U përjashtua 10 ditë nga Kuvendi, Berisha: Mendësi prej xhelati e Ramës, do ta faktoj para shqiptarëve se çfarë kriminelësh janë këta
Përjashtim në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese, e ka cilësuar kreu demokrat Sali Berisha, përjashtimin e tij me 10 ditë nga seancat e kuvendit, për shkak të gjuhës së përdorur prej tij në seancën e fundit, të cilën mazhoranca e cilësoi si nxitëse të dhunës.
Në Çdo Kënd me Merita Haklajn në A2 CNN, Berisha tha se kjo është mendësia prej xhelati e kryeministrit Edi Rama, i cili nuk toleron ansjë lloj kundërshtimi.
“Ky është një përjashtim në kundërshtim me parimet themelore të kushtetutës së Shqipërisë për deklaratën time për të cilën deputeti është i lirë të shprehë në Kuvend. Ky përjashtim shpreh mendësi prej trashëgimie të Edvin Kristaq Xhelati, i cili nuk toleron asnjë lloj kundërshtimi apo sulmi mediatik. Pse më përjashtoi se unë u thashë që ata deputetë që votojnë Ramën dhe ligjet e tij e meritojnë të gjithë atë dhunë, terror e torturë që falangat e tij ushtrojnë ndaj studentëve paqësorë në revoltën e tyre”.
Referuar gjuhës së tij në Kuvend Berisha theksoi se i ka thënë me vetëdije të plotë dhe mund t’i faktojë se ai është parlament i krimit, që nuk ka ekzistuar as në kohën e PPSSH-së.
“Ai parlament është i krimit në atë parlament ka kriminelë më të mëdhenj se ata që janë në burgjet e Shqipërisë të llojit të Ballës dhe Ramës që janë më të mëdhenj se gjithë bosat e karteleve të lidhur me ta. Në atë parlament ka kriminelë dhe shumë se ata që janë në burg. Që nga koha e PPSH nuk ka ekziston një grup kriminal me mandat sesa ekziston sot. I kam thënë me vetëdijen më të plotë dhe mund ta faktoj para shqiptare se çfarë kriminelësh janë këta”. (A2 Televizion)




