Bie propaganda e qeverisë, konviktet e studentëve me pllaka të thyera dhe pa ngrohje

Bie propaganda e qeverisë, konviktet e studentëve me pllaka të thyera dhe pa ngrohje

Hyrja e qytetit “Studenti” të ofron shpresë. Godinat e rikonstruktuara dallojnë me fasada të lyera rishtazi, dritare të reja dhe tabela, që shpërfaqin logot e financuesve ndërkombëtarë

Por mjafton të ecësh disa hapa më tej dhe kontrasti bëhet i dukshëm. Ngjyrat zbehen, muret gri me suva të plasaritur dhe shkallët e konsumuara nga vitet tregojnë një histori tjetër, atë të konvikteve që nuk kanë parë dorë rikonstruksioni.

Dëshmitarët e “dy kohëve” masin pllakat, si relike të sistemit komunist, por që vijojnë të shkelen nga të rinjtë e sotëm që quhen “gjenerata Z”.

Qyteti Studenti ka ndryshuar, por jo i gjithi.

Një pjesë e konvikteve janë rikonstruktuar dhe ofrojnë kushte dukshëm më të mira, ndërsa pjesa tjetër vijon të funksionojë me problematika infrastrukturore, ashtu si para protestave të studentëve të vitit 2018.

Çfarë u premtua

Konviktet u kthyen në simbol të degradimit gjatë protestave studentore të dhjetorit 2018. Në përgjigje, qeveria prezantoi “Paktin për Universitetin”, ku transformimi i konvikteve ishte një nga shtyllat kryesore.

“Brenda këtij mandati të gjitha konviktet do të jenë në situatë katërcipërisht ndryshe dhe ndërkohë, bashkë me Bashkinë e Tiranës do të fillojmë ndërtimin e këtij kampusi dhe brenda mandatit tjetër të kryetarit të bashkisë ne do të përfundojmë kampusin universitar”, deklaronte Kryeministri Edi Rama në vitin 2019

Ndërkohë, asokohe, Kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi nisjen e Kampusit Universitar pas përfundimit të rikonstruksioneve.

Pakti për Universitetin

Pakti për Universitetin parashikonte rehabilitimin maksimal të 13 godinave në Tiranë brenda periudhës 2019-2021, me financim nga KfW dhe buxheti i shtetit.

Çfarë është realizuar

Sipas përgjigjes zyrtare të Rezidencës Studentore Universitare Nr.1, në Qytetin Studenti janë 28 rezidenca aktive.

Prej tyre:

12 janë rikonstruktuar plotësisht: 3, 4, 11-12, 14, 15, 16, 17, 18, 20-21 dhe 22-23.
2 janë rikonstruktuar pjesërisht: 5 dhe 6
13 mbeten të parikonstruktuara: 1, 2, 7-8, 9-10, 13, 24-25, 26-27 dhe 28-29.
Rezidenca Universitare nuk jep një afat konkret për përfundimin e plotë të procesit.

Kapaciteti total i qytetit “Studenti” është 5,144 vende, ndërsa aktualisht janë të akomoduar 3,625 studentë.

Sa paguajnë studentët

Sipas informacionit të publikuar nga Bashkia Tiranë, dhe Rezidenca Studentore Universitare nr. 1, tarifat mujore janë:

6,500 lekë/muaj për godinat 3, 4, 16, 17 (të reja);
5,500 lekë/muaj për 11-12, 13, 15, 18, 20-21, 22-23;
4,500 lekë/muaj për 2, 5, 7-8, 9-10, 24-25, 26–27, 28-29;
Rezidenca 1 ka tarifë 10,000 lekë/muaj.
Pagesa kryhet çdo muaj nga data 1-5. Studentët me ndihmë ekonomike kanë mundësi ta paguajnë me përgjysmim.

Sipas dëshmive nga studentët, këtë vit iu është kërkuar pagesa për gjithë vitin akademik të plotë, duke i vënë në vështirësi ekonomike.

Rrëfimet

Një studente që banon prej 5 vitesh në godinën 9-10, e cila kërkoi të mbetet anonime për shkak të frikës nga reagimi i administratorit, tregon se godina ku ajo jeton është përmendur disa herë si pjesë e listës për rikonstruksion, por deri tani nuk ka pasur ndërhyrje.

“Na është thënë disa herë që godina do mbyllet dhe do rikonstruktohet. Çdo vit dëgjojmë të njëjtën gjë. Por çdo vit jemi këtu,” thotë ajo.

Sipas saj, kushtet brenda godinës nuk kanë ndryshuar prej vitesh. “Dushet hapen me orar, sidomos fundjavave nga ora 12:00 deri në 18:00. Nëse humbet orarin, nuk ke ku të lahesh, vajzat e lajnë kokën shpesh me ibrik. Ngrohja nuk mjafton në dimër. Tualetet bllokohen shpesh. Në dhomë kemi vetëm një prizë dhe nëse përdor pajisje elektrike, na tërheqin vëmendjen për konsum energjie. Unë edhe për riparime hidraulike/elektrike kam paguar vetë se administratorët s’më janë përgjigjur”.

Ajo tregon se ka probleme me instalimet dhe rrjedhje uji në disa ambiente, ndërsa disa kate, sipas saj, nuk janë funksionale plotësisht. “Ka kate që nuk përdoren sepse janë në gjendje të keqe. Ne jemi të sistemuara vetëm në disa pjesë të godinës”

Godina 9-10 figuron zyrtarisht ndër 13 rezidencat e parikonstruktuara.

Studentja thekson edhe një tjetër element që ndikon drejtpërdrejt në zgjedhjen e godinës: diferencën në tarifa dhe konkurrencën për vendet. “Godinat e reja zihen të parat. Edhe nëse dikush nuk do të kursejë dhe është i gatshëm të paguajë më shumë për kushte më të mira, vendet mbarojnë shumë shpejt. Në fund mbetemi pa alternativë”

Tarifat

Sipas tarifave zyrtare, godinat e rikonstruktuara si 3, 4, 16 dhe 17 kanë tarifë mujore 6,500 lekë, ndërsa godinat si 9-10 kanë tarifë 4,500 lekë në muaj.

Diferenca është 2,000 lekë, por sipas studentes, zgjedhja nuk është me dëshirë për shumicën.

“Nuk është se zgjedhim këto sepse janë më të lira. Thjesht këto mbeten. Apartamentet me qira janë shumë të shtrenjta për ne”

Sipas saj, këtë vit pagesa është kërkuar për gjithë vitin akademik, ç’ka e ka bërë më të vështirë përballimin financiar.

Përfundimi

Premtimi i vitit 2019 ishte për transformim të plotë të konvikteve “brenda mandatit”.

Në vitin 2026:

13 nga 28 rezidenca mbeten të parikonstruktuara;
Nuk ka afat publik për përfundimin total;
Kampusi Universitar i premtuar nuk ka marrë formë konkrete.
Ndërsa një pjesë e konvikteve plotësojnë standarde të përmirësuara, transformimi nuk është i plotë dhe nuk është i barabartë për të gjithë studentët. /Faktoje.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news