Florenc Drizari
Kreu i PD-së, Basha: Shtëpisë nuk ja ven dot flakën edhe po të jesh i zoti i shtëpisë prindi apo kryefamiljari, ky është krim.
“
Ku po shkon ekonomia shqiptare?”. Ishte ky slogani i Partisë Demokratike gjatë tryezës konsultative që u mbajt dje me përfaqësus të shoqatave të sipërmarrjes dhe dhomave të tregtisë. Tryeza u zhvillua në formën e pyetje-përgjigjeve, por edhe e deklaratave të hapura mes përfaqësuesve të biznesit në vendin tonë dhe deputetëve të Partisë Demokratike, ish-funksionarë të lartë të qeverisjes së kaluar. Kryetari PD-së, Lulzim Basha iu drejtua biznesmënëve duke thënë se qëllimi kryesor i opozitës është përpjekja për të rikuperuar mungesën e konsultimit, transparencës dhe dëgjimit të zëri të grupeve të interesit në procesin e hartimit të projektbuxhetit për vitin 2014, shoqëruar nga paketa fiskale.
Për kryetarin e opozitës, shqetësim mbetet largimi arbitrar i sistemit të taksës së sheshtë siç e quajti ai dhe rritja me 50% e tatim-fitimit, “do ta kapë prej fyti këtë rritje njomëzake që Shqipëria dhe shqiptarët kanë gëzuar tashmë prej 5-6 vitesh me radhë”. Gjithashtu Basha tha se heqja e kësaj takse do të shkaktojë një efekt negativ mbi ekonominë, trembje investitorëve, nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e investimeve të huaja si dhe efekte të paparashikuara jo vetëm e euros, dollarit, por edhe lekut.
LULZIM BASHA
Kreu i Partisë Demokratike siguroi shoqatat e biznesit në Shqipëri se opozita do të jetë një zë mbështetës i tyre në Kuvend gjatë diskutimeve që do t’i bëhen buxhetit dhe paketës së re fiskale. “Ne nuk do të lejojmë që papërgjegjshmëria, mungesa e vizionit, paaftësia që është demonstruar deri më sot me procesin e buxhetit të pikojë në Kuvend dhe të marrë aty një noterizim duke përdorur edhe njëherë organin më sovran të kësaj Republike si një noter të rëndomtë për të noterizuar katastrofën në Shqipëri.Kjo nuk mund të tolerohet, këtu nuk bëhet fjalë më për marzhe vendimmarrje, sepse je votuar t’i katër muaj përpara dhe bën ç’të duash”,- deklaroi z. Basha.
Konferenca e djeshme konsultative me biznesin pati në fokus të diskutimeve ndikimin e paketës fiskale të qeverisë si dhe të projektbuxhetit 2014 në ekonominë e vendit. Në tërësi kjo paketë financiare u prit me shqetësim nga përfaqësues të biznesit. Në tërësi, përfaqësus të shoqatave të biznesit kërkuan thanë se qeveria nuk ishte konsultuar për nismat që do të merrte, ndërkohë që vendimet e mazhorancës prekin drejtpërsëdrejti këta të fundit dhe konsumatorët shqiptar. Nga ana e tyre deputetët e opozitës kritikuan ashpër ndryshimin e modelit fiskal në vendin tonë, duke vënë theksin se ekonomia shqiptare përballoi me sukses krizën rajonale dhe atë globale të pas 2008-ës, falë reformave të qeverisjes së djathtë.
Në kuadër të tryezës së djeshme konsultative me biznesin, opozita pritet të zhvillojë në tre ditët e ardhshme tryeza të tjera me grupet e interesit, siç janë nvestitorët e huaj, biznesi i vogël dhe ai fason, grupet vulnerabël që preke nga ky biznes. Më pas opozita pritet që të dalë në hartimin e një drafti që do t’ja paraqesë atë qeverisë gjatë diskutimit të projektbuxhetit këtë fundjavë në Kuvendin e Shqipërisë.
Jorida Tabaku: Nga 1 Janar 2014 biznesi do të tatohet me 50% më shumë
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku i quajti të ligjshme shqetësimet e përfaqësuesve të biznesit me nismat e paketës fiskale të qeverisë. Sipas zonjës Tabaku, nga 1 Janar 2014 biznesi do të tatohet me 50% më shumë, pagat do të tatohen deri në 23%, karburanti do të kushtojë minimalisht 120 lekë/litër më shtrenjtë, duke sjellë një rritje zinxhir të cmimeve që do të prekin çdo shqiptar.
Pas tryezës së djeshme të konsultave që opozita organizoi me Biznesin dhe Dhomat e Tregtisë, u diskutua në lidhje me shqetësimet e biznesit për ndikimin që ka rritja e taksave dhe tatimeve. Gjatë një komenti të bërë në profilin e saj në “Facebook”, Tabaku tha se “biznesi ka shqetësimin se që nga 1 Janari nuk do të mund të konkurojë në rajon, produktet shqiptare do të kenë çmime më të larta dhe nuk do të ketë më investitorë të huaj që do të zgjedhin Shqipërinë si destinacion për investime! Bizneset sot deklaruan se për herë të parë në 10 vitet e fundit nuk janë konsultuar nga qeveria dhe nuk janë dëgjuar për këto rritje drastike të taksave!”
Ridvan Bode: Qeveria mori sharrën dhe sharroi degën ku ishte ulur
Paketa e re fiskale sipas ish-ministrit të Financave Ridvan Bode do të krijojë informalitet dhe pabarazi në tregun financiar të vendit. Bode tha kjo paketë fiskale rrit presionin për informalitet, sepse klasifikon dy grupe të ndryshme një që merr faturat do të paguajë 15% dhe një që nuk merr faturat do të paguajë 7.5% dhe kjo sipas tij, është një rritje e presionit mbi qarkullimin e mallrave, rritjen e informalitetit.
Sipas z. Bode, pretendimet nga ana e qeverisë se rritja e taksave është një kërkesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar që po negocion me Këshillin e Ministrave, nuk qëndrojnë. “Kjo nuk është e vërtetë, pasi ne kemi diskutuar dhe kemi dhe dokumentet që FMN-ja na ka kërkuar që të bashkëpunojmë dhe nuk na ka kërkuar rritje të taksave.
FMN na ka kërkuar balanca të tjera, të cilat sigurisht mund të jenë dhe të dhimbshme disa prej tyre, por asnjëherë FMN-ja nuk na ka kërkuar që të ndërhyjmë në taksa.
Këtu nuk është vetëm çështja tek taksat, pasi në vitin 2014 programohet një rritje ekonomike, e cila në tërësi rrit prodhimin e brendshëm bruto të Shqipërisë me 40 miliardë lekë, pra me 400 milion dollarë.
Kaq rritet PBB-ja e Shqipërisë në vitin 2014 sipas qeverisë dhe të 40 miliardë lekët janë programuar që të futen në buxhetin e shtetit dhe në këtë rast biznesit nuk i mbetet asnjë gjë”, – deklaroi ish-ministri i Financave, Ridvan Bode gjatë tryezës së djeshme me përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe dhomave të tregtisë.




