Gëzim Saliu
Qeveria nënshkruan marrëveshjen e grantit prej 300.000 dollarësh me BNRZH-në
Ndryshon numri i forcave të armatosura shqiptare në Afganistan, 200 mln lekë për shpronësimin e pronarëve nga landfilli “Bajkaj”
Qeveria miraton programin ekonomik dhe fiskal të Shqipërisë për periudhën 2014-2016, si dhe vendos miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2015-2017. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, morën një sërë vendimesh të lidhura me sektorin ekonomiko-financiar në vend si edhe janë miratuar marrëveshje në formë granti të qeverisë me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e programit ekonomik e fiskal të Shqipërisë për periudhën 2014-2016, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhej në vendim. Programi ekonomik e fiskal për vitet 2014-2016 paraqet informacion lidhur me politika ekonomike dhe prioritetet afatmesëm të vendit në kuadrin e reformave strukturore që parashikohen të zbatohen gjatë kësaj periudhe dyvjeçare. Programi paraqet prioritet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe bazohet mbi buxhetin e vitit 2014 si edhe strategjinë e qeverisë për zhvillimin e vendit. Ky dokument, pasi bën të ditur situatën aktuale të zhvillimeve ekonomike, paraqet programin afatmesëm të ekonomisë duke trajtuar në të edhe parashikimet për sektorët, nivelin e inflacionit, kursin e këmbimit etj. Pjesë e këtij programi janë të ardhurat dhe shpenzimet buxhetor për periudhën afatmesme si edhe borxhi publik. Po ashtu në të janë të përfshira reformat e parashikuara nga qeveria për thithjen e investimeve, konkurrencën e privatizimet. Gjithashtu qeveria miratoi dje edhe kuadrin makroekonomik e fiskal për periudhën 2015-2017.
Mbledhja
Një tjetër vendim i marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë ishte edhe ai për miratimin në parim të marrëveshjes së grantit nr. TF014999, ndërmjet “Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga fondi i mirëbesimit me shumë donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të nismës për transparencë në industrinë nxjerrëse në Shqipëri (EITI), me një shumë prej 300.000 dollarësh”. Ndërkohë, Këshilli i Ministrave vendosi që një fond prej gati 20.8 mln lekësh për shpronësimin e pronarëve të prekur nga krijimi i landfillit “Bajkaj” si edhe për ndryshimin e vendimit nr. 532 datë 7.7.2010 të Këshillit të Ministrave “Për pjesëmarrjen e forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacione në shtabe të ndryshme në Afganistan”, të ndryshuar. Me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Në vendimin nr. 532, datë 7.7.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime: a) Në pikën 1.1, nënndarja “-Numri i pjesëmarrësve 3 (tre) ushtarakë.” zëvendësohet me “-Numri i pjesëmarrësve 5 (pesë) ushtarakë.” b) Në pikën 1.2, fjalët “… 31 dhjetor 2014 …” zëvendësohen me “… 31 janar 2014…””, – thuhej në vendimin e qeverisë. Po ashtu, Këshilli i Ministrave vendosi dje t’i dërgojë Parlamentit projektligjin për miratimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes ndryshuese me gjermanen KFV, në lidhje me ndërtimin e linjës 400 KV me Kosovën, të ashtuquajtur ndryshe edhe autostrada energjetike Tiranë-Prishtinë.
Punonjësit me kontratë të përkohshme, numri i përcaktuar nga qeveria
Qeveria vendosi dje edhe për përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes vendore për vitin 2014. Sipas këtij vendimi, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore është 541 veta. “Përjashtimisht, për punonjësit e përkohshëm për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe për 4 (katër) punonjësit e Drejtorisë së Dëmshpërblimit të Ish-të Përndjekurve Politikë në Ministrinë e Financave, nuk zbatohet pika 3, e vendimit nr. 1703, datë 24.12.2008, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”. 3. Përjashtimisht, për qendrat e transferimit të teknologjisë në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për shkak të veçorisë së punës, pagesa e punonjësve të kontraktuar përllogaritet sipas volumit të punës së kryer dhe paguhet sipas preventivit përkatës”.
Krijohet Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave
Pas ngritjes së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe të agjencive rajonale të mjedisit, qeveria ka vendosur të krijojë edhe Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave. Detyra kryesore e ISHMPU-së do të jetë garantimi i respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pyjeve dhe ujërave. “ISHMPU-ja është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën përkatëse në përputhje me përgjegjësitë e ministrisë përgjegjëse për mjedisin, ujërat dhe pyjet. Përveç sa parashikohet në pikën 2, të këtij kreu, ISHMPU-ja është përgjegjëse për çdo funksion apo kompetencë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për inspektoratin shtetëror që mbulon fushën e mjedisit. ISHMPU-ja ushtron juridiksionin e vet territorial në të gjithë territorin e vendit”.
Me 12 përfaqësuesit e Preshevës
Bushati: Maksimizim i përfaqësimit institucional të shqiptarëve
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u konfirmoi dje disa përfaqësuesve të Luginës së Preshevës se qeveria do të qëndrojë më pranë problemeve që shqetësojnë Luginën. Në një takim të zhvilluar me 12 përfaqësues politikë lokalë dhe të shoqërisë civile të Luginës së Preshevës, ministri i Jashtëm, Bushati, tha se kohezioni i faktorit politik dhe shoqëror shqiptar i artikuluar nëpërmjet një platforme përbashkuese të qëndrimeve konkrete, përbën një interes jetik për shqiptarët e Preshevës. Ministri Bushati njohu pjesëmarrësit me prioritetet e politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë për një qasje më aktive dhe më pranë shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, në përputhje me aktet dhe parimet ndërkombëtare të gjithë pranuar. Diskutimet u përqendruan në nevojën për maksimizimin e përfaqësimit institucional të shqiptarëve, përfshirjen më të plotë në jetën ekonomike dhe sociale, sikundër pasqyrimin më realist të situatës në Luginën e Preshevës, pranë institucioneve ndërkombëtare. Ministri Bushati gjithashtu i informoi pjesëmarrësit mbi mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, në 11 janar 2014 në Prizren, si dhe mbi rëndësinë e marrëveshjeve të arritura, përfshirë këtu financimin për maternitetin e Preshevës dhe krijimin e fondit zhvillimor.




