Sonja Caka
Seanca shtyhet për mungesë të avokatit, relatore gjyqtarja Fatmira Hajdari. Kjo e fundit i dha pafajësi Arben Isufajt në Shkallën e Parë
Gjykata e Apelit do të vendosë nesër nëse do të pranojë apo jo kërkesën e drejtësisë italiane për ekstradimin e “Ben Qimes” drejt Italisë. Arsyeja e shtyrjes së seancës së djeshme dhe për pasojë e vendimit për t’u shprehur më 3 prill për ekstradimin e Arben Isufajt për në shtetin fqinj ka qenë mungesa e avokatit të parë, që ka mbrojtur interesat e të arrestuarit në Shkallën e Parë dhe zëvendësimi i tij me një tjetër. Por, duke qenë se për avokatin e dytë nuk ishte lëshuar prokurë, Gjykata vendosi ta shtynte seancën dhe Isufaj të përfaqësohet nga një avokat me prokurë të rregullt. Relatore e çështjes është gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila gjatë kohës që ka qenë gjyqtare në Shkallën e Parë, i ka dhënë pafajësi “Ben Qimes”. Nuk dihet nëse nga ana e akuzës do të ketë pretendim ose jo për këtë moment apo vetë gjyqtarja mund të japë dorëheqjen, për shkak të përfshirjes së saj në gjykim për një tjetër çështje, ku Isufaj akuzohej për vrasjen e Pirro Koçiut.
Seanca
Gjykata e Apelit të Tiranës duhej të vendoste dje për dërgimin e tij në shtetin fqinj, por zëvendësimi i avokatit ka bërë që trupa gjyqësore ta shtyjë seancën. Avokati i parë i Arben Isufajt mësohet se ka marrë një detyrë shtetërore dhe për këtë shkak nuk mund të mbrojë atë. Të ndodhur në këtë situatë, familjarët kanë kontaktuar dhe caktuar një tjetër avokat, Ardian Vishën. Të ndodhur në këtë situatë, trupa gjyqësore e drejtuar nga Fatmira Hajdari ka vendosur shtyrjen për dy ditë të vendimit për ekstradimin e Ben Qimes. Në datën 11 mars 2014, Gjykata e Tiranës e kishte lënë në arrest me burg Arben Isufajn. Ndaj këtij shtetasi nga Interpol Roma është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos ka vendosur masën e “Arrestit me burg” për Arben Isufajn në qershor të vitit 2010.
Akuza
Drejtësia italiane ka sjellë një dosje në Tiranë për shtetasin Arben Isufaj. Bëhet fjalë për disa dokumente të mbërritura nga Interpoli, të cilat konfirmojnë se shtetasi i arrestuar nga Policia e Shtetit është në kërkim ndërkombëtar dhe kërkohet nga drejtësia italiane. Pikërisht ky dokumentacion tregon se Arben Isufi rezulton i dënuar me 30 vite burg për trafik droge në disa zona të ndryshme të Italisë. Pritet që brenda 40 ditësh autoritetet italiane të sjellin pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradimin e biznesmenit Arben Isufaj, me qëllim vuajtjen e dënimit në Itali. Arrestimi i Isufajt është kryer mbrëmjen e së dielës, datë 9 mars 2014, nga forcat RENEA. Familjarët e këtij shtetasi ngrenë pretendimin se i afërmi i tyre nuk ka qenë në Itali prej vitesh dhe akuzat për pjesëmarrje në trafik droge apo pjesëmarrje në organizata kriminale nuk qëndron.
Kërkesa
Kërcënohej nga kushëriri për konfliktin e pronësisë, merr urdhër mbrojtjeje
Urdhrat e mbrojtjes nuk po lëshohen tashmë vetëm për dhunën mes bashkëshortëve apo dhe fëmijë-prindër, por edhe për konfliktet e pronësisë. Kështu, Gjykata ka urdhëruar lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për një shtetas, i cili kërcënohej dhe dhunohej nga kushëriri i tij, për shkak të një konflikti pronësie që kishin mes tyre. Kërkuesi i këtij urdhri, Ali Puma, ka shpjeguar para Gjykatës se ka shtëpinë në fshatin Shëngjine, Komuna Shëngjergj, dhe ka pak vite që ka ardhur me banim në Tiranë, konkretisht në Qesarakë. Sipas deklarimeve të tij, ai shkon vazhdimisht në fshat, ku e ka banesën në një kulm me të paditurin, Albert Puma. Si familje janë ndarë në vitin 1975, me të atin e tij, pasi babai i tij me babain e Albertit janë kushërinj të parë. Paditësi jeton në Tiranë, por në fshat ka pronën e tij. Brenda oborrit të shtëpisë nuk ndihet i sigurt, pasi i padituri vetëm e ofendon, nuk e lë rehat, e qëllon me gurë. Shkaku është një konflikt pronësie që kanë për një sipërfaqe toke. I padituri i thotë se prish murin dhe avllinë. Po sipas deklarimeve të Ali Pumës, në datën 20 shkurt të këtij viti, ka shkuar për të punuar në pronën e tij dhe i padituri e ka ngacmuar, duke i hedhur gurë, atij dhe të shoqes. Para disa kohësh e ka plagosur djalin e tij, duke e qëlluar me gurë, ndërkohë që është hapur çështje penale, e cila është amnistuar nga Prokuroria. Gjithashtu, i padituri është dënuar edhe për shkatërrim prone në datën 16.10.2013, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Këto dite që ka shkuar në shtëpinë e tij në fshat, ndihet i rrezikuar nga momenti në moment. Incidenti më i fundit ka ndodhur më datë 20.2.2014, në oborrin e banesës së tij, ku i padituri ka përdorur dhunë, duke e qëlluar me gurë paditësin, duke e ofenduar. Ndërkohë, rezulton se në datën e caktuar nga Gjykata për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, pala paditëse deklaroi se i padituri Albert Puma e ka kërcënuar përsëri, pasi ai ka shkuar së bashku me të shoqen në fshat, ndërsa i padituri e ka kërcënuar, duke i kërkuar llogari dhe duke e shqetësuar se përse i është drejtuar Gjykatës. Vetë i padituri ka mohuar kërcënimin dhe ofendimin ndaj kushëririt të tij, duke kërkuar rrëzimin e kësaj kërkesë. Ndërkohë, paditësi kërkoi lëshimin e urdhrit, pasi ndihet i kërcënuar për jetën nga kushëriri i tij Albert Puma. Gjykata, pasi dëgjoi palët, vendosi ta pranonte kërkesën e Ali Pumës, duke lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes për të.




