Valsi i trajnerëve Bushati merr Vllazninë, Duro është “i lirë”… për Partizanin

Altin Vorpsi

 

bushatiiiAjo që pritej prej ditësh ndodhi. Shpëtim Duro nuk është më trajner i Vllaznisë. Ecuria e dobët në kampionat dhe eliminimi i parakohshëm nga Kupa e Shqipërisë kanë bërë që aventura e tij në Shkodër të mbyllet para kohe. Klubi shkodran pa humbur kohë prezantoi që dje teknikun e ri. Flasim për Artan Bushatin, që pas largimit nga shpresat e Shqipërisë, nuk kishte stërvitur asnjë skuadër.

 

 

Shpëtim Duro nuk është më një trajner i Vllaznisë. 53-vjeçari u largua zyrtarisht dje nga skuadra kuqeblu, duke i lënë kështu vendin Artan Bushatit. Ky i fundit prej javësh ishte marrë me gjetjen e lojtarëve të rinj që do t’i bënin punë për projektin që ka ndërmend të zbatojë tek ekipi shkodran.

 

Prapaskena dhe shkaku

Pavarësisht se zëvendësimi i tij ishte bërë fakt i kryer, Duro qëndroi në drejtimin e skuadrës deri në momentet e fundit dhe e gjitha kjo për të justifikuar impenjimet e tij kontraktuale dhe për të mbrojtur rolin që trajneri duhet të ketë në një ekip futbolli. Në prononcimin e tij të fundit, Duro ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij në qytetin e Shkodrës, ashtu siç nuk ka ngurruar t’u kërkojë ndjesë tifozëve për rezultatet jo të mira. Vendi i 8 në tabelën e renditjes dhe eliminimi nga kupa mund të konsiderohen një dështim, por Duro beson se e gjitha kjo ka ardhur nga një sërë faktorësh dhe ku një rol parësor ka luajtur pamundësia pronarja e klubit, Bashkia e Shkodrës që nuk mundi të afronte në skuadër futbollistë të mëdhenj.

 

Pasardhësi

Largimi i Duros i ka hapur rrugë emërimit të Artan Bushatit në stolin kuqeblu, si dhe rikthimit të shpejtë të Shpëtim Duros në drejtimin e Partizanit. Artan Bushati kthehet sërish në Shkodër pas afro 13 vitesh. Para se merrte detyrën si komisar teknik i Shqipërisë U-21 (që për gjashtë vite në krye) ai drejtoi skuadrën e Elbasanit. Vetëm, një vit para se ata të shpalleshin kampion ai arriti që t’i drejtonte drejt vendit të dytë. Në fjalën e tij tekniku i sapo zgjedhur për të drejtuar për një sezon e gjysmë Vllazninë, ka theksuar se kërkohet shumë punë që Vllaznia të jetë aty ku kërkohet. “Nuk është një privilegj në këto momente që të merret drejtimi i ekipit të Vllaznisë. Megjithatë e kam pranuar ofertën e bërë në mënyrë që të kontribuoj për këtë skuadër si një obligim qytetar. Për këtë Vllazni për të cilën kanë kontribuar shumë e shumë breza, por që në këtë sezon ka qenë e privuar nga rezultat. Unë shpresoj se me donatorin e ri stafin drejtues të klubit me të mirën të gjithë futbollistët pa përjashtim duke pasur me vete edhe tifozërinë e zjarrtë shkodrane shpresoj dhe besoj se do të arrijmë të bëjmë kthesën pozitive në rezultate në arritjen e atyre objektivave që ka ky klub për të quar emrin e Vllaznisë aty ku i takon në ato maja të futbollit ku ky klub dhe kjo skuadër është mësuar të jetë“, – ka deklaruar tekniku Artan Bushati.

 

Fjalët e lamtumirës, Duro ngel “në klasë” bashkinë

Fjalët e fundit të Shpëtim Duros si teknik i Vllazninë kanë qenë “therëse” për drejtuesit e kësaj skuadre. Sipas 53-vjeçarit, ata kanë bërë gabim që janë tërhequr nga ky projekt. Siç dihet fare mirë që tani e tutje Bashkia e Shkodrës i ka lënë gjithçka në dorë njërit prej ish presidentëve të klubit, Besnik Çelës. “Them se tërheqja e tyre (Bashkisë) dhe kalimi në duart e biznesmenëve, tregon se me gjithë përpjekjet dhe sforcimin maksimal nuk kanë qenë 100 për qind e aftë për ta menaxhuar skuadrën dhe për të ndërtuar një skuadër pretendente”, – tha Duro. Më tej tekniku shpjegoi edhe arsyet që e kanë çuar të jetë kaq i ashpër me ata që janë marrë deri më tani me Vllazninë. ”I referohem afrimit tek Vllaznia të futbollistëve “Big” siç janë Pejiç apo Gilman Lika. Tani përgjegjësia është e drejtuesve të rinj që të paktën të thërrasin shkodranin e tyre, Gilman Likën që është futbollist “big” në Shqipëri. Nëse drejtuesit e rinj e kanë seriozisht, Lika është i lirë këto ditë, duhet ta marrin këtë lojtar se ai është 50 për qind e skuadrës. Nuk është normale që ai të largohet në skuadra të tjera të kampionatit shqiptar. Në qoftë se Lika nuk vjen tek Vllaznia, unë e shoh me skepticizëm problemin e të ardhmes në krye të Vllaznisë”, theksoi Duro. Burime pranë skuadrës së Vllaznisë kanë bërë me dije se mes Duros dhe klubit çdo gjë është sqaruar në mënyrën më të mirë. Për të prishur kontratën konsensualisht Vllaznia i ka dhënë teknikut 5 milionë lekë. Ndërsa sa i përket të ardhmes po vetë ai nuk ka mohuar zërat që tregonin se kishte gjetur një akord me Partizanin. “Normalisht që nuk do të rri pa punë. Kam pasur biseda me drejtues të Partizanit ashtu siç kanë pasur edhe ato trajnerë që duan të vijnë pas meje tek Vllaznia. Megjithatë nuk jemi ulur me gjithë 100% për të diskutuar për detaje me drejtuesit e Partizanit”, – tha Duro.

 

 

 

Shqipëri-Gjeorgji

FSHF cakton çmimet e biletave

FSHF ka përcaktuar disa prej detajeve të fundit për miqësoren e 6 shkurtit kundër Gjeorgjisë. Takimi i parë për këtë vit kalendarik do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në orën 19:00, sfidë për të cilën janë fiksuar edhe çmimet e biletave, që do të kenë një reduktim të ndjeshëm, pasi synohet një prani sa më e lartë e tifozëve. Në këtë mënyrë është vendosur se çmimet në tribunën qendrore do të variojnë nga 1000-1500 lekë. Në tribunat e tjera çmimet do të jenë edhe më të favorshme. Një biletë në tribunën D2 do të kushtojë 700 lekë, në D1 dhe D 3500 lekë, ndërsa një biletë në tribunat anësore do të kushtojë vetëm 200 lekë. Ndërkohë nga stafi teknik janë duke u bërë të gjitha përpjekjet për të marrë informacionin më të detajuar për secilin futbollist, kandidat të ekipit kombëtar dhe njëkohësisht janë intensifikuar përpjekjet për të mundësuar edhe afrimin edhe ndonjë lojtari debutues, siç mund të jetë Ergys Kaçe, 19-vjeçari që po shkëlqen në radhët e Paok të Selaniku. Gjithsesi, cilado qofshin zgjedhjet e trajnerit Xhani de Biazi për këtë miqësore, vlerësimi do të jetë në shkallën më të lartë, pasi është testi i fundit para takimit të shumëpritur më Norvegjinë, në program për t’u luajtur me 22 mars në Oslo.

 

Shikueshmëria

Në Spanjë nuk mjaftojnë më Reali dhe Barça

Futbolli iberik duket se nuk është më aq atraktiv si vite më parë. Një gjë të tillë e tregojnë shifrat që janë publikuar nga vetë “Liga de Futbol Profesional” apo siç njihet ndryshe LFP. Mazatarja e spektatorëve në Kampionatin Spanjoll te Futbollit ka pësuar një rënie prej 3,58% në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, nëse niveli i shikueshmërisë do të mbetet i ngjashëm deri në qershor, ky vit do të vendoset si sezoni i dytë me më shumë shikues në dhjetë vitet e fundit të “Primera Division”-it. Statistikat e “Liga de Futbol Profesional”, që u bënë publike ditën e djeshme, treguan se 19 ndeshjet e para të sezonit u ndoqën në stadiume nga një total prej 4. 733.320 spektatorësh ose një mesatare prej 24.912 tifozësh për ndeshje. Pas sezonit të shkuar, më i miri i dekadës për shikueshmërinë, ky aktuali konkurron me vitet 2010-11 dhe 2005-06, gjithashtu tepër të mira për “Primera Division”-in. Të dhënat e publikuara nga “LFP” janë të befasishme, pasi përballë krizës ekonomike, shumë stadiumeve të vjetruara dhe rritjes së çmimeve të biletave, parashikohej që ky sezon të pësonte një rënie të ndjeshme të mesatares së spektatorëve, në mënyrë të krahasueshme me atë që po ndodh në kampionatin italian.

Në sezonin e shkuar, “Bundesliga” kishte nivelin më të lartë të shikueshmërisë së kampionateve evropiane, me një mesatare prej 45.179 spektatorësh për ndeshje, ndjekur nga “Premier League” me 34.601, “Primera Division” me 30.275 dhe “Serie A” me 23.459 spektatorë për ndeshje.

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :