Vokshi: Edi Rama po ndryshon ligjin për t’i dhënë vetes imunitet, kërkon të mbrojë veten e tij!
Deputetja e PD, Albana Vokshi, gjatë fjalës së saj në Kuvend deklaroi se, rezoluta në diskutim ishte mbi 90% kontribut i forcës së saj politike, duke theksuar se ky është rezultati kur opozita përfshihet dhe nuk përjashtohet.
Në qendër të kritikave ishte raporti vjetor i Këshillit të Ministrave, i cilësuar si “i përciptë, i dobët dhe që nuk informon publikun”. Sipas deputetes, ky raport nuk adreson asnjë nga problematikat reale me të cilat përballet vendi, problematika të cilat, sipas saj, ngrihen vazhdimisht nga organizmat ndërkombëtarë.
Vokshi tha se, në Shqipëri pushtetet janë të përqendruara në një dorë, me median, shoqërinë civile dhe drejtësinë nën kontroll. Ajo theksoi se zgjedhjet e fundit u karakterizuan nga shkrirja e partisë me shtetin, keqpërdorimi i burimeve administrative, blerja e votës dhe influenca e bandave kriminale.
Albana Vokshi: Duhet të them që ky variant, kjo rezolutë, draft rezolutë që po diskutohet dhe uroj të miratohet në fund të kësaj seance, është mbi 90% kontribut i opozitës. Ja ç’do të thotë kur opozita nuk përjashtohet, kur opozita nuk refuzohet, kur opozita lejohet që të marri pjesë në procese, kur opozitës i jepet vendi, i merret mendimi, i lejohet kontributi dhe arrihet në rezoluta të cilat unë gjykoj që janë në formë shumë serioze dhe përmendin të gjitha problematikat, të cilat në fakt, raporti vjetor i Këshillit të Ministrave nuk i prek. Dhe unë mendoj që kjo është arritja e rezolutës.
Ne kemi dalë përtej raportit që ka sjellë Këshilli i Ministrave, i cili nuk jep asnjë përgjigje për asnjë çështje, për asnjë shqetësim të ngritur në të gjitha raportet e fundit të të gjitha organizmave ndërkombëtarë. Dhe së fundmi, edhe raporti i miratuar në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili ka ngritur shqetësime konkrete dhe ka vënë edhe alarmin madje në disa prej çështjeve shumë sensitive, të cilat i prek edhe rezoluta. Ajo që unë dua t’i referohem, sepse rezoluta bazohet mbi raportin, mbi raportin e sjellë.
Raporti është, për mua, ndër më të përciptit dhe raportet më të dobta ndonjëherë. Nuk i jep përgjigje asnjë çështjeje dhe nuk informon publikun. Dhe kjo është edhe arsyeja që juve të gjithë procesin e mbani sekret. Ja vura në dukje edhe kryenegociatores, kur u paraqit në komision, meqënëse sot ka refuzuar që të jetë e pranishme dhe e përsëris që ajo duhet të ishte sot këtu për t’ju dhënë përgjigje të gjitha shqetësimeve të të gjithë deputetëve.
Edi Rama nuk duhet të flasi serbisht, por duhet të flasi shqip. Duhet të ishte sot këtu. Nuk mund të krijojë axhenda më vete integrimi, por duhet të jetë këtu, të flasi për raportin dhe t’i japë përgjigje pse Shqipëria sot është shumë më keq se Mali i Zi. Dhe Mali i Zi shumë shpejt do mbylli të gjithë kapitujt, ka krijuar edhe grupin negociator dhe do hyjë shumë më parë se Shqipëria në familjen europiane.
Është një proces pra që po e mbani sekret, hermetik. Nuk ka asgjë të publikuar. Pse? Pse nuk publikohen kushtet? Çfarë sekreti mbani? Pse nuk duhet ta dinë qytetarët? Madje, ju kërkohen dhe certifikata sigurie personave që bëjnë negociatat. A e keni dëgjuar ndonjëherë që të marrin certifikatë sigurie kur TIMS-i, AKSHI, të gjitha sistemet janë duart e krimit të organizuar? Ku kontrollohen nga krimi i organizuar? Pse duhet të jetë hermetik procesi i integrimit?
E përmendën dhe kolegët, hera e parë që raportohet për integrimin, për një proces që duhet të jetë në fakt në përditshmërinë e çdo komisioni parlamentar, në përditshmërinë e aktivitetit parlamentar. Realiteti që keni dëshmuar në raport, në fakt është krejt i, ajo që keni dëshmuar në raport është në fakt krejt i ndryshëm nga realiteti. Duket sikur flitet për dy vende të ndryshme.
Nuk është dhënë asnjë përgjigje në raport pse “V-Dem Institute”, mbas raportit final të ODIHR-it, e konsideron Shqipërinë autokraci elektorale. Ku të gjitha pushtetet përqëndrohen në një dorë. Ku media është e kontrolluar, ku shoqëria civile është e kontrolluar, ku drejtësia është e kontrolluar. Pretendohet që bëhen zgjedhje, po në fakt zgjedhjet dhunohen, opozita shantazhohet, persekutohet, arrestohet, burgoset.
E thonë qartë të gjitha raportet, por raporti i Këshillit të Ministrave nuk thotë asgjë. Edhe Komisioni Europian, edhe AFETI së fundmi ka thënë që po, kemi ligje, kemi legjislacionin që lejon zgjedhje të lira, por zgjedhjet në fakt nuk kanë qenë të lira. Strukturat partiake janë bërë njësh me strukturat shtetërore. Partia shtet i dhunoi zgjedhjet. Partia shtet i shantazhoi qytetarët. U keqpërdorën masivisht burimet administrative.
Vota u ble dhe pati dhe influencë të bandave kriminale. Por raporti nuk thotë asgjë për këtë. Dhe në sajë të propozimit të opozitës, kjo është adresuar. Është adresuar qoftë në pjesën e Kuvendit, detyrave të Kuvendit, por edhe kërkesave për qeverinë. Është të intensifikohet ritmi i reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira.
E thotë rezoluta. Po a do i përmbaheni ju rezolutës të cilën po e miratojmë sot? Shpresoj që po, që të mos mbetet vetëm në letër. Të gjitha këto duhen bërë plan pune. Asgjë nuk thotë raporti i Këshillit të Ministrave për indeksin e perceptimit të korrupsionit. 11 vende kemi rënë në vetëm një vit. Ka ngritur alarmin AFETI. Korrupsioni thotë është çështje madhore, i shpërndarë kudo, në të gjitha nivelet. Asgjë nuk thotë raporti.
Nuk flet raporti as për shqetësimin madje që ka ngritur po AFETI, që ka folur jo vetëm për korrupsionin si shqetësim madhor, por ka folur edhe për atë që super-imunitetin, të cilin na e kanë propozuar kryetari i grupit, kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe kryeministri dora vetë. Super-imuniteti për të mbrojtur korrupsionin jo të lindave të tij, jo. Korrupsionin e tij. Edi Rama me ndryshimet e nenit 242 kërkon të mbrojë veten e tij, askënd tjetër…




