Regjisorja italiane Luara Bispuri ka realizuar mbi një histori shqiptare një nga filmat më tërheqës, vlerësuar me çmime ndërkombëtare, duke marrë vëmendjen nga kritika evropiane për fenomenin e virgjëreshave shqiptare të betuara, bazuar në skenarin e Elvira Dones. Një film i pastër, që jep një pamje të plotë të psikës së personazhit, një produksion i kuruar ekstremisht, drejt një situate të pastër të fenomenit me kontradiktat dhe keqkuptimet
Jashtë është qetësi, gjithçka e bardhë borë, ndërsa brenda mizerje. Pas kësaj nis jeta normale te filmi “Burrneshat” që pati projeksionin e parë në kinemanë shqiptare, pasi ka bërë xhiron e vlerësuar në festivale ndërkombëtare. Me regji të Laura Bispurit ky është një produksion Era Film, në Kosovë dhe Shqipëri si dhe me disa kompani të rëndësishme evropiane.
Kamera shkon në natyrën shqiptare, mes maleve të ashpra dhe një romantizmi të zymtë. Deri tani “Burrneshat” është projektuar në ekrane jashtë dhe perceptimi i lëndës, historia ka krijuar një tronditje tek kritika. Ndërsa si e shohim ne, shqiptarët nga brenda, e sidomos ata që kanë jetuar me këtë pjesë të historisë, pamjet janë normale: një bashkëjetesë morale dhe fizike e panatyrshme pa marrë asnjë dialog. Por kur ngjarjet zhvendosen nga veriu shqiptar drejt Italisë – filmi shpërthen, nisin trazimet dhe kontradiktat janë krejt të dukshme. Bispuri si rrallë regjisore ka bërë një kurim ekstrem të filmit, si duket e kursyer për të mos gabuar mbi lëndën dhe fenomenin e virgjëreshave shqiptare. Edhe në qëndrimin e saj në Tiranë, dje, Bispuri ka treguar se për të arritur në një qartësi mbi një fenomen kaq të koklavitur si virgjëreshat shqiptare i është dashur të lexojë e t’i referohet jo vetëm librit bazik ku mbështetet skenari i Elvira Donesit, por një literature të pasur tashmë mbi këto histori.
Në rolin kryesor luan aktorja Italiane Alba Rohrwacher e cila në katër festivalet e fundit në Venecia ka fituar tri herë si aktorja më e mirë dhe në karrierën e saj numëron mbi 20 çmime të rëndësishme ndërkombëtare.
Kjo aktore ishte Hana, pas betimit Marku. S’kishte fjalë ky rrëfim. Gjithë drama izolohej në fytyrën e Markut, virgjëresha e veriut. Ngjarjet shkojnë paralel, retro dhe e tashmja. Vajza dhe Burrnesha. Fillimisht të ndara, njëra e zbuluar, tjetra e fshehur. Me këtë personazh, pas shumë të tillave që njeh veriu i Shqipërisë, Bispuri thotë se të gjitha donte t’i përfaqësonte me Hanën. Prandaj, një pozicion i vështirë për këtë aktore për të pleksuar e shhkompleksuar edhe vetveten dhe gjithë historinë e një fenomeni.
Një rrëfim i thjeshtë, i pastër në psikën e historisë dhe regji. Momente që regjisorja himnizon botën femërore, si gjendet brenda saj përbindshëm potenciali njerëzor.
Dy vajza të vogla që trazojnë jetën e një fshati të thellë verior shndërrohen në një dramë. Hana dhe Lila (në rol Flonja Kodheli), dy “motra” që i bashkon fati i besës. Hana 12-vjeçarja që priret të shohë atë kodër të mbuluar me dëborë, në stinë dimri si një djalosh, si një vajzë që rebelohet e diktuar nga tradita burrërore. Lë gjurmë ky kod, deri në çastin fatal të heqë dorë prej vajzërisë, për t’u bërë një njeri tjetër! Burrë! Ky është një nga debatet e mëdha për virgjëreshat shqiptare, si një botë ekzotike e panjohur deri më tani, izoluar maleve shqiptare. Keqkuptimet dhe kontradiktat e këtij zakoni kanunor shqiptar nuk e kanë lënë pa trazime edhe filmin e Bispurit, gjurmë të pasigurisë zbuluar si dobësi në film. Megjithatë, siç pohon regjisorja, këto vijnë në funksion të kësaj çështjjee, nëse “burrneshat” shqiptare janë devijim seksual apo sa qëndron i fortë fenomeni kanunor?! Regjisorja italiane është krejt e qartë dhe sjell një ngjarje pa ekuivoke, pa hapësira interpretimi a debate. Kjo, si duket, falë pune sqaruese, të hollësishme qoftë si etnos kanunor.
Hana apo Mark vjen një moment që duhet të ndjekë gjurmët e “fatit”, të ikë nga vendi i saj, bashkë me dramën e “burrneshës”, pa transformuar asgjë nga këto ligje kanunore.
Një portret totalisht i ngurtësuar brenda këtij ligji, duke sjellë paralelen e vajzës çapkëne që në heshtje nuk ka pranuar të drejtat kanunore të ndaluara, një moment që shënon lindjen e instinktit, rebelimit për t’u bërë “burrë”.
Drejt Italisë ngjarjet ndryshojnë, ndonëse nuk ka befasi regjisoriale, filmi realizon historinë e jep përsosmërisht atë. Marku në këtë vend del nga habitati i tij, ashtu si i kishte ndodhur në retrospektivë, po tani pa kanun.
Ngjarjet kthehen kur bëhet burrneshë, duke i kujtuar betimin: jep besën mos me dashtë njeri!
Një marrëdhënie femërore e rrallë brenda familjes së veriut, ku nëna (në rol aktorja Ilire Çelaj) reflektuar në psikologjinë e qëndresës dhe forcës që ka prej natyre njeriu.
Por betimi i inkurajon të gjitha: ashtu si Zoti e ka krijuar, ashtu do të rrijë! Ishte betimi i Hanës që u bë Mark, para burrave të vendit. Por kur zbret në Itali, në një botë ekstreme, mbushur me njerëz që nuk janë në rendin e duhur, aty kupton tjetër liri. Jo lirinë e fluturimit të vetmuar si në alpe, por lirinë e brendshme, atë shpirtërore. Atëherë mendon se femrat janë më të lira nga ç’mund të mendohet! Marku heq fashat nga gjinjtë dhe Hana sheh për herë të parë trupin e saj. Vathët në vesh janë shenjë e thjeshtë e kësaj lirie. Në fakt, regjisorja Bispuri ka thënë dje se tek kjo liri është pikëtakimi i saj me filmin dhe botën femërore.
- Murati
Kolonë anash
Dy konkurrentë shqiptarë, në garë me yjet e rinj të operas botërore
Vetëm pak ditë na ndajë në edicioni i 15-të i Festivali Ndërkombëtar “Marie Kraja”, i cili pa frikë mund të cilësohet si gara e yjeve të rinj të muzikës operistike botërore. Nga 172 konkurrentë nga e gjithë bota që kanë konkurruar në fazën e parë, juritë ndërkombëtare në Milano, Vjenë, Bruksel dhe Tiranë, kanë përzgjedhur vetëm 13 pjesëmarrës që do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në datat 30 dhe 31 tetor në orën 19.00. Mes konkurrentëve të përzgjedhur nga të katërt kontinentet, për këtë vit dy janë këngëtarët që do të përfaqësojnë Shqipërinë. Por cilët janë dy konkurrentët shqiptarë, në garë me yjet e rinj të operas botërore?
Konkurrentët nga Shqipëria
Armando Likaj është baritoni nga qyteti i Shkodrës. Solist në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Vetëm në 5 vitet e fundit, karriera e tij ka pasur një hov të jashtëzakonshëm, duke numëruar rreth 42 role në Opera dhe shumë koncerte të realizuara jashtë Shqipërisë, si në Itali, Kosovë, Mal i Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Belgjikë, Zvicër, Austri, Finlandë etj. Ajo që e motivon dhe e shtyn Armandon që të konkurrojë dhe të ngjitet në skenën e “Marie Krajës” në edicionin e 15-të, është se në këtë Festival ai shikon një mundësi të shkëlqyer për t’ia prezantuar suksesin e tij, botës. Kjo falë jurisë prestigjioze, e cila nuk ka vetëm qëllimin për të përzgjedhur më të mirët në kompeticion, por prania e personaliteteve dhe drejtuesve të operave më të mëdha dhe të njohura evropiane dhe botërore, përkthehet nga pjesëmarrësit si një mundësi e radhë e firmosjes së kontratave për role në skenat internacionale. Kjo mundësi, është sigurisht edhe më e vyer për konkurrentët nga Shqipëria, të cilët e kanë të vështirë të jetë pjesë e kompeticioneve të tjera botërore. Kjo gjë e shtyn dhe Armando Likajn të japë maksimumin në garën e këtij viti. “Është një mundësi e shkëlqyer për të më shtyrë me forcë dhe me shpejtësinë e shigjetës, drejt rrugëtimit të pandërprerë në rrugën e artit”, – thotë solisti i TKOB. Armando Likaj është një interpret që i ka treguar tashmë aftësitë e tij vokale dhe sfidon veten në një kompeticion ndërkombëtar.
Enkeleda Kamani: Me portretin e saj elegant dhe të fisëm, me një brishtësi fine që e karakterizon, sopranoja Enkeleda Kamani është një ndër modelet e sopranove në kohët moderne. Larg formave të bëshme, këngëtarja lirike nga Shqipëria, u afrohet gjithmonë e më shumë kërkesave të tregut operistik botëror, për interpretues me linja sa më elegante, por sigurisht të tregojnë potenciale absolute vokale. Dhe ky është dhe rasti i Enkeledës. E sapodiplomuar në Universitetin e Arteve për kanto lirike, rrugëtimi i saj për në “Marie Kraja” ndryshon nga ai i Armandos. Ajo sapo ka nisur hapat e parë drejt skenave të mëdha. Ka arritur të ngjitet në TKOB me role si Euridice dhe Susanna, duke fituar audicionet përkatëse, por për sa i përket skenës së Festivalit Ndërkombëtar ajo shprehet: “Kompeticione të tilla si “Marie Kraja” janë gjithnjë një ogur i mirë për artistët e rinj, sidomos kur vlerësohesh në mes të shumë këngëtarëve lirike që vijnë nga e gjithë bota, të cilët mund të kenë edhe me tepër eksperiencë”. Por gara për në këtë festival, nuk është vetëm një mundësi e mirë për t’u evidentuar, Enkeleda e shikon edhe si shans për të përballur me konkurrencën në nivele ndërkombëtare. E motivuar ajo ëndërron që nëpërmjet paraqitjes së saj, pse jo t’i jepet mundësi të prekë dhe skena si ajo Operas se Vjenës, Mynihut, Milanos, Stambollit, Athinës etj. Konkurrentët e huaj në edicionin e 15-të janë: Anna Stylianaki – Greqi, Anna Werle – Gjermani, Daniele Centra – Itali, Elizabeth Bailey – Angli, Emrah Sozer – Turqi, Federica Vitali – Itali, Hector Angel Garcia – Spanjë, Héloïse Koempgen Bramy – Francë, Maria Helienek – Austri, Timofey Kryukov – Rusi, Yauci Yanes Ortega – Spanjë.





