Fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të mbështetë: grumbullimin e frutave dhe perimeve, prodhimin e produkteve organike, prodhimin e rrushit dhe bimëve mjekësore, prodhimin e perimeve në mjedise të mbrojtura, mbrojtjen e ullishtave nga dëmtimi prej mizës së ullirit etj.
Përcaktohen kriteret për fermerët në bujqësi dhe blegtori, të cilët do të subvencionohen nga qeveria. Dje Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e ministrit të Bujqësisë për përcaktimin e fondeve që do të jepen për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe agropërpunimor. Fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të mbështetë: grumbullimin e frutave dhe perimeve, prodhimin e produkteve organike, prodhimin e rrushit dhe bimëve mjekësore, prodhimin e perimeve në mjedise të mbrojtura, mbrojtjen e ullishtave nga dëmtimi prej mizës së ullirit, mbarështimin e gjedhit dhe bagëtive të imta, prodhimin e produkteve blegtorale, prodhimin e mjaltit, prodhimin e sektorit të akuakulturës si dhe nxitjen e kreditimit bankar dhe investimeve në sektorin e bujqësisë. “Vlera prej 154 000 000 lekësh do të përdoret për bashkëfinancim me projektin IPA 2011, “Mbështetje për bujqësinë dhe zhvillimin rural”. Këto fonde do të zbatohen sipas marrëveshjes operacionale të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, AZHBR-së dhe projektit GIZ. Financimi i masës mbështetëse për prodhimin në serra me ngrohje qendrore, sipas rastit, të bëhet edhe në tremujorin e parë të vitit pasardhës, me fondet e caktuara për vitin përkatës buxhetor, por gjithnjë sipas masës së përfitimit të përcaktuar për vitin 2014. Procedura dhe mënyra e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural përcaktohen në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave”, – thuhet në vendimin e qeverisë.
Masa e përfitimit
– Mbështetjen për dorëzimin e prodhimit të frutave dhe perimeve në pikat e grumbullimit ose përpunimit, në masën 15% të vlerës së mallit të shitur dhe të vërtetuar me faturë tatimore, për jo më pak se 30 kv dhe jo më shumë se 300 kv, për frutat, dhe për jo më pak se 50 kv dhe jo më shumë se 400 kv, për perimet.
– Mbështetjen e fermave organike, në vlerën 80 000 lekë/fermë të certifikuar.
– Përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të vreshtave me fidanë të kultivarëve autoktonë, në vlerën 600 000 lekë/ha dhe me fidanë të kultivarëve të tjerë, në vlerën 500 000 lekë/ha për sipërfaqe jo më të vogël se 0.2 ha dhe jo më të madhe se 10 ha.
– Përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të bimëve mjekësore të kultivuara si: sherbelë, lavanda, timus, rigon, rozmarinë, mëllagë e bardhë, tërfili i kuq dhe kokoçeli (lule ciani), në vlerën 250 000 lekë/ha për sipërfaqe jo më të vogël se 0.2 ha dhe jo më të madhe se 10 ha.
– Mbështetja e prodhimit në serra me ngrohje qendrore përmes financimit, në masën 50% të kostos së lëndës djegëse, të vërtetuar me faturë tatimore të shoqëruar me kuponin e kasës fiskale ose me urdhër xhirimi të bankës.
– Ujitja me pika në ullishte, vreshta, pemëtore, agrume (vetëm për format intensive të kultivimit të tyre), në vlerën 250 000 lekë/ha, por financimi të bëhet për jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha.
– Rehabilitimi i blloqeve të ullishtave ekzistuese të vjetra dhe/ose të degraduara, në masën 450 000 lekë/ha, por jo më shumë se 300 ha në shkallë vendi.
– Mbrojtja e ullishtave nga dëmtimi prej mizës së ullirit, në bllok dhe sipas zonave prioritare të prodhimit, në vlerën jo më shumë se 35 000 lekë/ha.
– Mbështetja e prodhimit të qumështit me 10 lekë/litër për fermat blegtorale që dorëzojnë minimalisht 1500 litra qumësht në muaj, por jo më shumë se 150 000 lekë për fermë në muaj. Pagesa të bëhet kundrejt sasive të qumështit të shitura me faturë tatimore.
– Mbështetja e fermave blegtorale që mbarështojnë në mënyrë ekstensive lopë të matrikulluara në vlerën 10 000 lekë/krerë, por financimi të bëhet për jo më pak se 10 krerë dhe jo më shumë se 50 krerë.
– Mbështetja e fermave blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 100 krerë dele ose dhi të matrikulluara, në vlerën 1 200 lekë/krerë, por financimi të bëhet për jo më shumë se 300 krerë.
-Mbështetja e mishit të të imtave, në vlerën 500 lekë/krerë të matrikulluar, për çdo therje në thertore, dhe 100 lekë, për lëkurën e dorëzuar në fabrikën e përpunimit në vend.
– Mbështetja e mishit të derrit, në vlerën 500 lekë/krerë të matrikulluar, për çdo therje në thertore, dhe 100 lekë, për lëkurën e dorëzuar në fabrikën e përpunimit në vend.
-Mbështetja e mishit të gjedhit, në vlerën 2 000 lekë/krerë të matrikulluar, për çdo therje në thertore, dhe 200 lekë, për lëkurën e dorëzuar në fabrikën e përpunimit në vend.
-Mbështetja për bletërritësit me jo më pak se 50 koshere bletë, në vlerën 1 000 lekë/koshere.
– Mbarështimi intensiv i kërmillit, në masën 50% të vlerës së rasatit deri 500 kg/ha, por jo më shumë se 500 000 lekë/ha. Kjo mbështetje të jetë për ata që fillojnë investimin për mbarështimin e kërmillit për herë të parë. Për mbarështuesit, që e kanë bërë investimin fillestar më parë, të mbështeten fermat që bëjnë mbarështimin intensiv të kërmillit, me një vlerë 250 000 lekë/ha.
– Mbështetja e sektorit të akuakulturës, në masën 25% të vlerës së rasatit, por jo më shumë se 600 mijë lekë/fermë dhe 25% të vlerës së ushqimeve për peshkun nën kultivim, por jo më shumë se 500 mijë lekë/fermë, vërtetuar me faturë tatimore të shoqëruar me kuponin e kasës fiskale ose me urdhër xhirimi të bankës.
– Mbështetja për dorëzimin e prodhimit të midhjeve në qendrat e grumbullimit dhe/përpunimit, në vlerën 10 lekë/kg të dorëzuar (të shitur) e të vërtetuar me faturë tatimore, por financimi të bëhet për jo më pak se 200 kv dhe jo më shumë se 1 000 kv në vit.
– Mbështetja, përmes subvencionit, në masën 70% të normës së interesit, për 7 vite radhazi, për kreditë deri në 30 000 000 lekë, që do të merren për aktivitetet e mëposhtme”.
Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës dhe bimëve mjekësore. Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë dhe akuakulturës. Mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, por jo më shumë se 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë për një subjekt, për: ngritje ambientesh për grumbullim dhe ruajtje të prodhimit, linja për standardizim dhe/ose përpunim prodhimi,mekanikë bujqësore dhe hapje pusesh, rezervuarësh për vaditje dhe lerash.
Vazhdon konflikti Bashki-Prefekturë
Dje, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama të ndalojë bllokimin që po i bën buxhetit të Bashkisë. “Buxheti i Bashkisë së Tiranës vazhdon të mbetet i bllokuar. Bllokimi i buxhetit dëmton drejtpërdrejt interesat e qytetarëve të Tiranës. Bllokimi i buxhetit pamundëson financimin e ndërtimit dhe rikonstruksionit të 69 shkollave të mesme, çerdheve dhe kopshteve për vogëlushët e Tiranës, të laboratorëve të rinj dhe palestrave të reja, të instalimit të ngrohjes në 100% të çerdheve dhe kopshteve dhe 90% të shkollave të mesme, deri në fund të këtij vitit; bllokon financimin e ndërtimit të 82 km rrugë të reja dhe 128 mijë m² sipërfaqe e gjelbër. Bllokimi i buxhetit ka pamundësuar financimin e qendrave sociale, ku marrin mbështetje më shumë se 2300 qytetarë në nevojë, financimin e projekteve kulturore të Tiranës, mbështetjen për artistët e rinj, për piktorët, fotografët, muzikantët, mbështetjen për sportin dhe të gjitha veprimtaritë e shumta sportive që Bashkia organizon përgjatë një viti. Bllokimi i buxhetit pamundëson financimin e shpronësimit dhe kostot lokale për veprat e mëdha publike të Tiranës, si bulevardi i ri, lumi i Tiranës, linjën e tramit Kombinat – Kinostudio, stacionin multimodal të pasagjerëve apo dhe projekti për zgjidhjen përfundimtare të mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve në Tiranë”, – tha Bozdo gjatë një daljeje për shtyp. Nga ana tjetër, prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, i ka kërkuar Bashkisë që të dëmshpërbleje qytetarët, banesat e të cilëve do të prishen për shkak të ndërtimit të bulevardit, në mënyrë që të firmosë buxhetin e Bashkisë. “Si prefekt i Qarkut Tiranë, nuk mund të lejoj që qindra banorëve të kryeqytetit, siç e kemi parë edhe në protestat e zhvilluara prej tyre, t’u prishen shtëpitë nga Bashkia, pa u saktësuar më parë fondi që do t’i dëmshpërblejë ata”, – tha Vorpsi.
Ndryshimet
Rialokohet numri i punonjësve në njësitë e qeverisjes qendrore
Po dje, qeveria miratoi edhe vendimin për rialokimin e numrit të punonjësve në njësitë e qeverisjes qendrore. “Numri i punonjësve të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit bëhet 23 veta, duke e çuar numrin total të punonjësve të institucioneve të tjera qeveritare në 269 veta. Numri i punonjësve përballohet nga rezerva e parashikuar në ligjin vjetor të buxhetit, numri total i së cilës bëhet 9 veta. Në programin “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme, pakësohet fondi prej 20 000 000 lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”. Në programin “Shërbime të tjera”, në buxhetin e miratuar të vitit 2014, për Sekretariatin Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, shtohet fondi prej 20 000 000 lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, – përcakton vendimi i qeverisë.
Dëmshpërblimi
Qeveria ekzekuton vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Këshilli i Ministrave ka miratuar 4 vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut të cilat detyrojnë shtetin shqiptar t’u paguajë dëmet e mëposhtme shtetasve të saj. “Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr. 49109/06, “Delvina kundër Shqipërisë”, në shumën 2 022 900 euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr. 63756/09, “Themeli kundër Shqipërisë”, në shumën 3 900 euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr. 13620/10, “Tushaj kundër Shqipërisë”, në shumën 1 300 euro, plus edhe çdo taksë që mund të jetë e tatueshme në lidhje me dëmin moral, shumën prej 500 eurosh si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për kostot dhe shpenzimet. Vlera në total e detyrimit është 1 800 euro. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 31.7.2012, për ankimet nr. 604/07, nr. 43628/07 dhe nr. 46684/07, “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për pjesën e mbetur të detyrimit”, – thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.




