plagosi policin. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në komisariatin e Kavajës. Uniformat blu bëjnë me dije se i plagosuri është efektivi i policisë Xhemal Palku, i cili është transportuar me urgjencë për kurim në spitalin e Durrësit dhe ndodhet në reanimacion. Sipas bluzave të bardha, punonjësi i policisë ka një plagë shpuese në zonën e kofshës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas kurimit, efektivi Palku ka rrëfyer ngjarjen për median. Ai tregon se ka shoqëruar një person në komisariat dhe është qëlluar nga i ndaluari. “Shoqërova një person në komisariatin e Kavajës. Gjatë kontrollit i gjetëm një pistoletë pa leje, por i ndaluari kishte pasur edhe një armë tjetër të fshehur. Ai nxori pistoletën e dytë dhe më qëlloi në kofshë”. Policia bën me dije se autor i plagosjes së efektivit të policisë është Nazim Bufi. I ndaluari kishte me vete dy pistoleta, sqarojnë blutë. Gjatë kontrollit iu sekuestrua njëra nga armët, ndërsa tjetrën të cilën e mbante fshehur, ai e ka nxjerrë dhe ia ka drejtuar vetes. Efektivi i policisë Xhemal Plaku ka ndërhyrë për të ndaluar Bufin të vriste veten dhe për pasojë ka marrë një plumb në kofshë.




