Tryeza e qeverisë / “Reformë në arsimin e lartë”, Rama: Universiteti jo biznes

Florenc Drizari

Kryeministri: “Nuk duam të bëjmë vetëm një reformë të arsimit të lartë, por është që kjo reformë të jetë pjesë e një procesi që duhet të lidhë dijen me tregun”

 

Kryetari-i-PS-Edi-Rama-duke-folur-gjate-nje-konference-shtypi-ne-seline-rozeKryeministri Edi Rama prezantoi dje objektivat e qeverisë për reformën që pritet të nisë  në arsimin e lartë. Gjatë një prezantimi që u bë dje në Tiranë, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të arsimit publik dhe privat, Rama tha se gjendja aktuale në këtë sektor është një emergjencë kombëtare. Ai shtoi se kjo reformë duhet të realizohet sa më parë dhe se qëllimi i qeverisë është të lidhë dijen me tregun e punës, e jo të mbetet vetëm një reformë në letër. Sipas tij, dija nuk është mall dhe universiteti nuk duhet të jetë biznes.

Rama

“Nuk duam të bëjmë vetëm një reformë të arsimit të lartë, por është që kjo reformë të jetë pjesë e një procesi që duhet të lidhë dijen me tregun. Është e qartë se pa bërë këtë lidhje, pazari i madh i shit-blerjes së reformave që karakterizon arsimin e lartë nuk mund të transformohet në një industri të rritjes së vlerave dhe dijes. Synojmë një mënyrë të re konceptimi dhe funksionimi të arsimit të lartë dhe jo si sot një mur që rritet përditë në rrugën e zhvillimit. Të ndajmë dijen nga malli, dija nuk është mall dhe universiteti nuk është biznes. Duhet të gjejmë kurajon të ndahemi përfundimisht nga një epokë që e ka kthyer dijen në mall e universitetin në biznes”,-tha ai.

Sipas Kryeministrit Rama, për të kaluar në finalizimin e kësaj reforme, duhet të ezaurohen një sërë etapash, në shërbim të një arritjeje me perspektivë afatgjatë. “Megjithëse erdhëm në qeverisje me një plan të qartë për reformimin e sistemit arsimor, nuk jemi ngutur, por kemi kërkuar në radhë të parë të bëjmë bashkë një grup ekspertësh sa më larg llogoreve të politikës, për të hapur një debat për reformën në arsimin e lartë, që duhet të jetë së pari, debat i njerëzve të sistemit, i të gjithë atyre që brenda sistemit, nesër do të duhet të jetësojnë reformat”, -theksoi Rama.

Gjithashtu kreu i qeverisë nënvizoi se ky draft nuk do të kalojë në Parlament pa iu nënshtruar më parë një konsultimi të gjerë, ku do të dëgjohen objeksionet e të gjitha grupeve të interest.

Më tej Rama foli për një skemë të re financiare në arsimin e lartë, e cila sipas tij, do të shmangë abuzimet. “Skema e arsimit duhet të jetë element i barazisë sociale”,-tha ai.

“Në shkollë do shkojnë të gjithë ata që e meritojnë pavarësisht kushteve financiare, arsim të lartë jashtë meritës nuk do të ketë”, shtoi ai.

Ndryshimet në skemën e financimit të arsimit të lartë pritet të sjellin debat si në radhët e opozitës, edhe në ato akademike. Gjithashtu reagime priten edhe nga përfaqësuesit e universiteteve private në vend, ku skema e re e qeverisë pritet të krijojë ndryshinë në aspektin financiar. Aktualisht ministria e Arësimit është në fazën e vlerësimit të universiteteve publike dhe private dhe pritet që sëshpejti të bëhet edhe akreditimi i tyre.

 

 

Nikolla: Cilësia, qëllimi kryesor i reformës në arsimin e lartë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla,tha të shtunën se cilësia është qëllimi kryesor i reformës në arsimin e lartë. “Qëllimi i kësaj reforme është një dhe vetëm një: cilësia në arsim dhe në cilësinë e diplomave dhe ndarja e tij, si shërbim publik, nga biznesi. Kjo është politika më e mirë ekonomike dhe që i shërben një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, tha ministrja Nikolla gjatë prezantimit të platformës për reformimin e arsimit universitar.

Duke e konsideruar arsimin një çështje që i përket të gjithëve, ajo theksoi se reforma duhet të mbështetet mbi parimin e gjithëpërfshirjes të të gjithë aktorëve. “Reforma në arsimin e lartë nuk ka si të jetë vetëm reformë e qeverisë, pasi ajo i përket të gjithëve dhe i prek të gjithë”,-tha Nikolla.

Share it :