Vendimi i qeverisë/ Grupet e barnave që do t’u ulet çmimi,sa përfitojnë nga rimbursimet

Miratohen marzhet e fabrikimit dhe tregtimit të barnave. Ministria e Shëndetësisë: Do të kemi ilaçe më të lira. Urdhri i Farmacistit: Gati protestat

 

 

farmacia_palermo-farmacistaPublikohet vendimi i qeverisë, i cili përcakton marzhet e fitimi për barnat. Pas botimit në Fletores Zyrtare, ky vendim ka hyrë në fuqi dhe duhet të zbatohet nga të gjitha kompanitë dhe farmacitë. Ulja e mazhit të fitit pritet të sjellë uljen e çmimit të branave në të gjitha farmacitë e vendit. “Çmimi maksimal i tregtimit të barnave nga fabrikuesit vendas caktohet duke shtuar deri në 20 për qind mbi koston e fabrikimit. Ky çmim maksimal i tregtimit llogaritet bazuar mbi çmimin EXW. Çmimi maksimal i tregtimit me shumicë të barnave nga importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë caktohet duke shtuar deri në 11 për qind mbi çmimin CIF të importit të barit, e konvertuar në lekë sipas kursit mesatar të njoftuar nga Banka e Shqipërisë, për çdo 6-mujor. Marzhi 11 për qind ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht 8 për qind dhe 3 për qind”, – thuhet në vendimin e qeverisë. Çmimi maksimal i tregtimit me pakicë të barnave caktohet duke shtuar deri në 25 për qind mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi farmaceutik. Për barnat e listës, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për barnat, që blihen nga institucionet shëndetësore publike, çmimi maksimal i tregtimit dhe marzhi i fitimit, që do të zbatohen mbi çmimin CIF ose EXW, do të jetë me marzhe të diferencuara, sipas tabelës së mëposhtme. Për barnat, të cilat nuk janë përfshirë në këtë listë, do të zbatohet një marzh fitimi deri në 8 për qind.

 

Reagimi

Vendimi i qeverisë nuk është pritur mirë nga Urdhri i Farmacistit, i cili pak ditë më parë ka paralajmëruar protesta, deri në bllokimin e shërbimin në të gjitha farmacitë. Sipas Urdhrit, qeveria nuk është këshilluar me grupet e interesit dhe nuk ka marrë miratimin e asnjë farmacisti. Urdhri i Farmacistit gjithashtu ka paralajmëruar se do të detyrohet të blejë ilaçe me çmime më të lira, gjë që do të sjellë shitjen e medikamenteve jocilësore. Pas këtij paralajmërimi, Ministria e Shëndetësisë, në një dalje për mediat, ka mbështetur vendimin e propozuar në qeveri dhe ka theksuar se nuk do të tërhiqen ndaj çdo kërcënimi që do të bëhet nga farmacistët. Sipas Ministrisë, ky vendim do të krijojë mundësinë që ilaçet të shiten me çmime më të lira si dhe do të krijojë një fond më të madhe për blerjen e ilaçeve në të ardhmen.

 

 Ndryshimet/ Gati lista e barnave të rimbursueshme, rritet numri i përfituesve

 Projekti, do të kalohet nga libreza e shëndetit te karta e shëndetit

 Zbatimi i vendimit të qeverisë, shumë shpejt ekzaminime falas për grup-moshat 40-65 vjeç

Ka nisur puna në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për hartimin e listës së barnave të rimbursueshme të këtij viti. “Qëllimi ynë është që, me një përdorim më të mirë të fondeve, të rrisim numrin e përfituesve”. Kështu është shprehur drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Astrit Beci, gjatë analizës së punës për vitin 2013. “Përpos procesit transparent të pranimit të propozimeve për listën e barnave këtë vit, po zhvillojmë takime intensive me mjekët, përfaqësues të të gjitha katedrave kryesore në QSUT, për të marrë një mendim sa më profesional, i cili do të reflektohet më tej në vendimmarrje për një listë barnash kosto-efektive, por mbi të gjitha cilësore për pacientët”, – përmendi Astrit Beci në fjalën e tij. Lidhur me paketat e shërbimit, drejtori i Fondit tha se është duke u finalizuar puna për paketën e dializës e më tej, në përmbushje të afateve që kemi paravendosur, në fillim të muajit prill, do të jenë gati 5 paketat e para të shërbimeve shëndetësore. “Do të kemi kështu një standard të unifikuar si në spitalet publike ashtu edhe në ato private dhe i hapim rrugë ndryshimit të mënyrës së financimit të spitaleve, jo më sipas një buxheti historik, por sipas nevojave reale”, – theksoi Beci. Drejtori i Fondit lajmëroi gjithashtu pilotimin e afërt të kartës së shëndetit në disa qendra shëndetësore në Tiranë. “Iniciativa jonë është për të kaluar nga përdorimi i librezës së shëndetit tek karta e shëndetit. Projekti do të nisë të pilotohet shumë shpejt në disa qendra shëndetësore në Tiranë, për t’u shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ky projekt do të përmirësojë dukshëm cilësinë e punës së mjekëve dhe farmacistëve si dhe kontrollin e tyre”, – përmendi drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

 

Ministri i Shëndetësisë

“Mjekët i detyrojnë pacientët që në jo pak raste të kryejnë një mori analizash të panevojshme. Kjo situatë abuzuese e bën të vështirë përcaktimin e kostove për shërbime të ndryshme në spitale”, – u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë analizës së punës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Ministri Beqaj theksoi se mungesa e protokolleve rëndon xhepat e qytetarëve, por edhe rrit kostot për shërbime të ndryshme. “Nëse kërkohet të bëhet një numër i caktuar analizash kimiko-biologjike dhe 90% e tyre dhe më shumë me rezultate të sakta dhe ata mjekë që i kërkojnë, i kërkojnë me tepri me papërgjegjshmëri për të kaluar radhën, por ajo kushton. Duhet të vlerësojmë që në gjenezë, pse u dha? Në Shqipëri ne duhet ta pranojmë nuk kemi numër të mjaftueshëm për banor për skaner të rezonancave, por edhe përdorimi i tyre duhet të jetë me efikasitet”, – tha Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë. Gjithashtu, Fondi po merr të gjitha masat e duhura për të mbështetur projektin e qeverisë për kontrollin bazë periodik të popullatës 40-65 vjeç për ekzaminimet falas të kësaj grup-moshe.

 

 

Prioritet

-Rivlerësimi i barnave të listës ekzistuese

– Përmirësim në kufizimet e listës lidhur me diagnozat, gr.-moshat, sasitë e barnave, kohëzgjatjen etj.

– Mundësi për shtimin e alternativave xhenerike

– Rishikimi i të gjitha protokolleve të përdorimit të barnave të listës

-Përmirësimi i procesit të identifikimit të personave përfitues nga skema me zëvendësimin e librezës së shëndetit me kartën e shëndetit, e cila do të sjellë:   

 -Lehtësim të ngarkesës burokratike në punën e mjekut dhe farmacistit

– Më shumë cilësi në punën me pacientin

– Kursim të shpenzimeve administrative të Fondit

 

 

 

Studimi

Lëngjet e frutave, të rrezikshme njësoj si pijet e gazuara

Shkencëtarët nga Universiteti i Glasgout kanë paralajmëruar se lëngjet e frutave janë potencialisht po aq të këqija sa edhe pijet e ëmbla. Teksa bëhet thirrje për t’iu larguar pijeve të gatshme dhe për t’iu drejtuar atyre organike, një tjetër paralajmërim vjen nga hulumtuesit, të cilët thonë se lëngjet e frutave përmbajnë shumë sheqer dhe mund të jenë të rrezikshme për shëndetin njësoj sikurse edhe pijet e gazuara. Ata i kanë kërkuar qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar për të ndryshuar udhëzimet e saj dhe kanë rekomanduar gjithashtu se etiketat duhet të vendosen në kontejnerët e lëngjeve të frutave duke u thënë njerëzve që të mos pini më shumë se 150 ml në ditë. Një sasi prej 250 ml lëng portokalli përmban 115 kalori dhe shumë njerëz pijë më shumë se kjo.

 

 

Problemi

Mbetjet spitalore hidhen në koshat e plehrave

Mbetjet spitalore në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë vazhdojnë të hidhen në koshat e mbeturinave, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Shiringa, materiale shëndetësore nga më të ndryshmet, dorashkat mbushin kazanët e plehrave, ndërkohë që ato duhet të grumbullohen në mjedise të posaçme, për t’u përpunuar në autoklava. Situatën alarmante të hedhjes së mbetjeve vend e pavend e pranojnë edhe autoritetet e mjedisit, të cilat paraditen e së martës kanë nisur inspektimet. Kryeinspektori Ergys Agasi paralajmëron sanksione për të gjitha ato subjekte që nuk përmbushin kriteret, ndërkohë që u bën thirrje të gjitha atyre spitaleve që nuk kanë autoklava t’i vendosin ato. ”Subjekte të cilat nuk i trajtojmë dhe nuk janë të pajisur me leje mjedisore do të merren masa drastike me gjobat maksimale dhe deri në mbylljen e aktivitetit. Objektet të cilat nuk kanë mundësi t’i trajtojnë këto mbetje janë subjekte të tjera të cilat merren me autoklavimin dhe me trajtimin e këtyre mbetjeve, kështu që i detyron subjektet në raste kur nuk kanë mundësi i sugjerojnë të pajisen me autoklavë”, – tha Ergys Agasi, kryeinspektor i Mjedisit.

 

 

Pogradec

Nga 680 nxënës vetëm 100 frekuentonin shkollën, skema për të dhënë diploma false

Një inspektim në shkollën e mesme profesionale “Enver Qeraxhi” në qytetin e Pogradecit ka evidentuar faktin se nga 680 nxënës që rezultojnë të regjistruar në shkollë, vetëm 100 prej tyre e frekuentojnë rregullisht mësimin. Inspektimi është bërë nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila tha se në këtë shkollë janë evidentuar edhe shkelje në regjistrin e një klase, ku mësuesja nuk shënonte prej kohësh mungesat. Nikolla theksoi se këto shkelje lidhen direkt me numrin fiktiv të mësuesve apo diplomave false që dalin nga kjo shkollë. Ajo premtoi se përgjegjësit e kësaj shkeljeje do të vihen para drejtësisë. Ndërkohë, ministrja Nikolla ishte së bashku me Kryeministrin Edi Rama në shkollën 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, e cila aplikon projektin pilot “Shkollat si qendra komunitare”, pjesë e së cilës është edhe vënia në funksionim e sistemit të regjistrit elektronik. Kryeministri, teksa ndoqi në kohë reale dërgimin e menjëhershëm prindit të çdo note apo mungese që vendoset në regjistrin elektronik për çdo nxënës, përmes një mesazhi telefonik, vlerësoi se projekti i jep më shumë siguri dhe forcon lidhjen shkollë-prindër. “Është një projekt që do kohën e vet, por pa asnjë dyshim, ne nuk duhet të humbasim kohë që t’i bashkojmë në një trup të vetëm nxënësit, mësuesit, prindërit dhe qeverinë. Në mënyrë që bashkërisht të bëjmë më të mirën, qoftë për rritur cilësinë e jetës në shkollë, në tërësi, qoftë për të rritur rezultatet e të gjithë nxënësve, në mënyrë të veçantë. Projekti i jep shkollës shumë më tepër siguri, u jep fëmijëve shumë më tepër siguri, u jep prindërve shumë më tepër siguri, garanton progres të vazhdueshëm dhe ka në themelin e vet inovacionin e pandalshëm, duke e shfrytëzuar sa më mirë teknologjinë”, – u shpreh Kryeministri. Ministrja Nikolla theksoi se suksesi i këtij regjistri përbën një motiv inkurajues për ta shtrirë këtë model në të gjitha shkollat e vendit, çka do ta bënte mësimdhënien shumë më bashkëkohore, nxënësin shumë më të përkushtuar ndaj mësimit dhe prindin pjesë të orës së mësimit.

 

Share it :