Valmir Berisha drejt një aventure të re, nënshkruan me Romën

Talenti ka nënshkruar një kontratë me klubin italian, që këtë vit po paraqitet shumë mirë

 Për shifrën prej 500 mijë euro lojtari është transferuar drejt ekipit të tij të ri

 

valmirE ardhme e ndritur në horizont për talentin Berisha. Sulmuesi 17-vjeçar i Halmshtadit, i cili u shpall golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës U17, zbarkon që në janar në kryeqytetin italian, pasi ekipi roman bëri një ofertë për të riun. Emri i lojtarit me origjinë shqiptare është lakuar shumë në mediet sportive dhe ka zbuluar disa nga emrat e skuadrave të mëdha evropiane që kërkojnë shërbimet e tij, por ai s’e kishte marrë vendimin për karrierën e tij. I konsideruar “Ibrahimoviçi i Ri”, Valmir Berisha tha për disa kohë më parë për mediet suedeze që është në dijeni të interesimit të Romës por mund t’i thotë “po” ofertës së verdhekuqve vetëm për një kontratë të mirë financiare. Në Serinë A janë të shumta ekipet që e duan talentin e Suedisë. Atalanta, Juventusi dhe Milani, sikurse Roma, po studionin mundësitë për ta bërë të tyrin, ndërsa në Angli interes shfaqi interes edhe Liverpuli. “Roma po vij”! Ky ishte mesazhi i parë në “Twitter”, ndërsa më pas poston në adresën e tij në “Facebook” fanellën e skuadrës italiane. Valmir Berisha zyrtarizoi në këtë mënyrë transferimin e tij në Serinë A, duke shtuar më tej radhët e lojtarëve shqiptarë që luajnë në një prej kampionateve më të forta në botë. Ka qenë skuadra e Garsias ajo që ka bindur futbollistin që bën kapërcimin e madh në karrierën e tij. Pritet vetëm prezantimi me skuadrën e re, ndërsa mediet italiane kanë zbardhur edhe detajet e transferimit të Valmir Berishës. Roma ka paguar 500 mijë euro kartonin e lojtarit që vjen në Serinë A nga skuadra suedeze e Halmshtadit. Ndërkohë, Berisha ka firmosur për një periudhe katërvjeçare me klubin verdhekuq të kryeqytetit italian. Sulmuesi do të jetë menjëherë në dispozicion të trajnerit, ndërsa në kryeqytetin italian do të ketë kundërshtarë futbollistë bashkëkombas si Cana, Starkosha dhe Etrit Berisha, që luajnë te kundërshtari i ekipit të tij më të ri. Lojtari pritet që fillimisht të stërvitet dhe më pas të ketë një shans që të luajë me ekipin e parë. Problem është mosha e tij e re, që nuk i jep mundësinë të paraqitet si zgjedhja e parë për skuadrën e Garsias. Tashmë lojtari do t’i bashkohet si një ndër elementët më të mirë të rinj në Evropë. Pas Januzajt, tani kemi dhe një emër të ri që do të na përfaqësojë denjësisht si talent. Problemi i vetëm është se cilën kombëtare do të zgjedhë. Duket se tashmë me pranimin e Kosovës, Berisha do të shikojë si drejtim kombëtaren.

 

 

Mishel Platini vjen në shkurt për futbollin në shkolla

Sinjal jeshil edhe për futbollin në Shqipëri. Kjo, pasi UEFA ka ndërmend që të ndërhyjë. Mishel Platini pritet të vijë në Tiranë muajin e ardhshëm për t’i dhënë një shtysë pozitive projektit qeveritar për të rikthyer sportin në shkolla. Sipas institucioneve të futbollit në Shqipëri, Platini pritet të jetë në kryeqytetin shqiptar në 18 shkurt. Ekziston mundësia që kthimi i sportit në shkollë të jetë një projekt pilot i financuar nga UEFA dhe FSHF. Kështu, sporti mjaft i dashur për shqiptarët pritet që të bëhet masiv dhe të rikthehet në kohët e tij më të mira. Sigurisht që gjithë ky përqendrim vetëm mbi futbollin do të ketë edhe pak tendencë negative. Kjo, pasi sportet e tjera do të humbnisin vëmendjen e duhur.

 

 

 

Loret Sadiku kërkon të luajë për Kosovën

Loret Sadiku duket se tradhton De Biazin. Kjo, pasi një nga lojtarët më të rinj që pritej të ishte në kombëtaren shqiptare, ka shprehur gatishmërinë të luajë për Kosovën. Mbrojtësi 22-vjeçar luan në kampionatin suedez të futbollit dhe pak muaj më parë mori pasaportën shqiptare, për të qenë në rregull që të luajë për Shqipërinë. I vlerësuar edhe nga Suedia, Sadiku ka shprehur dëshirën të luajë pikërisht për Kosovën, tani që ekipi përfaqësues i saj u lejua nga FIFA për të luajtur ndeshje miqësore ndërkombëtare. Një lajm jo i mirë ky për kombëtaren tonë, sepse si Sadiku do të ketë edhe lojtarë të tjerë me origjinë kosovare që do të kërkojnë të zhvendosen te kombëtarja e tyre. Një leksion e ri për De Biazin, i cili këtej e tutje duhet që t’i hedhë sytë drejt elementëve shqiptarë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :