Gëzim Saliu
Çmimet dhe vlerat dysheme për pasuritë shtetërore që jepen me qira ose enfiteozë
Kriteret kryesore: Niveli i investimit dhe i punësimit. Procesi realizohet me konkurs
Këshilli i Ministrave miratoi dje kriteret dhe procedurat e mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore. Sipas këtij vendimi, ku përcaktohet se pasuritë shtetërore, me sipërfaqe mbi 500 m2, u jepen të tretëve edhe me kontrata qiraje, me tarifë simbolike 1 (një) euro/kontrata, me vendim, rast pas rasti, të Këshillit të Ministrave, theksohet se pasuritë që jepen me enfiteozë janë vetëm pasuritë e paluajtshme të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive shtetërore. Përkatësisht, enfiteoza është një kontratë, me të cilën një personi i jepet e drejta të përdorojë e të përmirësojë një pasuri të paluajtshme, kundrejt një shpërblimi periodik në të holla ose në natyrë. Në pikën 3 të vendimit përcaktohet se kriteret e konkurrimit për dhënien me qira të pasurisë shtetërore janë niveli i investimit, niveli i punësimit dhe oferta e detyrimit mujor të qirasë. Vendimi parashikon që ky proces do të realizohet përmes konkurrimit, ndërsa pasuritë që jepen me qira janë ndërtesat, sipërfaqet funksionale (jo nën ndërtesë), trualli i lirë, makineritë e pajisjet e linjat e prodhimit të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital 100 për qind shtetëror (“shoqëri shtetërore”). Ndërkohë që kriteret e konkurrimit për dhënien me enfiteozë të pasurisë shtetërore janë: niveli i investimit në pasuri të paluajtshme për përmirësimin e pronës, i cili të jetë mbi 200 për qind të vlerës së pasurisë së shpallur për konkurrim; qëllimi dhe niveli i investimit në tërësi në pasurinë që jepet me enfiteozë; niveli i punësimit; oferta e detyrimit mujor.
Kriteret
Në vendimin e marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë për dhënien me qira 1 euro të pasurive shtetërore përcaktohen kriteret e domosdoshme të konkurrimit. Kështu, aplikuesi duhet të paraqesë nivelin e investimit, nivelin e punësimit si edhe ofertën e detyrimit mujor të qirasë. Ndërsa kriteret e konkurrimit për dhënien me enfiteozë të pasurisë shtetërore kërkojnë që aplikuesi të paraqesë nivelin e investimit në pasuri të paluajtshme për përmirësimin e pronës, i cili të jetë mbi 200 për qind të vlerës së pasurisë së shpallur për konkurrim, qëllimin dhe nivelin e investimit në tërësi në pasurinë që jepet me enfiteozë, nivelin e punësimit, ofertën e detyrimit mujor. Nga ana tjetër në vendim janë përcaktuar edhe rastet e përjashtimit nga konkurrimi, ku përfshihen: dhënia me qira e sipërfaqeve deri në 200 m2, të cilat jepen me afat deri në 1 vit; makineritë e pajisjet e shkëputura, të cilat jepen me afat deri në 1 vit; dhënia me qira e pasurive shtetërore subjekteve të pajisura me leje shfrytëzimi të pasurive natyrore minerare, peshkimit, ujërave e të veprimtarive të tjera, të ngjashme, kur këto pasuri i jepen subjektit, në ndihmë të zhvillimit të aktivitetit, për të cilin është licencuar; dhënia me qira e objekteve shtetërore për institucionet shtetërore, kur ato do të përdoren për nevoja dhe aktivitete të mëtejshme shtetërore;dhënia me qira e pasurive shtetërore subjekteve shtetërore ose private për ushtrimin e aktiviteteve në fushën e sportit, kulturës, turizmit dhe trashëgimisë kulturore, kundrejt investimeve në pasurinë shtetërore të vlerave mbi 2 (dy) milionë euro.
Procedurat
Dokumentacioni që duhet për marrjen me qira
a) Propozimi për dhënien me qira ose enfiteozë të objektit, i cili përmban propozimin për veprimtarinë që mund të ushtrohet në këtë pasuri dhe afatin e dhënies me qira.
b) Vendimi i organit drejtues të institucionit shtetëror, ndërmarrjes apo shoqërisë shtetërore (Këshilli Mbikëqyrës, Këshilli Drejtues, Bordi Drejtues etj.).
c) Miratimi i organit të varësisë administrative.
ç) Genplani i objektit, në 6 (gjashtë) kopje origjinale, të konfirmuar nga drejtuesi i institucionit shtetëror, ndërmarrjes apo shoqërisë shtetërore dhe nga organi i prefekturës, në territorin e së cilës ndodhet pasuria, ku të jenë përcaktuar qartë sipërfaqja e truallit gjithsej, sipërfaqja e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqja funksionale (jo nën ndërtesë).
d) Tarifa dysheme e detyrimit mujor për sipërfaqet nën ndërtesë, sipas përcaktimeve në këtë vendim dhe duke pasur parasysh edhe gjendjen fizike të objektit.
dh) Konfirmimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për pronësinë shtet të objektit dhe truallit, si dhe nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për vendimet që mund të ketë dhënë për njohje ose kthim prone. Në rastet kur pasuria, që jepet me qira ose enfiteozë, është në administrim të shoqërive shtetërore, nuk është e nevojshme të kërkohet konfirmimi nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Tarifat
Çmimet dhe vlerat për pasuritë shtetërore që jepen me qira ose enfiteozë
Kur jepet me qira truall i lirë, pra kur jepet me qira ose enfiteozë vetëm truall, tarifa dysheme e qirasë mujore është 100 lekë/m2. Për pasuritë e institucioneve shtetërore apo shoqërive shtetërore me karakter kombëtar (kulturor, historik, muzeor, arkeologjik), të shpallura të tilla me akte ligjore, tarifa dysheme e detyrimit mujor e përcaktuar më sipër, shumëzohet me 2 (dy). Kur ndërtesa është me dy ose më shumë kate, për efekt të llogaritjes së qirasë mujore do të merret parasysh sipërfaqja e çdo kati. Për përcaktimin e vlerës së detyrimit mujor të qirasë, për pasuritë e luajtshme (makineritë, pajisjet, linjat teknologjike, makineritë e pajisjet në galeritë minerare, etj.,) që jepen me qira, institucioni shtetëror, ndërmarrja apo shoqëria shtetërore që ka në administrim pasurinë, përcakton vlerën e qirasë vjetore, që është sa 1/10 e VAM-it (vlerës aktuale minimale), të llogaritur si diferencë e vlerës fillestare të kontabilizuar minus amortizimin në vite, mbështetur në vendimin nr. 401, datë 23.10.1989, të Këshillit të Ministrave, (pjesa për investime), shumëzuar me indeksin e çmimeve të muajit përkatës, të publikuar nga INSTAT-i. Për objektet voluminoze si: rezervuarët, depozitat dhe siloset, që jepen me qira me qëllim tregtimi, brenda vijave kufizuese të qyteteve: Tiranë, Berat, Durrës, Fier, Korçë, Lushnjë, Pogradec, Sarandë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, Kavajë, Krujë, Laç, Lezhë, tarifa dysheme e qirasë është 400 lekë/m3 në muaj, ndërsa jashtë vijave kufizuese të qyteteve të sipërpërmendura, si dhe në të gjitha zonat e tjera tarifa e qirasë është 200 lekë/m3 në muaj. Për terrenet sportive, përcaktuar si të tilla me akte ligjore dhe kur do të kryhet aktivitet sportiv, tarifa dysheme e qirasë mujore është 10 lekë/m2 në muaj. Për pasuritë në administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, tarifat minimale të detyrimit mujor të qirasë të jenë sipas tabelës “B”, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për mjediset e Pallatit të Kongreseve, në raste të veçanta aplikon tarifa të ndryshme me ato të parashikuara më lart, me miratim të Këshillit të Ministrave.




