Tufa reagon sërish ndaj Et’hem Fezollarit: Ja dokumenti se si është trajtuar letra e tij nga Sigurimi i Shtetit

Shkrimtari Agron Tufa, ish-drejtues i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ka reagur sërish mbi figurën e Et’hem Fezollarit, kreut të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë.

Tufa shkruan në deklaratën e tij se, Et’hem Fezollari para se të krijojë një parti politike, ai duhet të na sqarojë mirë e bindshëm se letra dërguar Reiz Maliles nuk është e tij.

REAGIM PËR SHTYP

NË VIJIM TË PARALAJMËRIMIT PËR ISH-TË PËRNDJEKURIT POLITIKË TË SHQIPËRISË MBI PËRFAQËSIMIN E TYRE POLITIK

Pas publikimit që i bëra një letre, të cilën z. Et’hem Fezollari ia dërgonte nga Melburni ministrit të Jashtëm të Diktaturës, Reiz Malile, në prill të vitit 1990, në vend të shpjegimeve të pritshme, z. Fezollari m’u vërsul duke më quajtur «Kryebollsheviku» (sic) dhe «bashkëpunëtor i Sigurimit» (në komente). Zotohet se do të më hedhë në gjyq (ku ma gjen!) dhe shprehet me fjalë të ulëta e qesëndi ndaj meje dhe ish-të burgosurve të tjerë politikë, si z. Ahmet Tufa etj. — heronj të revoltave antikomuniste në burgjet gjakatare të diktaturës.

Unë nuk kam ndërmend t’u përgjigjem fyerjeve, sepse me to z. Fezollari veçse plotëson detajet e portretit të tij të brendshëm. Unë do t’i përgjigjem vetëm me dokument. Nuk ka asgjë personale, përpos shtrimit të një çështjeje me tejndjeshmëri publike, sepse z. Et’hem Fezollari vazhdon të jetë Kryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë dhe ka shpallur tashmë mëtimin e tij për të ngritur një parti politike. Por para se të krijojë një parti politike, ai duhet të na sqarojë mirë e bindshëm se letra dërguar Reiz Maliles nuk është e tij. E meqë sqarimet e tij janë të pamjaftueshme, unë po ju njoh me një tjetër dokument, ku do të shihni se si është trajtuar letra që mban emrin e tij nga niveli ministror i kohës tek Drejtoria e Tretë — Sigurimi i Shtetit:

Fashikulli nr. 6105 i Drejtorisë së 3-të të Sigurimit të Shtetit përbëhet nga 23 fletë.

Në kapak shkruhet se i përmenduri «figuron në regjistër».

Fashikulli është deklasifikuar me vendimin nr. 13, datë 29.3.2017 të AIDSSH-së, me synimin për t’iu dhënë z. Et’hem, i cili e posedon prej kësaj kohe dhe nuk ka shfaqur nga ai vit e deri sot asnjë pretendim.

Në llojin e kartelës «model 4» (për të arratisur) është shënimi me shkurtime «element informator në studim». Fashikulli është çelur nga kryetari i Degës së 3-të të drejtorisë në fjalë, Vangjel Lila, pas letrës së datës 15.4.1990 të Et’hem Fezollarit për ministrin e Punëve të Jashtme, Reiz Malile.

Përmbajtjen e këtij dokumenti e kemi bërë të njohur:

https://www.facebook.com/agrontufapage1/posts/pfbid0tSBk2omxLDvkDzqRyoiMiTjN31xqFzkNupBPX7zgSy4ËxXcKSG9ë9NëEë9KgPEqhl?comment_id=1500512808639274&reply_comment_id=1819863085895445¬if_id=1795257971026989¬if_t=feed_comment&ref=notif

Duke mos qenë kompetencë e asaj ministrie, Reiz Malile, me një shënim me shkrim dore, të zbardhur më mirë, ia përcjell drejtorit të Drejtorisë së 3-të, Sefer Ramaj. Në vijim, më 20.6.1990, Sefer Ramaj i bën një raport ministrit të Punëve të Brendshme, Simon Stefani. Këtij i relaton letrën e Et’hemit, i cili kish thënë se ambasada amerikane në Australi kish thirrur 12 shqiptarë me banim atje, ndër të cilët dhe Et’hemin, duke i kërkuar marrjen pjesë në një aksion kundër qeverisë komuniste në Tiranë. Et’hemi pohonte se kishin pranuar Esat Sallko dhe Ideal Cani. Et’hemi shprehet gati të kontribuojë «për mbrojtjen e atdheut», së pari jep numrin e telefonit, duke kërkuar të lejohet të vijë në Shqipëri si vizitor. Pasi shënon se vëllai i Et’hemit ishte rekrutuar në vitin 1970 nga Sigurimi i Shtetit, Sefer Ramaj kërkon që Et’hemi të lejohet të vijë si vizitor në Shqipëri, për interes të punës. Mbi këtë raport, Simon Stefani lë këtë shënim: «Të lejohet të vijë, por të mbahet në ilegalitet, të punohet me të. Në bazë të rezultateve, të punohet më tej». Mbi këtë bazë, më 21.6.1990 iu telegrafua ambasadës shqiptare në Romë që ta kontaktonte.

Post scriptum:

Këto materiale që publikojmë z. Et’hem Fezollari i ka marrë me fashikullin 6105 qysh më 12.9.2018 nga AIDSSH, dorazi nga znj. Genta Sula. Dhe kur i ka marrë dhe është njohur me fashikullin, z. Fezollari nuk ka thënë asgjë që letrën drejtuar Reiz Maliles nuk ia ka shkruar ai. Mirëpo, ja se ç’na del tani: z. Fezollari nuk e ka bërë kurrë fajtore Genta Sulën se pse ia dha, por ama më bën fajtor mua për të njëjtin dokument që ia ka dhënë ajo, që më 2018.

Prandaj, kur të më padisë në gjyq, do s’do ai, do të jetë aty e pranishme edhe ajo, Genta Sula. Sepse na del shumë, po shumë e çuditshme kjo punë: z. Fezollari mund të bënte fajtor Genta Sulën po aq sa dhe mua, sepse unë kam cituar përpikmërisht të njëjtin material që ai ka marrë nga Genta Sula. Ja, pra, enigma: kur ta jep Genta Sula, nuk kundërshton, rri sus, sepse kjo është marrëveshja… Por kur e publikon Agron Tufa, ajo quhet shpifje, bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, «kryebollshevik» e pallavra të tjera…

Sa fytyra ka ky njeri?

Sa fytyra ka AIDSSH që lëshon Çertifikata të pastra Sigurie për të tillë njerëz? Dhe kjo nuk është hera e parë që e bën…

Share it :