Votohen në Kuvend / Miratohet paketa fiskale dhe buxheti, rrëzohen 39 amendamentet e opozitës

Florenc Drizari

Projektbuxheti i 2014-ës votohet me 82 vota pro nga mazhoranca dhe 27 vota kundër nga opozita

 

shqiperi-kuvendi-01_958184Kuvendi i Shqipërisë miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2014” dhe paktën e ligjeve financiare të lidhura me të. Me 82 vota pro nga radhët e koalicionit të majtë dhe 27 vota kundër nga opozita, shumica parlamentare i hapi rrugë projektit financiar dhe paketës së re fiskale për vitin e ardhshëm.

Gjithashtu, me shumicë të thjeshtë votash, në Kuvendin e Shqipërisë u rrëzuan edhe 39 amendamentet e opozitës. Propozimet e demokratëve u paraqitën si një alternativë në seancë plenare për nismat e qeverisë në fushën financiare.

Deputetët diskutuan nen për nen për të gjitha projektligjet e paketës fiskale dhe amendamentet përkatëse të paraqitura nga grupet dhe komisionet parlamentare. Vetëm grupi parlamentar i Partisë Demokratike kishte depozituar 39 amendamente për secilin nga projektligjet e paketës fiskale, si dhe për projektbuxhetin për vitin 2014. Amendamentet e tyre u propozuan nga ish-ministrat e qeverisjes së djathtë si dhe nga deputetë të tjerë të Partisë Demokratike, ndërkohë që përfaqësues nga Këshilli i Ministrave replikuan duke i quajtur ato të papërshtatshme për t’u votuar.

Diskutimet lidhur me çështjen e amendamenteve të opozitës sollën përplasje mes palëve edhe për sa i përket zbatimit të rregullores së Kuvendit. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, theksoi se amendamentet e PD-së janë dorëzuar në përputhje me rregulloren.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha se në 23 vjet jetë parlamentare në Shqipëri, asnjëherë nuk është diskutuar për një kohë kaq të gjatë projektbuxheti. “Është herë e parë që Parlamenti shqiptar dhe publiku ka dëgjuar 26 orë. Për buxhetin si në tërësi dhe nen për nen ka mendime të posaçme në rregullore. Neni që i referohen kolegët i referohen për votimin, jo diskutimit. Askush nuk ju mohon të drejtën të propozoni ju i keni bërë propozimet. Lexoj këto kur ke qenë spikere e parlamentit”, – theksoi Ruçi. Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se 39 amendamentet e opozitës nuk mund t’u nënshtrohen diskutimeve në secilin prej tyre, por pas debateve u vendos që deputetët e PD-së të merrnin fjalën për çdo amendament.

Në tërësi Kuvendi i Shqipërisë miratoi me shumicë votash projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”; projektligjin “Për taksat kombëtare”, projektligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, projektligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, projektligjin “Për sistemin e taksave vendore”, projektligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, projektligjin “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim)”, si dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”.

Në përfundim të debatit, Kuvendi miratoi nen për nen dhe në tërësi edhe projektligjin “Për buxhetin e vitit 2014”. Ky projektligj dhe paketa e re fiskale hyjnë në fuqi menjëherë.

Seanca vijoi punimet me miratimin e projektvendimit “Për disa shtesa në vendimin nr. 48/2013 “Për caktimin e përbërjes së Komisioneve të Përhershme të Kuvendit” të ndryshuar. Sipas këtij vendimi deputeti Luan Duzha caktohet anëtar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, deputetja Kejdi Mehmetaj caktohet anëtare në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ndërsa deputetet Silva Caka dhe Miranda Rira caktohen anëtare në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Një tjetër projektvendim që u miratua në seancën e djeshme plenare ishte ai “Për përcaktimin e masës së përfitimit financiar mujor për shërbimin e transportit të deputetëve”.

 

 

LSI tërhiqet për amendametin për fasonët, përplaset me PD-në

PS-LSI, pakt për fasonët, premtojnë ndryshime të reja brenda muajit maj

 

Lëvizja Socialiste për Integrim pezullon amendamentin për mbajtjen e tatimit mbi të ardhurat në nivelin 10 për qind. Gjatë seancë së djeshme plenare kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, tha se është rënë dakord që ky amendament të mos i nënshtrohet procedurës së votimit, meqenëse qeveria ka dhënë garanci për një shqyrtim serioz dhe shterues të të gjithë problematikës komplekse me të cilën përballet biznesi fason.

“Qeveria, pas një diskutimi dhe negocimi të gjatë, dha të gjitha garancitë e saj për një impenjim të plotë dhe për një trajtim të një pakete integrale të çështjes së biznesit fason, paketë e cila do të përgatitet pas një konsultimi intensiv me përfaqësuesit e biznesit për të shqyrtuar problematikat specifike, duke nisur nga barra fiskale, por dhe nga elementë që kanë të bëjnë me subvencionet e çështje të tjera”, – tha Vasili.

Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i ish-kryeministrit Berisha, i cili e konsideroi këtë qëndrim të LSI-së, si një tërheqje e diktuar nga kryeministri Rama.

“Ne e kishim të gatshëm amendamentin dhe meqenëse ju avancuat ne u bashkëngjitëm pa asnjë kompleks, me interesin më të mirë të atyre bizneseve. Tani, del qartë se parlamenti nuk është më Meta-Rama, por është Rama-Meta, është diktati tiranik i ekzekutivit mbi këtë tempull që sjell ndryshim katasrofal të pozicionit të LSI në raport me fasonët. Ju lutem PD grupi deputet e mbështetëm publikisht. Ne nuk paraqitem amendamentin tonë sepse mbështetem tuajat, tani duhet të mbrojmë propozimin tonë”, – deklaroi Berisha.

 

 

Katër deputetë të rinj betohen në Kuvend

Në hapje të seancës së djeshme plenare, katër deputetë të rinj bënë betimin sipas formulës së betimit që u lexua nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Deputetët e rinj Esmeralda Shkjau, Blerina Gjylameti, Mejreme Delishi dhe Dashamir Kamberi zëvendësojnë ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të cilët paraqitën para pak ditësh dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Këshilli për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin u mblodh më herët për të shqyrtuar vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe konkludoi se mandati i deputetëve të rinj është i vlefshëm.

 

Mazhoranca bie në 68 vota

Shumica parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë shënoi dje numrin më të ulët të votave që prej marrjes së pushtetit në mesin e shtatorit të këtij viti. Koalicioni i majtë PS-LSI, gjatë votimeve të djeshme të projektligjeve për paketën fiskale të qeverisë si dhe të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2014, rezultoi në një votim me 68 vota, ndërkohë që shumica e nevojshme për të kaluar çdo projektligj është 70 plus një votë, nga 140 vende që ka Kuvendi. Edhe pse ky votim u shënua gjatë rrëzimit të një amendamenti të opozitës lidhur me çështjen e taksave, kjo nuk bëri që koalicionit t’i rrezikohej çështja e kuorumit të votave të nevojshme për të miratuar të tjera vendime lidhur me paketën fiskale të qeverisë dhe projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër edhe opozita pati raste që votoi me 17 vota kundër vendimeve të mazhorancës, një tjetër rënie numrash e pa shënuar më parë në këtë sesion parlamentar. Votimi i disa ligjeve dhe i amendamenteve në seancën e fundit plenare për 2013-ën me një numër të pakët votash, shpjegohet edhe me faktin se seanca e djeshme zgjati për rreth 7 orë dhe deputetët dilnin shpesh herë për të pushuar në hollin e Kuvendit. Kjo nuk përbënte rrezik për mungesën e marrjes së një vendimi për faktin se mazhoranca e ka ruajtur shumicën për gjatë gjithë kohës në seancë. Aktualisht dy koalicionet që përbëjnë Kuvendin e Shqipërisë kryesohen nga e majta me 85 vende dhe e djathta me 44 vende. Nard Ndoka është i vetmi deputet i pavarur i Kuvendit të Shqipërisë, edhe pse në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin qendror u zgjodh nga lista shumemërore e Partisë Demokratike. Gjatë vendimeve të marra në Kuvendin e Shqipërisë, vota e tij ka qenë pro opozitës. sipas rezultateve të dala nga zgjedhjet e 23 qershorit, koalicioni i majtë mori 83 vende në Kuvendin e Shqipërisë, por pas kalimit të deputetit Gjovalin Kadeli në radhët e socialistëve dhe të deputetit të PR-së Luan Duzha drejt LSI-së, e majta fitoi shumicën e cilësuar në Kuvend përtej 84 votave.

Share it :