“Kurva shet trupin, nuk fal, as merr dashuri, asaj i japin vetëm para. Kurse kurtizania fal trupin, por edhe dashuri, prandaj asaj i falin kënaqësi, ndoshta edhe pak dashuri, si edhe, natyrisht, dhurata, qoftë në formë parash…” është ky një fragment i ilustruar për të përgatitur se bëhet fjalë për një roman erotik, të ngarkuar me luhatje të forta emocionale, që paraqet edhe një plagë të mirëfilltë të shoqërisë shqiptare: atë të shthurjes fizike të kufizuar nga ngurtësimi psikologjik. Kështu përshkruhet romani i fundit, “Vajzat e ballkonit” nga Edmond Tupja.
I cilësuar nga vetë autori si një pseudoroman, kjo është historia e dy vajzave shqiptare, produkt tipik i tranzicionit postkomunist, në përpjekje për të gjetur vetveten përmes tundimeve të shumta për të qenë diçka tjetër. Heroinat tona jetojnë dy jetë paralele: nxënëse shembullore dhe fëmijë problematik; studente e urtë dhe kurtizane e re; artiste e lirë dhe shpirt i djallëzuar. Cila nga këto dy vajza është vetvetja? Çfarë kanë ato të përbashkët me njëra-tjetrën dhe sa janë ato produkt i shoqërisë shqiptare? Janë dilema që shkarkojnë energjinë e këtij romani, duke u lidhur me traditën më të mirë të romanit bashkëkohor.
Ky libër u drejtohet kryesisht fansave të librave erotikë dhe të krijimtarisë origjinale të Edmond Tupes. “E megjithatë ai ka shumë për t’u thënë edhe të tjerëve: prindërve të shqetësuar për të ardhmen e bijave të tyre, si dhe atyre që janë prekur nga afër nga problemet psikike. Së fundmi, u flet tiranasve, falë përshkrimeve të holla dhe ironike të Tiranës së shkuar dhe Tiranës së sotshme”, – tërheq vëmendjen botuesja e “Pegi”-t.
Edmond Tupja (1947) është profesor, përkthyes, publicist dhe shkrimtar shqiptar. Ka studiuar në Francë dhe konsiderohet si një nga përkthyesit më të aftë të gjuhës shqipe. Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre me temë erotike, si p.sh. “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd” dhe “Fjalori erotik”. Ai është gjithashtu autor i veprave autobiografike “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.




