Anxhela Tato
Rrëfimi i shoqes së fakultetit: Tronditja e fortë për Irisin, ngelja në stazh, çdo provim e përjetonte keq
Policia në pritje të tabulateve dhe ekspertizës, askush nuk mund ta parandalonte vetëvrasjen e 22-vjeçares
“Do të hidhem, e kam vendosur”, – fjalët e fundit të 22-vjeçares pak minuta para se të vetëvritej. Burime nga policia kanë zbuluar bisedën e fundit telefonike të së resë. Mësohet se Iris Belba ka kontaktuar në telefon një person shumë të ngushtë për të, të cilit i ka thënë se do të hidhej pa i dhënë kurrfarë sqarimi. Komunikimi telefonik ka zgajtur shumë pak minuta dhe më pas është bërë publike lajmi i rëndë i vetëvrasjes së studentes. Rrethi i ngushtë shoqëror ka qenë në dijeni të faktin se vajza kishte luhatje emocionale dhe po kalonte një periudhë shumë të vështirë në jetën e saj. Vetë mamaja i ka kërkuar shoqërisë që të mos e linin kurrë vetëm Irisin, nga frika e ndonjë akti vetëvrasjeje. Por askush nuk ka mundur dot ta parandalojë, as personi i fundit që është kontaktuar nga e reja. Vajza i ka thënë vetëm se do të hidhej, pa i lënë mundësi që të fliste dhe ta ndalonte apo qetësonte 22-vjeçaren. Iris Belba ishte e vendosur që t’i jepte fund jetës, e cila ishte kthyer në një mision të pamundur. Ndonëse kujdesit maksimal të treguar nga familja dhe prindërit nuk e ka penguar Irisin që të merrte këtë vendim kaq të rëndë dhe drastik për jetën e saj. Vetëm 22 vjeçe përballë depresionit dhe problemeve të përditshmërisë jeta është treguar e pamëshirshme me Irisin, e cila i dha fund në formën më të tmerrshme. Ende nuk është e qarë se çfarë e ka stimuluar një 22-vjeçare të vetëflijohet, por nga ana e policisë po vijon hetimi. Ndërsa është kërkuar zbardhja e plotë të tabulateve të bisedave telefonike dhe sms-ve të shkëmbyera nga Irisit ditët e fundit për të kuptuar se çfarë problemesh dhe mendimesh gulçonin në kokën e 22-vjeçares. Ndihmë për policinë do të jetë edhe dëshmia e prindërve, të cilët e kanë të pamundur të flasin dhe t’i përgjigjen pyetjes, pasi gjendja e tyre është mjaft e rënduar. Ndërkohë që ekspertiza mjeko-ligjore do t’i jap fund edhe shumë aludimeve rreth gjendjes shëndetësore të së resë dhe problemeve të saj personale.
Rrethi shoqëror
Dy përshkrime të kundërta për Irisin, e cila me sa duket ka rënë “pre” e depresionit gjatë periudhës së studimeve në fakultet. Për rrethin shoqëror të gjimnazit “Flatra” në Fier, Irisi njihej si një vajzë mjaft e dashur dhe natyrë e gjallë. “Ajo ishte shumë vajzë inteligjente dhe studente me të gjitha 10. Ka marrë pjesë në shumë olimpiada dhe konkurse, ku dilte me rezultate maksimale. Irisi ishte një karakter shumë dinamik, e shkathët, e hedhur nga natyra dhe shumë e gjallë. Ajo nuk kishte probleme në familje, madje prindërit i kishte mjaft liberal. Familja e Irisit ishte në gjendje shumë të mirë ekonomike, duke iu plotësuar asaj çdo lloj kërkesë. Irisi ishte një vajzë shumë e bukur dhe nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjë histori dashurie përveçse pëlqimeve të adoleshencës. Pra ajo ishte një vajzë e kompletuar dhe nuk i mungonte asgjë. Por dua të them që kishte vetëm një problem, i përjetonte situatat dhe shqetësohej shumë shpejt, sidomos kur merrte ndonjë notë jo të mirë”, – tregon një nga shoqet e fëmijërisë M. B. Një rrëfim ndryshe vjen nga një prej shoqeve të grupit të Financës së 22-vjeçares. Ajo tregon se Irisi ishte mbyllur në vetvete dhe përjetonte negativisht çdo shqetësim sado i vogël të ishte. “Për Irisin goditja erdhi pas ngeljes në vit të dytë fakultet. Asaj iu mblodhën shumë provime që nuk i kishte marrë dhe mbeti në stazh, pra përsëritëse e vitit të dytë. Kaq mjaftoi që Irisi të shndërrohej në një person tjetër dhe të fillonin problemet e para emocionale. Madje ajo nuk përballonte më as provimet. Sa herë kishte provime fillonte të qante, bëhej keq, skuqej dhe e përballonte me shumë emocione. Irisi mbyllej dita ditës brenda vetes dhe e shikonte çdo gjë zi. Ne i qëndronim mjaft afër dhe ishte shumë e rëndë kjo ngjarje”, – shprehet e reja K. L.
Ceremonia mortore
Iris Belba është përcjellë për në banesën e fundit në vendlindje e saj në Fier. Të afërm, familjarë, miq dhe rrethi i saj i ngushtë shoqëror kanë udhëtuar nga kryeqyteti për në Fier, për t’i dhënë lamtumirën e fundit 22-vjeçares. Fillimisht dyert e mortit janë hapur në Tiranë në banesën e çiftit Belba, ku janë mbledhur personat më të afërt. Sipas përshkrimeve të të afërmve nëna e kishte veshur trupin e pajetë të 22-vjeçares me një fustan të bardhë nusërie, një peng që nuk do i plotësohet kurrë. Në heshtje automjetet janë nisur për në Fier. Gjatë gjithë kohës mamanë e së resë e mbanin fort prej krahësh të afërm të familjes, duke qenë se gjendja e saj shëndetësore ka qenë mjaft e rënduar. Askush nuk ka mundur dot t’i flasë dhe të gjejë fjalët ngushëlluese për një fatkeqësi të tillë. Siç tregojnë të afërm nëna e Irisit përsëriste gjatë gjithë kohës që nuk e kuptonte pse u morr ky vendim, pse e bija u vetëvra.
Policia
Mbetet ende mister për policë arsyeja e vërtetë që ka nxitur 22-vjeçaren të vetëvritet. Por dy aludimet më të forta mbeten lidhja e dështuar e dashurisë si dhe ngelja në stazh, të cilët kanë rënduar gjendje mendore të së resë. Sipas bluve, ekspertiza dhe tabulatet do të ndihmojnë në zbardhje e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ndërsa do të merren në pyetje pedagogë të vajzës, të cilët kanë qenë në dijeni të gjendjes së saj mendore. Pjesë e rëndësishme e hetimeve do të jetë edhe dëshmia e prindërve të vajzës dhe rrethit të saj të ngushtë shoqëror. Ndonëse prindërit kanë qenë në dijeni të tronditjes emocionale të Irisit, nuk dinë se cila arsye e bëri vajzën të vetëflijohet. Në vendin e krimit nuk ka gjurmë të dyshimta që të ketë hamendësime se dikush mund ta ketë shtyrë apo krimi ka qenë aksidental.
Skena e krimit
Nga vetë përshkrimi i policisë mësohet se Irisi ka hipur në ashensor me një grup grash, të cilat kanë zbritur në katin e 15-të. Nga aty Irisi është shkëputur në ato momente dhe ka dalë për në pjesën e pasme të verandës, e cila hapet vetëm në darkë. Ajo ka hedhur çantën në tokë dhe ka hipur mbi banak për tu hedhur. Askush nuk ka mundur dot që ta shikojë, por gjetja e çantës ka ngritur dyshime. Asnjë nga stafi nuk ka dëgjuar zhurma apo të pikaste vajzën. Kamerieri tregon se vajza ishte në ashensor me një grup grash që kishin prenotuar tavolinë jashtë në verandë. “Ajo erdhi me këto gratë dhe u nda nga ato. Ka spostuar vazon e luleve që bllokon hyrjen për te banaku që është jashtë, i cili hapet vetëm në darkë. E reja ka hipur mbi banak dhe është hedhur. Askush nuk ka parë asgjë, pasi është e pamundur nga vetë pozicioni i ambientit që të shikohet pamja në verandë. Por as zhurma nuk kemi dëgjuar dhe as ato gratë nuk kishin kuptuar gjë. Njëra më tha për çantën dhe aty e kuptova që diçka kishte ndodhur, më pas erdhi policia”.




