Vendimi Sa do t’i paguhet shtetit për banesat

Për banesat në zonën 2, që përfshin bashkitë më të mëdha të vendit, taksa që duhet paguar për ndërtimet para 1993-shit është 10 lekë për metër katror

 

Për banesat e pasvitit 1993 taksa është 12 lekë për metër katror, ndërsa për ndërtesat që përdoren për qëllime biznesi, taksa është 300 lekë për metër katror

 

pallate1Duke nisur nga data 1 janar, qytetarët do të duhet të paguajnë tarifa të ndryshme për banesën e tyre apo për ndërtesat që kanë në pronësi apo në përdorim. Referuar ndryshimeve fiskale, për banesat e ndërtuara para vitit 1993 në zonën 1 që përfshin Tiranën dhe Durrësin, qytetarët duhet të paguajnë 15 lekë për metër katror. Për banesat e ndërtuara pas vitit 1993, taksa vjetore që duhet paguar është 30 lekë për metër katror. Ndërkohë, taksa për ndërtesat e biznesit apo për shtëpitë në fshatra turistikë është 400 lekë për metër katror. Për banesat në zonën 2, që përfshin bashkitë më të mëdha të vendit, taksa që duhet paguar për ndërtimet para 1993-shit është 10 lekë për metër katror. Për banesat e pas vitit 1993 taksa është 12 lekë për metër katrorë ndërsa për ndërtesat që përdoren për qëllime biznesi, taksa është 300 lekë për metër katror.

 

Taksimi

 

Me paketën e re fiskale, duket se i është dhënë zgjidhje edhe problematikës së ndërtuesve që kanë në pronësi apartamente apo ambiente të pashitura. Ata do të taksohen sipas destinacionit të përdorimit të ambientit. Ambientet e hipotekuara si apartamente banimi do t’i nënshtrohen taksës mbi ndërtesat në kategorinë “Ndërtesa banimi”, ndërsa ambientet e destinuara për qëllime biznesi do t’i nënshtrohen taksës mbi ndërtesat në kategorinë “Ndërtesa të tjera për tregti dhe shërbime”. Edhe pse ligjërisht ekziston prej shumë vitesh, mbledhja e taksës së ndërtesës mbetet në nivele të ulëta që arrijnë deri në 30 për qind. Shkak për këtë nivel të ulët arkëtimi është edhe fakti se një pjesë e mirë e banesave nuk janë të legalizuara. Ndaj në këtë pikë, kampet politike kanë paralajmëruar mundësinë e ndryshimeve ligjore për mbledhjen e taksës së banesave.

 

Taksa e banesës

Duke qenë se shumë pak individë do të jenë të gatshëm të paguajnë taksën e banesës, qeveria po mendon që ta bashkëngjitë këtë pagesë në faturën e dritave ose të ujit. Referuar paketës së re fiskale, taksa për banesat unifikohet duke u rritur nga 15 lekë për metër katrorë që është aktualisht, në 30 lekë. Të dhënat e viteve të kaluara tregojnë se vetëm 30 për qind e kësaj takes mblidhet nga institucionet përkatëse. Aktualisht, janë të paktën dy taksa që mblidhen duke iu bashkangjitur faturave të energjisë apo të ujit. Taksa për televizorin mblidhet përmes faturës së energjisë ndërsa taksa për mjedisin, përmes faturës së ujit. Bashkëngjitja e këtyre taksave me faturat e energjisë apo të ujit, edhe pse mund të cilësohet si një masë ekstreme, ka rezultuar frytdhënëse në nivelin e arkëtimit të tyre.

 

 

 

CEZ: Ja zonat ku do të ndërpritet energjia elektrike

“CEZ Shpërndarje” bën të ditur se sot nga ora 07:00 deri në orën 09:00 do të stakohet energjia elektrike në transformatorin 1 në nënstacionin Tirana 1 35/6 kV. Specialistët e “CEZ Shpërndarje” gjatë kësaj kohe do të punojnë për të eliminuar rrjedhjen e vajit në transformator, si dhe do të bëjnë plotësimin e tij. “Për shkak të kësaj ndërhyrje të domosdoshme do të ketë shkëputje të përkohshme të energjisë elektrike nga ora 07:00 deri në orën 09:00 në Rrugën e Durrësit, rr. “Muhamet Gjollesha”, UEM, rr. “Babë Rexha”, fabrika e biskotave, rr. “Kongresi i Lushnjës”, rr. “Ndre Mjeda”, rr. “Mine Peza”, rr. “Manastiri i Ri”, rr. “Hysni Gerbolli”, rr “Don Bosko”, si dhe në zonën rreth pallatit të sportit “Partizani” në Tiranë”, – bëri të ditur “CEZ”.

 

 

 

Kryebashkiaku

 Basha pret kryetarin e Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti dje në një takim kryetarin e Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj. Basha ka falënderuar z. Selmanaj dhe asamblenë e Deçanit për shpalljen “Qytetar Nderi” i Deçanit. Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, e konsideron këtë si një nder dhe respekt të jashtëzakonshëm, për të personalisht dhe për qytetarët e Tiranës. “Deçani ndihet krenar që ju ka ju “Qytetar Nderi”, – tha z. Selmanaj i cili e ftoi kryebashkiakun Basha të vizitojë këtë Komunë, kohë në të cilën do t’i dorëzohet zyrtarisht dhe titulli “Qytetar Nderi”. Basha dhe kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, kanë biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Deçanit si dhe nxitjen e aktiviteteve të përbashkëta kulturore, artistike dhe sportive.

 

 

Vendimi

 Qeveria pritet të rritë çmimin e biletave për urbanët

Rritja e çmimit të karburantit rikthen kërkesat e shoqërive të transportit për rritjen e çmimit të biletave për autobusët urbanë. Nëse qeveria brenda janarit nuk i jep zgjidhje, ata kërcënojnë se do të bllokojnë shërbimin për qytetarët. Një milion lekë është kostoja shtesë mbi kompanitë e transportit, pas rritjes së çmimit të karburanteve. Rimbursimi i kësaj shume ose rritja e çmimit të biletës me 700 lekë janë dy rrugët që propozohen. Bëhet e ditur se qeveria e ka refuzuar kërkesën për të rimbursuar akcizën e karburanteve shoqërive të transportit publik. Veç kësaj është mohuar mundësia e reduktimit të tatimit mbi vlerën e shtuar për këto kompani. Pas kësaj Ministria e Financave la në fuqi kërkesën për liberalizim të tregut dhe vendosjen e tarifave për biletat dhe abonetë nga vetë shoqëritë e transportit.

 

 

Të krishterët

 Uji i bekuar, kremtime për ritin e kryqit në lumë

Besimtarët e krishterë kanë kremtuar këtë të hënë ditën e ujit të bekuar. 6 janari njihet në kalendarin fetar si dita e bekimit nga Zoti, të ujërave të të gjithë botës. Riti kryesor është hedhja e kryqit në ujë, një rit që në shumë vende të botës përcillet nga ceremoni të veçanta. Edhe në Tiranë është mbajtur një meshë nga kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili ka përcjellë mesazhin e harmonisë dhe paqes mes njëri tjetrit në këtë fillim viti. Dita e ujit të bekuar, dhe hedhja e kryqit në ujë, është kthyer tashmë në një traditë për shumë qytete të vendit. Berati, Fieri, Gjirokastra zhvillojnë ceremoni të posaçme, duke hedhur kryqin në lumenjtë e qyteteve. Në liturgjinë e krishterë ortodokse kjo ditë përkon me ditën e pagëzimit të Jezu Krishtit nga Gjon Pagëzori.

Share it :