Uji “i pijshëm” vetëm në dokumente

Uji “i pijshëm” vetëm në dokumente

Përmes analizave formale dhe procedurave që shpesh manipulohen në dokumente shtetërore, institucionet e klasifikojnë ujin “si të pijshëm”, ndërsa në realitet institucionet nuk garantojnë cilësinë e tij.

Në Shqipërinë e 40 miliardë metrave kub burime ujore në vit, ku rreth 30% janë burime nëntokësore, uji i pijshëm mbetet ende një sfidë për qytetarët.

Vendi renditet ndër më të pasurit në Europë për burime ujore për frymë, por bollëku natyror nuk vjen në rubinetat e shtëpive shqiptare.

Tirana është simboli më i dukshëm i këtij paradoksi.

Në dokumente zyrtare, në faturat mujore dhe në aktet ligjore të shtetit shqiptar, uji që rrjedh në rubinetet është “ujë i pijshëm”. Një garanci e siguruar në letër, ndërsa në praktikë, realitet janë bidonët plastikë që blihen çdo ditë nga qytetarët, autobotët ambulantë që shesin ujë në çdo cep lagjeje dhe radhët e qytetarëve me bidona në duar në burimet e Dajtit.

Banorët e Tiranës paguajnë dy fatura. Një për UKT dhe një tjetër për ujin e blerë nga kompani private. Ndërsa baret dhe restorantet në kryeqytet duket se paguajnë edhe një të tretë – atë të analizave periodike të ujit të pijshëm, të kërkuara nga inspektorati higjeno-sanitar.

Madje, për të garantuar respektimin e standardeve, bizneset që ofrojnë këto shërbime janë të detyruara të provojnë cilësinë e ujit që përdorin, përndryshe përballen me masa administrative dhe gjoba gjatë kontrolleve të inspektorëve.

Ndërsa sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në 14 ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve, të cilat kanë dhe detyrimin ligjor për kryerjen e analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm, është konstatuar se tetë prej tyre nuk kanë laboratorë, ndërsa 6 laboratorët e ndërmarrjeve të tjera janë të pa akredituara.

Ndërsa më herët, një proces i hapur në Gjykatën e Tiranës vërtetoi bakterje të rrezikshme në tubacionet e ujit të pijshëm për shkak të ndotjes nga ujërat e zeza.

Sipas rregullores për cilësinë e ujit të pijshëm dhe standardeve të harmonizuara me Bashkimin Evropian, uji i rrjetit duhet të jetë i kontrolluar dhe i sigurt për konsum. Ky status nuk është thjesht një përcaktim teknik, por një detyrim ligjor për institucionet publike.

“24 orë ujë”, turpi elektoral

Për Edi Ramën kur ishte kryetari i opozitës furnizimi me ujë të pishëm me orar ishte një çështje për të cilën ai deklaronte se ishte i turpëruar ta diskutonte.

“E dini pse nuk flas për ujin e pijshëm? Më vjen turp, me një histori 20 vjet sa herë ka fushatë, do ju japim ujë për të pirë” – deklaroi ai në një takim me qytetarë ndërsa kërkonte votëbesimin e tyre për të drejtuar vendin.

Rama do i rikthehej kësaj çështjeje të turpshme, përpara çdo fushate elektorale.

“Dhe vetëm në dy vitet e fundit janë hapur në rang vendi rreth 200 kantiere që do të garantojnë 24 orë ujë brenda këtij viti në territore, komunitete, qendra urbane që e kanë pasur këtë një vuajte dhe lëngatë prej shumë dekadash.” – ishte fjalimi në monologun e vitit 2021, përpara se të fitonte mandatin e e tretë.

Kanë kaluar 5 vite dhe premtimi i kryeministrit Rama mbetet vetëm në faqen e tij të facebook-ut, ndërsa për ekspertët aryeja e mungesës së ujit të pijshëm lidhet me keqmenaxhimin e rezervave ujore apo dhe me keqprojketimet, të cilat janë përkthyer në 200 kantiere ndërtimi.

Për Bilbil Dacin, inxhinier i rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit, kjo situatë vjen nga shkaqe që ai i quan teknike dhe administrative të menaxhimit të ujësjellësit.

“Infrastruktura e Shpërndarjes së ujit është larg parametrave teknikë të duhur. Problemi teknik lidhet me ndërtimin e disa depozitave që ulin presionin e sasisë së ujit nga Impianti. Kjo bën të humbasi ajo që në gjuhë teknike quhet “diferenca potenciale”. Për ta thënë të përmbledhur, problemi kryesor lidhet me projektimin” – thotë për për “shteg.org”, inxhinieri Daci.

Sipas ekpertëve, burimet ujore të kryeqytetit mundësojnë një furnizim normal por keqmenaxhimi bën që në rrubinetet tona uji të vijë me pikatore, në rastin më të mirë.

“Sasia e ujit në dispozicion të ujësjellësit është për 4 milion banorë. Është investuar në impiantin e Bovillës dhe është dyfishuar sasia e ujit në këtë impiant, edhe pse është dyfishuar sasia e ujit në këtë impiant, përsëri nuk ka ujë 24 orë për shkaqe që unë do t’i quaj teknike dhe administrative të menaxhimit të ujësjellësit.” – shpjegon Daci.

Por ndërmarja e Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) insiston se kryeqyteti mbulohet me ujë të pijshëm në një mesatare prej 9 -10 orësh, ndërsa monitorimet e cilësisë së ujit kryhen nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Monitorimi i cilësisë së ujit të pijshëm kryhet rregullisht nga I.SH.SH (Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor) i cili është organi më i lartë shtetëror që kontrollon dhe monitoron cilësinë e ujit të pijshëm. Ky institucion kryen inspektim në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH). Ai kontrollon cilësinë e ujit të pijshëm në të gjithë sistemin e Ujësjellësit, veprat e marrjes, rezervuaret që furnizojnë këtë territor edhe kur këto objekte nuk ndodhen në ndarjen administrative që mbulon ky Inspektoriat, por që janë në administrim të ndërrmarjes ujësjellëse në zonën ku ai ushtron aktivitetin.” – thuhet në përgjigjen që “shteg.org” mori, dhe pse ky insitucion nuk vuri në dispozicion dokumentet që vërtetonin oraret e të gjitha njësive administrative në kryeqytet.

Edhe në dokumente zyrtare dhe në aktet ligjore të shtetit shqiptar, uji që rrjedh në rubinet është “i pijshëm”.

Në faturat e Ujësjellës Kanalizime, uji paguhet si i pijshëm, përfshirë edhe atë që përdoret në biznese si bare dhe restorante në kryeqytet.

Madje, për të garantuar respektimin e standardeve, bizneset që ofrojnë këto shërbime janë të detyruara të provojnë cilësinë e ujit që përdorin, përndryshe përballen me masa administrative dhe gjoba gjatë kontrolleve të inspektorëve.

Përveç certifikatave mjekësore të punonjësve dhe mbajtjes së regjistrave për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve, baret dhe restorantet përballen edhe me një kërkesë thelbësisht kontradiktore: kryerjen periodike të analizave të ujit të pijshëm.

Inspektorati Shëndetësor u kërkon subjekteve që, me shpenzimet e tyre, të testojnë ujin që marrin nga rrjeti publik, për të vërtetuar nëse ai është i sigurt për konsum.

Ndërkohë që furnizuesi publik, ndërmarjet e ujësjellës kanalizimeve e faturojnë ujin si “të pijshëm”, barra e provës për cilësinë dhe sigurinë e tij i kalon vetë përdoruesit.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, kontrolli i cilësisë së ujit mbështetet në kuadrin ligjor të vitit 1992, ndërsa analizat kryhen nga strukturat përkatëse të higjenës dhe shëndetit publik.

“Kërkesa për ujë higjenikisht të pastër në subjektet është e bazuar në: Ligjin Nr. 7643, datë 02.12.1992, ”Për inspektimin sanitar” i ndryshuar” – thuhet në një përgjigje që “shteg.org” mori nëpërmjet kërkesës për të drejtë informimi.

Megjithatë, në praktikë, ky proces shpesh reduktohet në një procedurë formale dokumentacioni, e cila shërben më shumë për të shmangur penalitetet gjatë inspektimeve.

Në disa raste, provëzat sterile të marra nga Instituti i Shëndetit Publik mbushen me ujë të blerë dhe dërgohen për analiza mikrobiologjike, ku pas disa ditësh vetë institucioni lëshon një dokument që konfirmon se uji i analizuar është brenda standardeve.

Ndërsa sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në 14 ndërmarrjet e Ujësjellës Kanalizimeve, të cilat kanë dhe detyrimin ligjor për kryerjen e analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm, është konstatuar se në tetë prej tyre nuk kanë laboratorë ndërsa 6 laboratorët e ndërmarrjeve të tjera janë të pa akredituara.

“8 shoqëritë e tjera nuk kanë ambiente të përshtatshme për ndërtimin e laboratorëve, ose më saktë nuk kanë fare laboratorë, gjë që sjell moskryerjen e analizave të ujit të pijshëm dhe mungesën e garantimit të sigurisë për qytetarët,” – thuhet në raportin e publikuar në vitin 2025.

“Në vend nuk kemi asnjë laborator që kryen analizat e ujit në mënyrë të plotë. Këto që ekzistojnë janë laboratorë të pacertifikuar dhe të paakredituar, ndaj analizat e tyre nuk njihen ligjërisht,” – tha eksperti Daci.

Çështja e cilësisë së ujit u bë objekt i një hetimi gjyqësor edhe nga Gjykata e Tiranës në vitin 2021.

Sipas akt-padisë të depozituar në vitin 2018 nga organizatat e shoqërisë civile “Res Publika” dhe “Impetus” në zona të ndryshme të Tiranës, uji përmbante nivele më të larta të baktereve të dëmshme për shëndetin publik si Escherichia coli dhe streptococci faecal.

Uji, edhe me vendim gjykate i ndotur

Gjykatës së Tiranës iu deshën katër vite të dilte në konkluzionin që uji i rrjetit i përdorur nga qytetarët, të paktën në vitin 2017 ishte jashtë parametrave që garantojnë cilësinë e konsumit.

Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës konstatoi se uji i rrjetit të furnizimit, për periudhën e analizuar në proces, nuk kishte qenë gjithmonë brenda parametrave që garantojnë cilësinë e ujit të pijshëm. Ky përfundim u mbështet në akt-ekspertizën e administruar në gjykim, e cila evidentoi mangësi në monitorimin e rregullt të treguesve kryesorë dhe devijime nga standardet e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi.

“Gjykimi nxori në pah një problem serioz në kontrollin e cilësisë së ujit, i cili nuk po kryhej në mënyrë të plotë dhe të besueshme. Analizat e ujit të kryera nga vetë UKT-ja realizoheshin në laboratorë të paakredituar, çka ngrinte dyshime serioze mbi besueshmërinë e rezultateve,” thotë avokatja Irene Dule e cila ka ndjekur këtë çështje në gjykatë.

Sipas akt-padisë së ngritur nga organizatat e shoqërisë civile “Res Publika” dhe “Impetus”, në zona të ndryshme të kryeqytetit u konstatuan nivele të larta të baktereve si pasojë e ndotjes nga ujërat e zeza. Gjithashtu në matjet e vëna në dispozion nga UKT, mungonin të dhëna të monitorimit për nje sërë treguesish te tjerë, nga ato biologjikë e fizikë e deri tek treguesit kimikë si metalet e rënda e hidrokarburet.

“Nga akti i ekpertimit rezultoi se për “Escherichia Coli” dhe “streptokoket fekale”, në 31 stacionet e kampionimit, janë marrë masa vetëm për 590 ditë gjatë periudhës 2015-2017 ndërsa për 265 nuk është matur. Nga matjet e realizuara ka rezultuar se vetëm për 58 ditë parametrat kanë qenë brenda standartit të kërkuar me VKM nr.379/2016. Ndërsa për pjesen tjetër ky parametër ka rezultuar tej parametrave të përcaktuar.” – shkruhet në vendimin e Gjykatës.

Ekspertët shpjegojnë se 2 bakteret e mësipërme janë ndotësit kryesorë të ujit të pijshëm.

Prezenca e tyre duhet të kontrollohet rregullisht pasi në të kundërt, pasojat sjellin dëme në shëndetin publik. “Koliformët fekal duhet të jenë 0 në ujë. Kështu që nëse ka prani, do të thotë që ka ndotje të ujrave të zeza, ndotje nga jashtëqitjet e njeriut ose të bagëtive.” – tha për “shteg.org”, Aleko Miho, profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Ekspertët shpjegojnë se eliminimi i këtyre baktereve bëhet përmes klorifikimit, një proces i domosdoshëm për dezinfektimin e ujit, por që në nivele të larta mund të ketë pasoja për shëndetin.

“Që të kontrollosh kloriformët duhet të klorosh, uji duhet të klorohet. Dhe klorohet në stade të ndryshme, në Bovillë klorohet disa herë, në hyrje në dalje, gjatë rrugës derisa të vrasë të gjithë këto organizma patogjenë të dëmshëm. Të dezinfektojë. Por nëse ky klorim është i tepërt nuk është i mirë, qoftë nga ana e shijes e aromës, irritimeve, skuqjeve teprica e lartë e klorit është e dëmshme dhe me pasoja deri edhe kancerogjene që krijojnë shqetësime tek një njeri që konsumon vazhdimisht një ujë me klor.” – tha ai për “shteg.org”.

Por në aktin e ekspertimit, janë evedentuar gjithashtu nivele të klorit mbi të normat e lejuara.

“Përsa i përket elementit të klorit të lirë, ai është matuar për 581 ditë ndërsa për 261 ditë nuk është matur. Nga matjet rezulton se vetëm për 10 ditë parametrat kanë qenë brenda standartit ndërsa për pjesen tjetër ka rezultuar përtej parametrave të përcaktuara në standartin sipas VKM nr.379/2016.” – thuhet në kopjen e vendimit gjyqësor.

Për avokaten Irena Dule vendimi është i rëndësishëm pasi i hap rrugën qytetarëve për padi konsumatore ndaj UKT-së.

“Qytetarët e Tiranës kanë paguar për ujë të pijshëm, ndërsa në realitet u është ofruar një produkt që nuk përmbush standardet për t’u konsideruar i tillë. Për konsumatorin, kjo do të thotë se lind e drejta për të kërkuar kthimin e parave të paguara për një produkt që nuk e kanë konsumuar, pasi ishte i papërshtatshëm.” – thotë avokatja Dule.

Në vendimin e saj, gjykata urdhëroi Ujësjellës Kanalizime Tiranë të monitorojë dhe analizojë parametrat e ujit të pijshëm, si dhe t’i raportojë rezultatet pranë Institutit të Shëndetit Publik dhe organizatave paditëse.

Shteg nuk mundi të konfirmojë nëse këto vendime të gjykatës janë zbatuar, pasi institucionet zgjodhën të mospërgjigjen. Ndërsa Gjergj Bojaxhi, drejtor i shoqatës “Impetus”, i tha “shteg.org” se informimi nga UKT kundrejt 2 shoqatave për cilësinë e ujit nuk ndodhi kurrë.

“UKT dhe Bashkia Tiranë e ankimuan vendimin dhe çështja është tani në Apel. Kjo Gjykatë nuk e ka marrë ende çështjen në shqyrtim. Ky është një tjetër shqetësim pasi gjykata përtej vonesave skandaloze nuk arrin të vendos prioritet për çështje të interesit publik dhe sigurisë ushqimore si një rast i tillë.” – thotë Bojaxhi.

Frika nga uji

I ka kaluar të 70-tat por çdo ditë Lizën e sheh rrugicave të Astirit që krahas qumështit, në duar mban shpesh një shishe ujë të blerë në supermarketin afër shtëpisë së saj.

“Pensioni është i ulët por ujin e blej gjithmonë, kam merak të pij ujin e rrubinetit. E mbush gotën dhe është si turbullirë, i ndjej edhe erë të rëndë” – thotë gruaja duke përshkruar kështu përditshmërinë e zakonshme të gjithësecilit prej nesh në kryeqytet.

Aksesi në ujë të pijshëm është një e drejtë themelore. Vendimi Nr. 379, datë 25.5.2016 “Për miratimin e rregullores “Cilësia e Ujit të Pijshëm” dhe standardet e harmonizuara me direktivat e Bashkimit Europian parashikojnë se uji i rrjetit duhet të jetë i kontrolluar, në monitorim të vazhdueshëm dhe i sigurt për t’u pirë. Ky status nuk është thjesht emërtim teknik por një kornizë ligjore që detyron autoritetet publike të garantojnë sigurinë e tij për konsum.

Sipas ekspertëve mungesa e rrjedhshmërisë gjatë tubacioneve dhe mospasja e një sisitemi hermetik ku uji do të qarkullonte i izoluar, rrit mundësinë që uji të kontaminohet.

“Ky sistem me ndërprerje krijon shkëputje të kolonës së ujit, duke gjeneruar vakume brenda tubacioneve. Nëse ekziston një dëmtim në rrjet, këto vakume mundësojnë futjen e ujërave nga jashtë, përfshirë ndotës të ndryshëm. Në raste të caktuara, mund të përfshihen edhe ujërat e zeza pranë rrjetit, duke çuar deri në kontaminim fekal të ujit që mbërrin në rubinet,” – shpjegoi për “shteg.org” profesori i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Por rrjeti i amortizuar është vetëm një pjesë e problemit. Pjesa tjetër lidhet me zhvillimin e qytetit dhe ndërtimin pa kriter.

Sipas ekspertit Miho, shndërrimi në kantier ndërtimi i kryeqytetit ka sjellë ndërhyrje në rrjetin e shpërndarjes së ujit, duke rritur mundësinë që ujrat të përzihen me ndotës.

“Shteg.org” iu drejtua Ujësjellës Kanalizime Tiranë, institucioni përgjegjës për furnizimin me ujë në kryeqytet, duke kërkuar raportet e analizave për pesë vitet e fundit.

Por institucioni vuri në dispozicion një përgjigje të pjesshme.

“Ujësjellës Kanalizime Tiranë kryen analiza me qëllim monitorimin e cilësisë së ujit, kjo është pjesë e proçesit të punës me anë të së cilit institucioni kontrollon veten. Ndërkohë që monitorimi i cilësisë së ujit të pijshëm kryhet rregullisht nga I.SH.SH (Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor) i cili është organi më i lartë shtetëror që kontrollon dhe monitoron cilësinë e ujit të pijshëm.” – thuhej në përgjigjen zyrtare të UKT, por raportet e analizave nuk u vunë në dispozicion nga ky institucion.

UKT deklaroi se kryen analiza periodike të 31 mostrave të ujit në zona të ndryshme të Tiranës, duke garantuar cilësinë e tij për përdorim.

Megjithatë, kjo siguri e garantuar nga Institucionet nuk përkthehet në realitetin e familjeve shqiptare.

Eksperti Miho tha për “shteg.org” se njerëzit e njohin realitetin e rrjetit të shpërndarjes, e kështu ju ngelet të gjejnë zgjidhje tek shishet plastike, ndërsa këshillon se edhe zierja e ujit të rrubinetit përpara përdorimit është një zgjedhje e mirë.

“Në kushte të tilla njerëzit të gjithë këtë lloj rrjeti e njohin, e dinë kështu që ose do shkojnë te shishja ta blejnë, ose do ta ziejnë mirë para se ta përdorin.” – u këshillon Aleko Miho, profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës./ Xhesika Tollia, Shteg.org

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :