Vlerësohet masa e arrestit Gjykata lë në burg Xhelal Mziun, deklarimi: Jam i pafajshëm

Sonja Caka

 

Avokati kërkon të lirohet, pasi nuk ka vepër penale. Dhjetëra banorë dhe familjarë të Mziut ndjekin nga jashtë seancën dhe protestojnë

xhelal mziu me prangaXhelal Mziu do të qëndrojë në burg deri në zbardhjen e plotë të hetimeve, pavarësisht nga kontestimet e akuzës nga avokati i tij që kërkoi lirimin nga paraburgimi, duke deklaruar se për klientin e tij nuk ka vepër penale. Seanca e masës së arrestit është ndjekur në largësi nga mbështetës të shumtë të tij dhe familjarët, pasi me vendim të Gjykatës u zhvillua me dyer të mbyllura. Pavarësisht se me pranga në duar dhe me vendimin për të qëndruar në burg, kryebashkiaku i Kamzës ka përshëndetur me dy gishta mbështetësit e shumtë që kishin ardhur për t’iu gjendur pranë në këto momente të vështira. Me këto brohoritje dhe thirrje poshtë qeverisë, banorët e Kamzës u larguan të qetë nga Gjykata, ku forcat e policisë, nën masa të rrepta sigurie, vëzhgonin situatën e tensionuar. Të kontaktuar jashtë mjediseve të Gjykatës, asnjë nga banorët nuk preferoi të fliste për akuzat e ngritura kundër kryetarit të tyre. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur në përfundim të seancës edhe avokati i tij, Genc Gjokutaj, i cili u largua pa dhënë ndonjë koment për arrestimin e klientit të tij.

 

Seanca

Seanca gjyqësore ndaj kryetarit Mziu është zhvilluar me dyer të mbyllura me vendim të gjyqtares Marinela Osmani, ku për më tepër se një orë, palët paraqitën pretendimet e tyre. Para togave të zeza, Xhelal Mziu e cilësoi vetën të pafajshëm, duke këmbëngulur se procedurat e tenderimit kanë qenë të rregullta dhe të bazuara në ligj, pasi kompania kallëzuese nuk plotësonte kriteret e parashikuara me ligj. Ai i kujtoi gjyqtares dhe prokurores se Bashkia e Kamzës është kontrolluar nga KLSH-ja dhe institucionet e tjera dhe asnjëherë nuk janë gjetur shkelje, duke i cilësuar akuzat e Prokurorisë si të njëanshme. Edhe avokati kishte të njëjtin qëndrim, duke pretenduar se nuk ka vepër penale për kryetarin e Bashkisë, pasi çështja është administrative dhe jo penale.

 

Akuza

 Prokuroria mësohet se ka bashkuar edhe dy dosje të tjera penale ndaj Mziut, që ndodheshin në hetim pranë organit të akuzës. Sipas Prokurorisë, Mziu dyshohet se ka konsumuar vepër penale, duke u vendosur gjoba tatimore disa bizneseve në zonën e Kamzës, si dhe dosjen e mbylljes së stadiumit në Kamëz dhe hapjen e një grope mes stadiumit. Sipas Prokurorisë, kryetari i Bashkisë së Kamzës ka shkelur barazinë në tendera, duke kualifikuar si fituese një firmë për ndërtimin e rrugës Valias – Laknas, në kundërshtim me rezultatet e tenderit. Prokurorja Antoneta Sevdari paraqiti si prova edhe taksat e vendosura në mënyrë abuzive nga kjo Bashki ndaj dy kompanive, të përsëritura të paktën 10 herë, por edhe pse kishte pasur një vendim gjykate, që e kishte konsideruar taksën si të paligjshme, Bashkia e ka vijuar të aplikojë atë në dëm të kompanive “Alba Via” dhe “Gjoka”.

 

Prokuroria: Roli i drejtorit Juridik, Hoti

 Atli Hoti hartoi kontratën për firmën “Everest”, duke qenë në dijeni të shkresës së Agjencisë së Prokurimit Publik, që shpallte si firmë fituese “Gjoka Konstruksion”. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se drejtori i Departamentit Juridik është personi përgjegjës që ka hartuar kontratën për nisjen e punimeve nga ana e firmës “Everest” sh.p.k. “Urdhri është dhënë nga vetë kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Mësohet se Atli Hoti, i shpallur në kërkim nga ana e policisë, duhet të lëshonte vërtetimin ligjor që t’i lejonte firmës “Gjoka Konstruksion” pjesëmarrjen në tender”, – bëjnë me dije burime nga akuza. Sipas të njëjtave burime, sërish i urdhëruar nga vetë Mziu, ky dokument nuk i është dhënë firmës, duke u bërë shkas për skualifikimin nga tenderi. Ndonëse në dijeni të paligjshmërive, Atli Hoti ka shpërdoruar detyrën, duke përgatitur bazën ligjore, që i jepte aksesin firmës “Everest” sh.p.k. për nisjen e punimeve në aksin rrugor Valias i Ri – Laknas. Në ngarkim të drejtorit të Departamentit Juridik Atli Hoti rëndojnë akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa blutë janë vënë në ndjekje të tij pas vendimit të Gjykatës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.

 

 

Dervishi: Vendimi do të apelohet, rruga do të rindërtohet

 Zëvendëskryetari i Bashkisë së Kamzës, Artan Dervishi, sqaron çështjen e tenderimit dhe ndërtimit të rrugës Laknas – Valias i Ri. Dervishi është shprehur për televizionin “News 24” se ndërtimi i këtij segmenti rrugor është ndërprerë, pasi është nën hetim. Dervishi sqaron se firmat konkurruese janë skualifikuar, pasi janë konstatuar mangësi. Zëvendëskryetari i Bashkisë sqaron se me firmën e dytë, e cila pretendohet se kishte nisur punimet, nuk ka asnjë kontratë. “Ne si institucion vazhdojmë të ushtrojmë të gjitha funksionet dhe detyrat që t’i shërbejmë qytetarit dhe komunitetit të Bashkisë Kamëz në nevojat e tyre në vazhdimësi, duke ruajtur ligjshmërinë e zbatimit konform ligjit. Do të theksoja se kryetari i Bashkisë vazhdon të ketë një proces gjyqësor, i cili do të vijojë me apelimin për të drejtën e pafajësisë. Për këtë shprehemi, pasi ai vazhdon të jetë i pafajshëm për atë që gjykohet. Ne jemi në pritje të marrjes së një vendimi nga ana e Gjykatës se Apelit dhe do të shikojmë në vijueshmëri çështjet e tjera ligjore. Proceset e tjera që kanë të bëjnë me autoritetet që janë në duar të drejtësisë, themi që shumë shpejt drejtësia do të vendosë fjalën e vet në vend”, – shprehet Dervishi.

 

Shkodër

 Manipulimi në zgjedhje, lihet në fuqi vendimi i komisionerëve

 Gjykata e Apelit në qytetin e Shkodrës ka lënë në fuqi vendimin për komisionerët e Komunës Dajç. Gjykata e Shkallës së Parë dënoi me burg 8 komisionerët. Sipas vendimit të Gjykatës, 7 nga komisionerët u dënuan me 8 muaj burg, ndërsa njëri prej tyre me 4 muaj. Komisionerët u paditën nga ish-kreu i Komunës Rrok Rroku. Sipas vendimit të Gjykatës, 8 komisionerët akuzohen se kanë falsifikuar nënshkrimet e votuesve dhe numrat e kartave të identitetit apo pasaportave, të cilët ditën e zgjedhjeve ndodheshin jashtë vendit.

 

 

Korçë

 Apeli lë në burg ish-drejtorin e Kufirit, Zyberi

 Gjykata e Apelit ka lënë në burg ish-drejtorin e Kufirit dhe Migracionit në Korçë, Ylber Zyberi. Ish-drejtori Zyberi ka folur në sallën e gjyqit, duke i cilësuar akuzat si një sajesë. Ai ka mohuar që të ketë lidhje me kontrabandën dhe ka akuzuar si të implikuar policinë, duke theksuar se ka kërkuar ndihmën e policisë së Korçës dhe e ka informuar lidhur me vendin ku bëhej kontrabanda, por kjo strukturë ka neglizhuar, pavarësisht se ka qenë në dijeni të gjithçkaje. Pavarësisht nga deklaratat e Zyberit, Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në burg ish-drejtorin e Kufirit, i cili u arrestua pak javë më parë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kontrabandës.

 

Share it :