Varfërimi i qytetarit dhe i debatit

 Çelo Hoxha

 

ÇeloKur dikush fut dorën në xhepin e qytetarit dhe merr një sasi nga paratë që gjenden aty, s’ka dyshim që ajo shumë pakësohet. Kur kjo dorë i përket hajdutit, veprimi quhet vjedhje; kur ajo i përket qeverisë (është rënë dakord që) vjedhja të quhet rritje taksash, inflacion apo rritje çmimesh. Paketa e re fiskale është dora, e cila, pasi të marrë miratimin në Kuvend, do të zhytet në xhepin e qytetarit pas 1 janarit e në vazhdim.

Kjo paketë parashikon rritjen e akcizës së disa mallrave. Në çdo rast, akciza është vlerë që i ngarkohet konsumatorit; aq sa rritet akciza në vlerë leku, aq rritet çmimi i atij malli për njësinë mbi të cilën i vihet akciza; kjo është kategorike. Si e tillë, rritja e akcizës prek çdo qytetar. Edhe ata të gjallë që nuk kanë lidhje me karburantin, pijet alkoolike apo duhanin, do të preken përmes anëtarëve të tjerë të familjes, sepse buxhetet familjare janë përgjithësisht të përbashkëta. Përveç akcizës, në xhepin e qytetarit do të hyjë edhe dora e fshehtë e tregut (rritja e çmimit të mallrave të tjera, me justifikimin – e drejtë ose spekulativ – se është rritur akciza). Me pak fjalë, qytetari është i humbur, në çdo rrethanë.

Taksa progresive po del një fiasko, por me pasoja. E trumbetuar, për një kohë të gjatë, si një taksë me anë të së cilës ai që fiton më shumë paguan më shumë, në realitet, me aq sa është prezantuar deri tani, ajo i merr më shumë atij që paguhet më shumë, jo atij që ka të ardhura më të mëdha. Njerëzit që kanë pagë të lartë nuk janë domosdoshmërisht njerëzit më të pasur në lagje. Ata që nuk marrin pagë gjëkund, nuk preken nga kjo taksë, por ka persona pa rrogë që nuk janë të varfër, ata mund të jetojnë me të ardhura nga prona të shumta të dhëna me qira. Njerëzit që kanë pagë të lartë janë përgjithësisht më të shkolluarit – njerëzit në nivele të larta menaxhimi, në sektorin privat apo shtetëror. Rrjedhimisht, taksa progresive është taksë mbi nivelin arsimor, aftësinë dhe talentin. Në këtë kategori futet zakonisht shtresa e mesme, e cila shërben si amortizator i përplasjes së skajeve: të varfrit dhe të pasurit. Ndoshta i kushtohet pak vëmendje këtij fakti, por taksa progresive është një investim për shtimin e shqetësimeve sociale në të ardhmen.

Rritja e taksave pasohet nga një zinxhir veprimesh negative. Me të njëjtin buxhet, qytetarit do t’i duhet të blejë gjëra më të shtrenjta, e për rrjedhojë ai do të blejë më pak. Rënia e konsumit nuk e inkurajon prodhimin, rënia e prodhimit nuk inkurajon shtimin e vendeve të punës, dhe pa shtuar vendet e punës ata që janë pa punë do të vazhdojnë të jenë papunë, por këto radhë edhe mund të shtohen, për shkak se tkurrja e prodhimit do të çojë në nevojën për ulje shpenzimesh. Me pak fjalë, rritja e taksave premton një të ardhme të zymtë për të gjithë shoqërinë.

Megjithatë, qeveria nuk duket se vepron me një logjikë të shëndoshë ekonomike edhe në mënyrën si sillet me bizneset që i konsideron, gabimisht, të paligjshme. Në radhë të parë, bizneset që janë mbyllur deri tani – pika bastesh, gurore etj. – nuk kanë qenë biznese të paligjshme, por të palicencuara (biznes i paligjshëm është shitja e hashashit, armëve etj.). Ata nuk kanë ushtruar një veprimtari të ndaluar, por kanë ushtruar, në mënyrë të paligjshme, një veprimtari të lejuar, dhe për rrjedhojë mbyllja e tyre është një lëvizje e bazuar në logjikë ekonomike joproduktive. Ekzistenca e bizneseve të palicencuara mund të trajtohet si një krim ekonomik, sidomos në rastin e qeverisë, e cila ekziston për shkak të parave që i fitojnë me djersë nga të tjerët, por në themel të këtyre aktiviteteve qëndronte puna e njerëzve të thjeshtë dhe puna nuk është sjellje kriminale. Bizneset e lojërave të fatit nuk lindën rastësisht, nëse ata ishin ekonomikisht të qëndrueshëm, atëherë qeveria shumë mirë mund t’i formalizonte, t’i ndëshkonte me gjobë të arsyeshme (meqë duket disi nostalgjike ndaj tatimit të jashtëzakonshëm të vitit 1945) dhe njerëzit do të vazhdonin sërish të ishin në punë e në buxhetin e shtetit do të futeshin ca lekë më shumë përmes taksave.

Edhe me lojërat e fatit online qeveria mund të gjente një mundësi përfitimi, duke mos e cenuar të drejtën e qytetarëve për t’i shpenzuar paratë e fituara me djersë, sipas qejfit të tyre. Justifikimi i qeverisë se me lojëra të fatit dalin jashtë Shqipërisë sasi të mëdha parash është i gabuar për një shoqëri demokratike. Qeveria nuk ka asnjë tagër ligjor, dhe s’duhet ta ketë, për kontrollin e parave të qytetarëve. Transparenca e fitimeve të qytetarit është e nevojshme për qeverinë që ata të paguajnë detyrimet tatimore, por jo që qeveria të ketë autoritetin për të imponuar mënyrën e harxhimit të tyre. Të luash loto, përmes internetit në Kinë, është e njëjtë me të blesh rroba, muzikë apo libra (unë blej libra), përmes internetit në vende të tjera, është bërje pazari (shopping). Qeveria është përgjegjëse vetëm për paratë e buxhetit – edhe ato para të qytetarëve – të cilat i jepen nga taksapaguesi për të bërë disa punë të caktuara. Kur qeveria del jashtë kësaj kornize, ajo ka kaluar kufijtë e zonës së saj të veprimit dhe cenon lirinë e qytetarëve. Këtë po e ilustroj me një shembull: një qytetar me të ardhura të kënaqshme për familjen e tij e ka mundësinë që çdo muaj t’i harxhojë X lekë nga buxheti familjar për të blerë 30 litra qumësht, një litër çdo ditë, të cilën pastaj e derdh në lavamanin e kuzhinës. Ky person harxhon kot edhe lekët, edhe qumështin, por a do të ndërhynte qeveria ta ndalonte këtë person të blinte litrin e qumështit çdo ditë? Krimet ndëshkohen, sëmundjet (ose veset) kurohen.

Arsyetimi që lojërat e fatit duhen mbyllur se janë bixhoz, pra kurthe që të zhvatin paratë e qytetarëve, nuk ka as logjikë ekonomike, as mbështetje ligjore. Lojërat e fatit, në aspektin ekonomik, janë një cikël i mbyllur: dikush i humbet lekët e dikush i fiton, të dyja palët janë qytetarë të këtij vendi. Edhe në dyqanin e mishit e njëjta logjikë financiare vepron: kasapi fut lekë në xhep, blerësi i mishit nxjerr lekë nga xhepi, por nëse kasapi i jep klientit (në shkëmbim të parave) lëndë materiale (mish), te lojërat e fatit lëndët e shkëmbimit janë materiale nga njëra anë (paratë e klientit) dhe imateriale nga ana tjetër (shpresa, ankthi, zhgënjimi) dhe, më rrallë, lumturia, e cila shoqërohet edhe me shpërblim material. Ky është një pazar që palët e bëjnë me mirëkuptim dhe e kanë bërë edhe kur bixhozi ka qenë veprimtari e ndaluar. Legalizimi i bixhozit nuk ka lindur “vesin”, ai i ka dhënë mundësi qeverisë të taksojë një veprimtari që ekzistonte dhe nuk mund ta zhdukte. Duke mbyllur lojërat e fatit qeveria nuk përdor logjikë ekonomike, por mban qëndrim moral. Dhe kjo është një përgjegjësi që asaj nuk i ka dhënë kush. Me këtë logjikë, qeveria mund të mbyllë dhe institucionet fetare, se edhe aty njerëzit shkojnë hedhin lekë dhe nuk marrin asgjë materiale në shkëmbim.

Edhe mbyllja e guroreve të palicencuara është një veprim i bazuar në logjikë ekonomike të gabuar. Pasoja e parë e këtij veprimi janë më shumë njerëz pa punë, më pak të ardhura për familjet e tyre, më shumë dhimbje koke e injektuar në shoqëri me boll probleme sociale. Mbrojtja e mjedisit me çdo çmim është një nonsens, Shqipëria nuk e ka luksin të ketë ambiciet e shoqërive të zhvilluara kur nevojat i ka bazike. Kjo është njësoj sikur një prind të fikë sobën në mes të acarit, kur ajo është i vetmi mjet ngrohjeje, për shkak se soba nxjerr tym dhe skuq muret e dhomës ose u shkakton kollë apo lotim anëtarëve të familjes. Dhe për të shpëtuar nga tymi, familja gdhihet në mëngjes e ngrirë nga acari. Soba flaket, por pasi të jetë elektrifikuar shtëpia dhe të funksionojë kondicioneri. Një qeveri e përgjegjshme bën më të mirën e mundshme në rrethanat e caktuara, dhe jo të bëjë atë që do t’i kërkohej të bënte në rrethana ideale.

Në debatin për paketën fiskale mund të thuhet me garanci që opozita ka qenë superiore, por fitorja është e vlefshme për aspektin teknik të debatit. Për aq kohë sa opozita do të përfaqësohet nga ish-anëtarë të lartë të qeverisë, e cila humbi zgjedhjet në 23 qershor, ajo s’do të ketë asnjë lloj progresi në terrenin etik. Nëse pranojmë atë që është më pranë të vërtetës, se, më shumë se një model ekonomik, votuesit refuzuan një ekip qeveritarësh, atëherë deficiti moral i opozitës, duke u përfaqësuar në debate me ish-ministra e zëvendësministra, thellohet më tej. Pa këtë lloj qartësie, fitorja në debate s’do të ketë asnjë vlerë. Dikujt që synon t’u tregojë rrugën të tjerëve, së pari (e së paku) i duhet të ndezë fenerin që mban në dorën e tij.

 

 

 

 

Share it :