VENDIMI/ Shpallen sekrete shpenzimet e Edi Ramës në udhëtimet jashtë vendit

Me justifikimin e mbrojtjes së të dhënave personale, Edi Rama i ka vënë drynin transparencës mbi faturat, itineraret apo marrëveshjet e fluturimeve të tij jashtë vendit.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e qeverisë së drejtuar nga vetë Rama që sanksionon se fluturimet e tij jashtë vendit duhet të konsiderohen “konfidenciale”.

 

 

Dokumenti zyrtar (KLIKO KETU) shton në funksionet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare një detaj thelbësor, sipas të cilit: “DSHQ negocion kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi dhe nënshkruan kontrata konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Me çdo institucion, i cili do të marrë shërbimin sipas kësaj shkronje, DSHQ-ja nënshkruan aktmarrëveshje bashkëpunimi dhe konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës.”

Me këtë akt, çdo itinerar, orar fluturimi apo shpenzim udhëtimi i Edi Ramës jashtë Shqipërisë kalon në kategorinë e informacionit të mbrojtur, për t’u ruajtur nën petkun e “të dhënave personale”.

Në thelb, vendimi është një dryn mbi atë që prej kohësh ka qenë praktikë e heshtur: mungesa e transparencës për udhëtimet e kryeministrit.

Por ndërsa për qytetarin e thjeshtë mbrojtja e të dhënave personale është një e drejtë themelore, për shefin e qeverisë sic është Edi Rama, i cili udhëton me fonde publike, fluturimet nuk mund të trajtohen si çështje private, pasi ato janë interes i pastër publik.

Historia e fluturimeve me charter të Ramës është një kapitull që prej kohësh i paraprin këtij vendimi. Sipas dokumenteve të publikuara nga Lapsi.al, që në tetor 2022, grupi i hakerëve iranianë “Homeland Justice” publikoi nga sistemi TIMS hyrje-daljet dhe fluturimet e Edi Ramës jashtë vendit, duke zbuluar një numër befasues udhëtimesh me avionë privatë të vëna në dispozicion nga Air Albania.

Sipas të dhënave që publikuan hackerat iranianë, kryeministri Edi Rama kishte udhëtuar 134 herë me charter deri në shtator të vitit 2022. Ajo që binte në sy ishte se numri i fluturimeve ishte rritur vit pas viti dhe shifrat flisnin për udhëtime të shpeshta e të shtrenjta në lartësitë e luksit qeveritar.

Mungesa e transparencës lidhej me marrëveshjen me Air Albania, kompania që për shumë vite u paraqit si simbol i bashkëpunimit të suksesshëm mes shtetit shqiptar dhe Turkish Airlines, dhe që u përdor për të justifikuar pjesën më të madhe të fluturimeve të Ramës.

Vetë kryeministri, në reagimin e tij e kishte relativizuar çështjen me fjalët: “Nuk është ashtu siç duket”. Rama pretendonte se udhëtimet e tij ishin faturuar me çmim promocional pasi ato bëheshin për të promovuar linjën e re ajrore me flamurin shqiptar.

Por në shkurt 2023, doli se kontrata midis Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe Air Albania nuk përmbante asnjë klauzolë që ta lidhte përdorimin e avionëve me promovimin e kompanisë”. Pra, pretendimi i kryeministrit se charterët ishin “për të bërë reklamë” rezultoi i pambështetur.

Gjithsesi, pas vitesh të tëra udhëtimesh të mbuluara nga e njëjta kompani, Air Albania është zhytur vetë në telashe. Bilance e saj rezultojnë të fshehura, kontratat e fluturimit ndërkombëtar po anulohen, ndërsa punonjësit ankohen për rrogat e papaguara. Të gjitha këto janë sinjale se kompania po shkon drejt falimentimit, me dyshimet për dhjetëra milionë euro detyrime të papaguara ndaj shtetit shqiptar.

Rama është i detyruar të mos e përdorë më charterin e Air Albania për të kontraktuar linjat e tjera të fluturimit. Në këto rrethana del edhe vendimi i sotëm i kryeministrit Edi Rama për t’i shpallur “konfidenciale” udhëtimet jashtë vendit. Dhe megjithëse qeveria e justifikon me mbrojtjen e “të dhënave personale”, në praktikë ajo po mbyll një tjetër dritare mbi informacione që publiku ka të drejtë ta dijë, ndërsa qeveria ka detyrim të bëjë transparencë.

Në fund të fundit, Rama mund të udhëtojë sa të dojë dhe ku të dojë, por fakti që i shpall sekrete shpenzimet e tij, tregon edhe një herë se sa lart fluturon niveli i luksit të qeveritarëve tanë./Lapsi.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news