Turqi/   Formohet Këshilli i Nivelit të Lartë, Bushati nis partneritetin strategjik me Erdoganin dhe Davutoglunë

Gëzim Saliu

 

Takimet me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm turk, bashkëpunim për turizmin,  infrastrukturën dhe bujqësinë. Diskutimet për TAP dhe NATO-n. Erdogan së shpejti në Shqipëri

 

 

 

bushati me erdoganShqipëria dhe Turqia do të institucionalizojnë marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet një Këshilli të Nivelit të Lartë, si instrument për të strukturuar bashkëpunimin në fusha të rëndësishme si, politika e jashtme, bashkëpunimi ndërkombëtar, drejtësia, çështjet e sigurisë, mbrojtja, ekonomia, energjia, mbrojtja e mjedisit, kultura, arsimi dhe shkenca. Ky ishte hapi i parë konkret që u ndërmor dje në takimin që ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi me homologun turk, Ahmed Davutoglu, në Ankara në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Krahas sektorëve tradicionalë, si: infrastruktura dhe energjia, palët shkëmbyen mendime mbi zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, turizmit, kulturës dhe arsimit. “Falënderova qeverinë turke, në emër të qeverisë shqiptare, për përpjekjet e dëshmuara në funksion të jetësimit të projektit TAP, si një projekt i një rëndësie strategjike, i cili do të mundësojë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe të gazit në Evropë dhe, mbi të gjitha, do t’i japë një kuptim më të madh paqes e stabilitetit rajonal, duke lidhur Kaspikun me Adriatikun”, – u shpreh ministri Bushati, duke pohuar interesin e qeverisë për shtimin e investimeve turke në vendin si dhe siguruar njëkohësisht se Shqipëria ofron një klimë të sigurt për nxitjen e investimeve turke, nëpërmjet një kuadri ligjor të kompletuar që garanton mbarëvajtjen e tyre. Nga ana e tij, ministri Davutoglu ofroi mbështetjen e Republikës së Turqisë në të gjitha fushat e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë. Po ashtu, të dy ministrat vlerësuan bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe të gjitha projektet e përbashkëta ku, sot për sot, ushtria shqiptare është krahas ushtrisë turke. Ata nënvizuan se të dyja vendet ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështje me ndjeshmëri rajonale, sikundër është përfshirja e Kosovës në të gjitha proceset e bashkëpunimit rajonal, nën dritën dhe frymën e marrëveshjes së Brukselit, të arritur me ndërmjetësimin e BE-së. Gjatë takimit u shpreh pikëpamja e qeverisë shqiptare që presidenca e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që do të mbahet nga Shqipëria duke filluar nga qershori i këtij viti, do të punojë për konsolidimin e gjithë përfshirjes dhe pjesëmarrjes së të gjitha vendeve të rajonit në një tryezë.

 

Takimi me Erdoganin

Në vijim të vizitës që zhvilloi në Turqi, ministri i Punëve të Jashtme, u prit po ashtu edhe nga Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan. Gjatë takimit bashkëbiseduesit shprehën vlerësime për punën e kryer drejt thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Erdogan dhe Bushati ranë dakord për zbatimin e projekteve konkrete në fushat e infrastrukturës, bujqësisë dhe turizmit, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në punësimin dhe përmirësimin e situatës ekonomike. Ministri Bushati informoi Kryeministrin turk për zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe parashtroi pikëpamjet e qeverisë për nxitjen e projekteve strategjike në rajon, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar. Nga ana e tij Erdogan shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të Turqisë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, nëpërmjet projekteve konkrete, në kuadër të angazhimeve të Turqisë në rajon. Gjithashtu në takim, ai pohoi dëshirën për të vizituar Shqipërinë në një moment shumë të afërt.

 

 

Partneriteti me Turqinë

Në takimin që Kryeministri Rama zhvilloi në Ankara në muajin gusht, u shpreh se Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë me të cilën qeveria e tij do të nisë një bashkëpunim intensiv të panjohur më parë. Po ashtu, takimi i dytë mes palëve erdhi në përurimin e aeroportit të Prishtinës së bashku me Kryeministrin Thaçi, ku krahas angazhimeve për bashkëpunim të thelluar mes tri vendeve, debat në media e publik hasën deklarata e Kryeministrit turk si edhe ato të dy krerëve të qeverive të Shqipërisë e Kosovës. Thëniet e Erdoganit se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, ato të Ramës e Thaçit të cilët iu drejtuan Kryeministrit turk me termin “vëlla” apo edhe ulja këmbëkryq në një odë të Prizrenit u komentuan gjerë nga opinioni publik.

 

 

Takimi/ Rama: Sequi, diplomat i rafinuar dhe një mik i sinqertë i Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, në kuadër të mbylljes së detyrës nga ky i fundit në Shqipëri. “Sot mbylli detyrën në Shqipëri ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, një diplomat i rafinuar dhe një mik i sinqertë i Shqipërisë”, – shkruante Rama në rrjetin social “Facebook”. Duke i uruar “udhë të mbarë Ettore Sequi”, Rama shprehet se “nga nesër do të shërbejë si drejtori i kabinetit të ministres së Jashtme të Italisë, Federica Mogherini”. Po ashtu ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti dje ambasadorin Sequi, me rastin e lënies së detyrës së tij në Shqipëri. Duke i uruar suksese në detyrën e re, ministrja shprehu keqardhjen për mbylljen e misionit të Sequit në vend duke vlerësuar kontributin e ambasadorit të BE-së dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në lidhje me procesin e integrimit. “Z. Sequi ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe ka ndihmuar Shqipërinë, nisur edhe nga fakti që vjen nga një vend mik si Italia. Me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, ai ka qenë gjithmonë në krah të shqiptare, lidhur me axhendën e integrimit”, – u shpreh Gjosha. Nga ana e tij, Sequi theksoi se puna në vend ka qenë një nder i madh për të duke nënvizuar se Shqipëria po ecën me ritme mjaft të mira në rrugëtimin e saj në BE. Ai inkurajoi Ministren për të vijuar punën e saj, si pjesë e qeverisë e cila është angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet e saj. Ambasadori i BE-së theksoi gjithashtu se edhe në pozicionin e ri do të vijojë të punojë për Shqipërinë.

 

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news