Video-konferenca Rama me ushtarakët në Afganistan: Krenarë për paqeruajtësit tanë

Gëzim Saliu

“Përmes jush mund të jemi krah për krah aleatëve dhe partnerëve tanë të mëdhenj”

 

Rama video konference me ushtaretKryeministri Edi Rama u uroi dje festat e fundvitit, nëpërmjet një video-konference në Ministrinë e Mbrojtjes, ushtarakëve shqiptarë me misionin paqeruajtës në Afganistan. “Është privilegj dhe nder i madh për mua që ky pozicion më jep mundësinë të komunikoj me ju dhe t’ju uroj sot nga zemra: Gëzuar Krishtlindjet! Gëzuar Vitin e Ri!”, – uroi Kryeministri. Gjatë bashkëbisedimit me ta, ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ushtarakë të lartë, si dhe fëmijë dhe familjarë të ushtarakëve që shërbejnë në Afganistan, Rama u shprehu mirënjohjen për atë çka ata bëjnë në emër të Shqipërisë dhe të paqes. “Është krenari që ne, një vend i vogël, përmes jush mund të jemi krah për krah aleatëve dhe partnerëve tanë të mëdhenj”, – theksoi kreu i qeverisë. Ndërkohë, në emër të kontingjenteve që drejtojnë, nënkolonel Ardian Beqaj, përfaqësuesi i lartë pranë Shtabit të ISAF, Kabul, nënkolonel Leonard Zhupa, komandanti i kontingjenti MAT, Kabul dhe major Pali Dakolli, komandanti i kontingjentit “Eagle -7” në Kandahar siguruan Kryeministrin se paqeruajtësit shqiptarë janë plotësisht të motivuar për përmbushjen me sukses dhe me nder të misionit. “Jam i bindur që deri ditën e fundit do të jeni të përqendruar në realizimin me sukses të misionit. Jam po ashtu i bindur se, krah për krah me aleatët dhe partnerët tanë të mëdhenj, ju do të merrni të gjithë atë eksperiencë të domosdoshme dhe shumë të nevojshme për ne, për FA këtu, që do të pasurojë më tutje eksperiencën tuaj të përbashkët me kolegët këtu dhe do të jetë një tjetër gur në murin e eksperiencës së Forcave të Armatosura”, – u shpreh Rama, ku uroi për festat e fundvitit edhe përfaqësuesit e ushtrisë amerikane dhe të vendeve aleate. Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli bëri të ditur besimin që qeveria dhe vendi ka tek ta, duke i garantuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj tyre dhe familjeve të tyre në Shqipëri. Në përfundim të bashkëbisedimit, Kryeministri Rama dhe ministrja Mbrojtjes shpërndanë për fëmijët e ushtarakëve paqeruajtës dhurata për festat e fundvitit.\

 

Takimi me biznesin

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm po ashtu dje në një mbrëmje gala të biznesit, ku u ndanë çmime për sipërmarrësit e vitit 2013. Në fjalën e tij, Rama ofroi mbështetje për sipërmarrjen, ndërsa theksoi rëndësinë e vlerësimit të çdo sipërmarrësi. “Nxitja e duhur në rrugën e sipërmarrjes, bëhet më e lehtë në rast se shoqëria i sheh, i njeh dhe i admiron njerëzit e suksesit përmes sipërmarrjes”,  tha Rama, ndërsa ndau çmimin për punëdhënësin më të mirë. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë theksoi se mbrëmje të tilla duhet të kthehen në ritual të përvitshëm. “Ne kemi shumë nga këto festivalet, por s’kemi asgjë që vlerëson sipërmarrësit dhe sipërmarrjen, dhe besoj si një hap i parë dhe një fillim modest, kjo mbrëmje i ka plotësuar dëshirat tona. Me siguri vitin e ardhshëm i kemi mundësitë që bashkë me ju ta organizojmë më mirë, ta kthejmë në traditë. Kur rezistoi Festivali i Këngës, unë besoj se kjo mund të rezistojë edhe në shumë qeveri”, u shpreh kryeministri i vendit.

 

 

Integrimi

Objektivi i qeverisë: Në qershor marrim statusin dhe datën e nisjes së negociatave

Qeveria parashikon që përmes përmbushjes së reformave si edhe përparimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar jo vetëm të marrë statusin e kandidat në BE në muajin qershor, por edhe të nisë fazën e parë të negociatave të zgjatura me Brukselin për anëtarësimin. Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, shprehu dje bindjen e tij se në muajin qershor, përveç statusit kandidat për në BE, Shqipëria do të ketë edhe një datë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkmin Evropian. “Statusi pati një hezitim dhe u kërkua më shumë kohë nga vende të veçanta të BE-së. Jam i sigurt se politika zyrtare e Holandës është pro zgjerimit. Është bërë një lobim i jashtëzakonshëm. Zoti Meta vetë ka ndërmarrë një tur shumë dinamik në Gjermani dhe Francë, pa llogaritur faktin që ministrja Gjosha dhe ministri Bushati lëvizën kancelari më kancelari për të shpjeguar reformat që Shqipëria ka bërë, por ne u futëm në një dimension dhe disa faktorë që ishin janë politikës shqiptare. Janë çështje të brendshme të BE-së, por qershori nuk është larg, jam i bindur se do ta marrim statusin kandidat. Kur ta marrin statusin në qershor, ne me shumë probabilitet do të kemi dhe një datë për hapjen e negociatave”, – u shpreh ministri Panariti në rubrikën “Opinion” në “News 24”.

 

 

Share it :