Vetëdorëzimi/ Andon Mëhillaj: Juliani vrau Veizin, të gjithë më fajësonin mua

Anxhela Tato

 

 

Një muaj negociata mes familjes dhe policit lab, i akuzuari siguroi marrjen në mbrojtje të familjes së tij

 Sekser i bandës: Me Julianin bëmë sherr për Sokol Veizin, i kërkova të tregonte për llogari të kujt e vrau

 

andon mehillajPeshkatari Sokol Veizi ka qenë pika e lidhjes mes njeriut bombë dhe Andon Mëhillajt, i cili është vetëdorëzuar ditën e djeshme në polici. Pas një muaji tratativash mes familjes dhe një punonjësi policie të Vlorës, Andon Mëhillaj është ndjerë gati që të paraqitej me këmbët e tij në komisariat, ku ka pretenduar pafajësinë duke hedhur poshtë gjithë akuzat në ngarkim të tij. Hezitimi i Mëhillajt ka qenë frika për jetën e familjes, e cila i është mundësuar dhe garantuar nga ana e forcave të policisë, kjo pas eksplozivit në banesën boshe të të dyshuarit si sekseri i bandës së vrasësve. Ndërkohë që ditën e mërkurë mbrojtësi i tij ka njoftuar policinë dhe prokurorinë për vendimin e Andonit, ndërsa ka pohuar se me klientin e tij ka mbajtur lidhje telefonike dhe kontakte për gati një muaj. Andon Mëhillaj ka qëndruar i fshehur në Vlorë pranë familjes së tij dhe është vënë në dijeni të çdo akuze të thënë nga Sinanaj në dëshminë e publikuar në media. I vetmi moment vërtetësie për Andon Mëhillaj është konflikti me Julian Sinanaj për viktimën Sokol Veizi, por mohon në formë kategorike që të ketë lidhje me vrasjen apo të jetë porositësi. Ai ka rrëfyer se i ka kërkuar Julianit që të sqaronte se për llogari të kujt e kishte vrarë Veizin, pasi të gjithë e dinin konfliktin mes Andonit dhe Veizit për tokën. Por Juliani nuk ka pranuar të japë asnjë sqarim dhe kjo situatë ishte në disfavor të Mëhillajt. Andon shprehet se është ndjerë i kërcënuar nga Juliani, i cili e përndiqte. Ai ka thënë gjatë marrjes në pyetje se pas konfliktit të ndodhur para një vit ka shkëputur kontaktet me Julian Sinanajn dhe kishte frikë për jetën e tij duke ditur kalibrin e 31-vjeçarit.

 

Dorëzimi

 Andon Mëhillaj është paraqitur vullnetarisht në dyert e prokurorisë së rrethit, e cila ka vënë në dijeni policinë. Vetëm pasi është siguruar se jeta e familjes së tij do të ishte nën mbrojtje të bluve, Mëhillaj nën shoqërimi e një të afërmi ka vajtur në orën 9:30 në prokurori. Është mbajtur për gati një orë në komisariatin e policisë dhe më pas është transferuar në kryeqytete, duke qenë se hetimet po kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Dorëzimi i tij ka qenë vullnetar me qëllim sqarimin e pozicionit pas deklaratës së Sinanajt. Mëhillaj është marrë në pyetej nga ana e prokurorëve dhe ka mohuar akuzat e vrasësit me pagesë. “Është e vërtetë që unë njoh Julianin por jo deri në atë shkallë që e përshkruan ai. Nuk është e vërtetë që unë jam kriminel dhe porositës vrasjesh. Nuk është e vërtetë që unë i thoja të hiqte qafe njerëz dhe t’i ofroja lekë. Madje unë kam qenë një person që përndiqesha nga Julian Sinanaj, i cili më kërcënoi. Para një vit ne bëmë sherr me njëri-tjetrin dhe unë u shkëputa nga ai. Juliani vrau Sokol Veizin, dhe të gjithë e dinin që unë dhe viktima ishim zënë publikisht për tokën. I thashë të sqaronte për kë e kishte varrë, pasi të gjithë më shikonin mua si autori. Por ia nuk pranoi dhe plasi sherri. Kisha frikë se mos më vriste dhe unë ruhesha. Unë jam zënë me Julian Sinanajn për çështjen e Sokol Veizit, por nuk kam lidhje me vrasjen apo porositjen e krimit. Jam i pafajshëm dhe u vetëdorëzova se dua ta bëj që të qartë që unë nuk kam lidhje me asgjë”, – pjesë nga rrëfimi i Andon Mëhillajt.

 

 

Konflikti i Sinanajt me Mëhillajn

 Gjatë rrëfimit të tij para prokurorëve, Julian Sinanaj ka deklaruar se i është premtuar 1500 metra tokë nga Andon Mëhillaj si shpërblim për vrasjen e peshkatarit Sokol Veizi. Por pas krimit i është dhënë thjesht një apartament në Vlorë, çka e ka zhgënjyer vrasësin me pagesë. Kjo ka qenë çarja në raportin Julian Sinanaj dhe Andon Mëhillaj. Ai ka rrëfyer se motivi i vrasjes ishte konflikti i pronës që Mëhillajt kishin me viktimën. Ndërsa më tej ka rrëfyer se i është dhënë një foto e viktimës, por fytyra ka qenë jo shumë e qartë. Ditën e ngjarjes Sinanaj ka vajtur në lokalin ku ishe ulur viktima dhe i është afruar duke e pyetur nëse ai ishte Sokol Veizi. Më pas i ka kërkuar kartën e identitetit dhe pas konfirmimit të gjeneraliteteve të Veizit në celular, i ka kthyer kartën dhe i ka drejtuar armën duke e vrarë. Shpërblimi zhgënjyes ka bërë që Julian Sinanaj të përgatitej për të vrarë kushërinjtë Mëhillaj, por ai ka rrëfyer se më pas konflikti është sheshuar.

 

 

 

 Konflikti për tokën

 Viktima dhe kushërinjtë Mëhillaj kanë qenë në konflikt për 800 metra tokë. Madje, sipas rrëfimit të Andon Mëhillajt, dihej publikisht që ai me viktimën ishin përplasur dhe konfrontuar fizikisht për atë toke, e cila me ligj i ishte dhënë Veizit, por u takonte Mëhillajve. Sipas Andonit viktima prishi murin ndarës dhe filloi të punonte këtu. I acaruar nga ky veprim Andoni është zënë dhe ka bërë sherr me viktimë dhe pas vrasjes së tij të gjithë e fajësonin si autor, përfshirë këtu edhe prindërit e viktimës. Nazo Veizi tregon momentin kur Genis Mëhillaj urdhëroi traktoristin të ndalonte punimet në tokën, për të cilën porositën vrasjen e djalit të saj. 16 muaj nga vrasja e Veizit, pjesa tjetër e familjes jeton nën terror. Gjyshja ka larguar vajzën nga shkolla. Shkaku i vetëm pse u vra Sokol Veizaj ishin 800 m tokë që familja e tij mori nga shteti. Kjo pjesë ndodhej në pronën e ish-pronarëve, që në këtë rast ishin kushërinjtë Mëhillaj. Ata i kërkuan Veizajt vetëm një herë të mos e punonte atë tokë, herën e dytë urdhëruan vrasësin të kryente ekzekutimin.

 

 

Avokati Edmond Dëmaj

“Vrasja e Sokol Veizit, i vetmi kontakt mes Julianit dhe Andonit”

 Mbrojtësi i Andon Mëhillajt tregon se ka qenë vetë klienti i tij që ka këmbëngulur të dorëzohet. “Është një vetëdorëzim vullnetar. Bile është vonuar derisa të rregullonte familjarët e tij. Ka lënë jashtë gruan dhe fëmijët e tij. U vetëdorëzua për të qenë i pranishëm, për t’u mbrojtur sa më mirë dhe për t’u përballur me ata që po ia përkeqësojnë gjendjen. Andoni ka qëndruar në Vlorë gjatë kësaj kohe. Nuk është dorëzim nga frika, por i ndërgjegjshëm”, – tregoi avokati Dëmaj. Mbrojtësi ka sqaruar se klienti i tij ka pasur lidhje me Sinanaj vetëm për vrasjen e Sokol Veizit, por mohon të ketë qenë porositësi i vrasjes. Madje shton se pozicioni i tij në lidhje me këtë vrasje është rënduar nga shtypi. “Ka pasur njohje, por jo të asaj shkalle që ka pretenduar Julian Sinanaj nga ata që janë hedhur në shtyp. U vetëdorëzua për të qenë i pranishëm për t’u mbrojtur sa më mirë dhe për t’u përballur me ata që po ia përkeqësojnë pozitën e tij. Ekziston një lidhje por do t’i japim detajet gjatë hetimit. E vetmja përfshirje që pranon se ka lidhje, por që nuk është ashtu siç është shkruar në shtyp, është vrasja e Sokol Veizit. Në lidhje me vrasjen e Sokol Veizit, është i vetmi kontakt që ka pasur. Nuk ka pranuar asnjëherë që ka qenë personi që ka urdhëruar vrasjen dhe nuk ka lidhje me asnjë ngjarje të tjera siç është thënë nga shtypi”, – tha avokati. “Ka pasur një periudhë kohë që janë zënë dhe Andoni ka qenë nën kërcënimin e Julianit. Bëhet fjalë për një ngjarje para dy vjetësh. Gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur ngjarje të tilla mes tyre mes të cilat Andoni ka qenë i përndjekur nga Juliani”, – ka shtuar në fjalën e tij avokati Edmond Dëmaj.

Share it :