200 pika presioni rreth Vjosës, a mjafton mbjellja e disa bimëve për ta shpëtuar?!

Në një segment të Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, pranë fshatit Rromës në Mallakastër, po zbatohet një projekt restaurimi i brezit breglumor përmes mbjelljes se rreth 7,500 bimëve autoktone në 3 hektare sipërfaqe, me një investim prej 6.5 milionë lekësh.

Projekti, pjesë e EU4Nature, përfshin edhe komunitetin lokal dhe garanton mirëmbajtje për 3 vite, duke forcuar brigjet e lumit dhe krijuar habitate të reja për biodiversitetin.

Sipas inxhinierit të pyjeve Nexhip Hysolako, në këtë segment të Vjosës po krijohet një brez i gjelbër me vërri, (pemë që rriten pranë zonave të lagështa) shelg, plep të bardhë dhe rrap, me qëllim që zona të marrë formën e një pylli natyror.

Eduina Guga, Drejtore e Administratës së Zonave të Mbrojtura për Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa, thotë se, kjo ndërhyrje mund të shërbejë si model për zona të tjera përgjatë parkut.

Një zonë e degraduar ndër vite

Sipas hidrobiologut Olsi Nika, segmenti ku po ndërhyhet është një zonë që ka pësuar degradim të akumuluar ndër vite.

Ai thotë se, zona pranë Romës përfaqëson një habitat tipik të pyjeve aluvionale (pyll që rritet në toka të krijuara nga depozitimet e rërës, baltës dhe materiale të tjera që sjellin lumenjtë gjatë përmbytjes), por gjatë dekadave të fundit është dëmtuar nga mbikullotja, zjarret periodike dhe ndotja e shkaktuar nga aktivitetet njerëzore.

Këta faktorë, sipas tij, kanë reduktuar mbulesën bimore dhe kanë kufizuar rigjenerimin natyror të pyjeve breglumore.

Në shumë segmente të lumit, sipas tij, përmbytjet dhe transporti i sedimenteve krijojnë një dinamikë të fortë të habitatit.

Banorët 

Të njëtën situatë konfirmojnë edhe banorë të zonës. Një prej tyre, Hasan Pashai, solli ndërmend se përgjatë brezit të lumit ka pasur më herët shumë më tepër gjelbërim.

“Këtu ka pasur akacie, plep, vërri, rrap edhe lajthi, por janë zhdukur me kalimin e viteve”, tha ai.

Të dy banorët theksuan se mbjellja nuk është e mjaftueshme nëse zona nuk ruhet.

“Ja e mbollëm, t’i kthejmë kurrizin pastaj?!”, tha banori Fatmir Saliaj, ndërsa tjetri kërkoi që ndërhyrja të zgjerohet dhe brezi i lumit të ruhet “me fanatizmin më të madh”.

Shkaqet e degradimit 

Sipas ekspertit të mjedisit, Olsi Nika, degradimi i habitateve përgjatë Vjosës lidhet me një kombinim faktorësh natyrorë dhe njerëzorë.

Një nga shkaqet kryesore të degradimit të brezit breglumor, sipas tij, është përdorimi intensiv i tokës përreth lumit, veçanërisht kullotja e pakontrolluar, e cila dëmton fidanët e rinj dhe pengon në stabilizimin e habitatit. 

Përveç kësaj, eksperti Nika shpjegon se, nxjerrja e inerteve nga shtrati i lumit ndryshon strukturën natyrore dhe ndikon në transportin e sedimenteve (materiale që lumi i merr me vete dhe i depoziton gjatë rrjedhës).

Ndërkohë, ndotja nga aktivitetet bujqësore dhe përdorimi i pesticideve, sipas tij,  e rëndon më tej gjendjen.

“Një tjetër faktor, – që ai rendit, – janë zjarret e përsëritura dhe ndryshimet në përdorimin e tokës, të cilat kanë fragmentuar peizazhin dhe kanë dobësuar lidhjen natyrore mes lumit dhe zonave të përmbytjes”.

Ermela Toçi, përfaqësuese e projektit EU4Rivers, thotë se Vjosa përballet me presione të përditshme, si shkarkimet e ujërave urbane, ndotja nga aktivitetet bujqësore dhe ndërhyrjet në shtratin e lumit, përfshirë nxjerrjen e inerteve.

Sipas saj, mungesa e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura mbetet një nga problemet më të mëdha në zonë.

Nevoja për restaurim 

Edhe Olsi Nika vëren se problematika nuk kufizohet vetëm në segmentin e Rromës.

Një studim fizibiliteti i realizuar nga ekspertë të Universitetit të Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë (BOKU) dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës ka identifikuar rreth 250 hektarë zona, që kanë nevojë për restaurim përgjatë Vjosës dhe degëve të saj, të shpërndara në rreth 10 segmente të ndryshme të luginës.

Megjithatë, eksperti Nika thekson se pjesë të mëdha të sistemit lumor të Vjosës mbeten ende në gjendje shumë të mirë ekologjike, ç’ka e bën lumin unik në shkallë evropiane.

Ndërhyrja e kufizuar 

Në këndvështrimin e ekspertit Olsi Nika, restaurimi i 3 hektarëve me rreth 7,500 fidanë ndihmon në krijimin e kushteve më të favorshme për biodiversitetin lokal. Por, ai e sheh procesin  kompleks dhe afatgjatë.

“Ndërhyrje të tilla mund të kenë ndikim pozitiv lokal, por ndikimi i tyre mbetet i kufizuar nëse nuk shoqërohen me masa më të gjera restaurimi dhe menaxhimi në të gjithë peizazhin lumor”, thotë ai.

Presionet që mbeten

Sipas një raporti të EcoAlbania, në Parkun Kombëtar të Vjosës dhe brenda një rrezeje prej 2 kilometrash nga kufijtë e tij janë identifikuar rreth 200 pika presioni të lidhura me aktivitete ekonomike. Këto përfshijnë industrinë nxjerrëse, marrjen e ujit, nxjerrjen e inerteve nga shtrati i lumit, ndotjen nga mbetjet urbane si edhe zhvillimin e pakontrolluar të turizmit.

Ndaj dhe, eksperti Nika thekson se nevojitet më shumë staf në terren, kapacitete teknike dhe monitorim shkencor afatgjatë.

Gjithçka në dorën tonë

“Projekti EU4Nature mund të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit të Shqipërisë. Megjithatë, edhe autoritetet shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre për të përballuar presionin në rritje mbi zonat e mbrojtura. Mbrojtja e natyrës shkon përtej përafrimit të politikave; ajo kërkon veprime konkrete në terren”, thotë Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

/Faktoje.al

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :
Çështja ‘Partizani’, avokati Cakrani: Balla një kallëzues i rremë, gjyqi më qesharak në histori Avokati Kujtim Cakrani i cili ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv e ka cilësuar procesin gjyqësor për çështjen “Partizani”, si “më qesharakun që mund të ketë ndodhur ndonjëherë” dhe ka lëshuar sulme direkte ndaj kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dhe SPAK-ut. Në qendër të argumentit të avokatit ishte absurditeti, sipas tij, i padisë. “Të bësh gjyq me pronarin pse ke marrë tokën tënde. T’i thuash pronarit pse ke marrë tokën tënde dhe ke investuar,” deklaroi ai, duke e quajtur situatën një farsë. Ai argumentoi se pronari legjitim ka zhvilluar tokën e tij dhe nuk ia ka vjedhur atë askujt, as shtetit e as ndonjë pronari tjetër. Sipas tij, kjo logjikë ndjekjeje penale vjen nga një mentalitet që nuk e kupton konceptin e pronës private, duke e sulmuar ashpër Taulant Ballën. “Një plebe, një skllav i lindur, nuk e kupton dot pronarin privat. Asnjë nga Partia Socialiste s’e kupton dot çfarë do të thotë pronar,” u shpreh avokati. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, avokati e akuzoi drejtpërdrejt Taulant Ballën si një “kallëzues i rremë”, duke pretenduar se denoncimi nuk është bërë realisht prej tij, por nga qarqe të tjera që e përdorin atë. “Taulanti është kallëzues i rremë. Balla nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej në gjykatë pyetjeve që lidheshin me vetë kallëzimin që kishte firmosur. E gjithë kjo, sipas tij, është një manovër politike që ka si qëllim të vetëm përfshirjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në çështje, duke shfrytëzuar një ligj të miratuar gjatë qeverisjes së tij, i cili, sipas avokatit, u ka kthyer pronat mijëra pronarëve legjitimë. Flavio Qarri: Komentet e Taulant Ballës, pyetjet që ju bën, i kemi lexuar të gjithë besoj. Të fillojmë nga Cakrani meqë e ka ekspertizë këtë pjesë… Kujtim Cakrani: Flavio, shiko, ai është gjyqi më qesharak që mund të ketë ndodhur ndonjëherë, jo në Shqipëri, por edhe në Evropë. Tani, të bësh gjyq me pronarin pse ke marrë tokën tënde. Pra, t’i thuash pronarit, pse ke marrë tokën tënde dhe ke investuar. Supozojmë, ai e ka marrë tokën e tij. E ka marrë dhe e ka zhvilluar tokën. Kë tokë ka marrë ai? Ja ka vjedhur dikujt tokën, i ka vjedhur shtetit tokën? I ka vjedhur ndonjë pronari tjetër tokën? Ore, e kupton sa qesharake është? Ai atje ka investuar. Ti çfarë i thua, pse ke investuar në tokën tënde Ore, e kupton çfarë nivelesh ka arritur apo jo? Po një, plebe, një skllav i lindur nga malet e Librazhdit, si Taulant Balla nuk e kupton dot pronarin privat Flavio. Asnjë nga Partia Socialiste s’e kupton dot çfarë do të thotë pronar. As ajo, mbesa e Beqirit. Nuk e kupton dot çfarë do të thotë pronar. Se kur vjen nga skllavëria, nga plebeu, nuk e kupton dot dhe Taulant Balla, është tipiku i plebeut skllav. Nuk e kupton dot. Flavio Qarri: Po si e komentoni atëherë sjelljen arrogante jashtë dhe atë sjelljen e çuditshme brenda? Kujtim Cakrani: Ore, ma ke marrë tokën 75 vite, ma more tokën 80 vite, më paguaj qiranë o vëlla ti. Më ke rrëmbyer tokën në 45-ën, më ke nxjerrë jashtë, më ke shkatërruar familjen, më ke shkatërruar çdo gjë të shenjtë dhe të shtrenjtë të jetës time. Më ke marrë tokën, unë po marr tokën time. Ku është këtu problemi që kjo çështje duhet të kalojë, në ndjekje penale. Ku është mo vëlla? Nga ai ligji i Sali Berishës kam fituar edhe unë. I bie që unë kam korruptuar Sali Berishën? Unë kam korruptuar Këshillin e Ministrave? Unë e kam përfituar, familja ime dhe shyqyr që u bë ai ligj. Shyqyr që përfitojnë pronarët, kanë përfituar mijëra, mijëra pronarë. Nga ai ligj. Ja, unë ky që po flet këtu, i bie që unë duhet të hetoj SPAK-un se unë kam korruptuar Sali Berishën… Flavio Qarri: E kuptoj, ishte pyetje juridike avokat për komentet e Taulant Ballës. Si i vlerësoni ato? Flas për përgjigjet që i dha brenda. Kujtim Cakrani: Taulanti është kallëzues i rremë vëlla. Taulanti nuk ia ka bërë kallëzimin Taulantit. Duhet të kuptoni diçka. As për zotin Meta nuk e ka bërë kallëzimin ata. Kallëzimet janë bërë diku tjetër, e kupton? Taulanti është kallëzues i rremë. Taulanti nuk u përgjigj dot asnjë pyetje, nga ato që ai kishte shkruajtur vetë në kallëzimin penal. Dhe unë të isha si Malltezi sot do merrja të zbardhur transkriptin e e gjykatës së sotme do t’i bëja kallëzim penal atij individi, atij palaço. E kuptoni apo jo? Sepse këta krijojnë urrejtje, alimentojnë urrejtje sot akoma ndaj pronarëve legjitimë. E kupton apo jo? Kjo është e pafalshme, është e papranueshme. Taulant Balla dje nuk ka thënë asgjë nga ato që kishte në kallëzim. Madje mori kallëzimin do lexonte kallëzimin se s’dinte çfarë kishte shkruajtur. Sepse ai, ai nuk e ka bërë vetë dhe ai nuk ka ditur çfarë ka bërë. Ajo ka qenë, ajo çështje kur është kallëzuar, është kallëzuar për shpërdorim detyre. Dhe ajo është kallëzuar për Jamarbër Malltezin, jo për Sali Berishën. Po mua, si ka mundësi që ti, prokuroria e posaçme hetoi Jamarbër Malltezin pa emër deri, dy javë para se të nxirrte, të kërkonte masën e arrestit. Dhe ndërkohë pse duhet ta hetonte ajo dhe jo prokuroria e Tiranës? Që këtu ka lindur gjithë, kleçka juridike. Nëse dikush, nëse unë çoj një kallëzim penal për një individ që nuk ka lidhje fare me, pushtetin e kështu me radhë, në kuptimin që nuk e lidh gjë. S’ka pasur funksione publike e kështu me radhë, përse duhet ta hetojë SPAK-u? Po ajo kishte një qëllim prapavijë, sepse duhej patjetër të involvohej, të përfshihej zoti Berisha. Kjo është e vërteta. Është te zoti Meta që i kanë hetuar vjehrrën e zotit Meta, si ka marrë tokën në 91-shin, kanë thirrur dhe komisionin e tokës të 91-shit, si ka marrë tokën zonja, ajo ish-vjehrra e zotit Meta, e kupton çfarë bëjnë këta more o ti? E kupton çfarë kapërcimesh juridike bëjnë këta apo jo? Kjo është e tmerrshme me këta sepse, sepse këta nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre o Flavio. Ky është, problemi i kësaj. Nuk mbahet përgjegjësi për veprimet e tyre kur ju prishet nesër në gjykatën e Strasburgut. Po sa vendime kemi ne që na ka prishur gjykata e Strasburgut…