Vasili: Kushtetuesja dhe Peleshi, tango mafioze kundër rendit kushtetues!
Nga Petrit Vasili
Tashmë, me sopatë në dorë, Gjykata Kushtetuese dhe Kryetari i Kuvendit, Peleshi, po shkatërrojnë me vetëdije mafioze shtyllat e rendit kushtetues.
Gjykata Kushtetuese është kthyer përfundimisht në një legen privat të qeverisë, ku lahen qelbësirat e korrupsionit qeveritar.
Çështjet shtetërore të një rëndësie kritike trajtohen nga kjo Gjykatë Kushtetuese si pazar privat i leverdishëm dhe aspak si përgjegjësi supreme ndaj Kushtetutës dhe vendit.
Zvarritja me regji dhe vendimet thellësisht të kompromentuara, klienteliste, kundër interesit publik dhe atij shtetëror të Kushtetueses, janë tashmë “normaliteti” rilindas i kësaj Gjykate, që ka shënuar kulmin e saj me çështjen e ankimit të Ramës për çështjen Balluku.
Zvarritja e kësaj çështjeje e ka groposur përfundimisht autoritetin dhe moralin e kësaj Gjykate.
Ndërsa Peleshi, valltari tjetër i tangos mafioze politike, e ka kthyer Kuvendin në një sekt antiligj dhe antikushtetutë, që me urdhër të Ramës bllokon veprimet e Kuvendit për çështjen Balluku, duke e kthyer atë në një sipërmarrje korruptive të hapur.
Rrëmbimi antikushtetues i Kuvendit nga Peleshi dhe uzurpimi antiligjor i të drejtave të opozitës për zvarritjen me skenar të çështjes Balluku janë fajë shumë të rënda, që dënohen me ligj.
Kjo tango Gjykatë Kushtetuese-Peleshi është ekspozuar qartë si një valle mafioze dhe duhet trajtuar me rreptësinë më të madhe nga SPAK, për të mos u kthyer në bashkëfajtorin e madh me mosveprimet e tij.




