Trump: Koha që Ukraina të zgjedhë një president të ri, lufta nuk duhej të kishte nisur kurrë!

Trump: Koha që Ukraina të zgjedhë një president të ri, lufta nuk duhej të kishte nisur kurrë!

Presidenti Donald Trump deklaroi se ka ardhur koha që Ukraina të zgjedhë një president të ri, duke sugjeruar se presidenti aktual ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës së vendit të tij me Rusinë.

Duke folur të shtunën, (10 tetor) në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha: “Sugjeroj që të zgjedhin një lider të ri, i cili mund të arrijë një marrëveshje”, duke shtuar se “për disa arsye, Zelenskyy nuk e bën kurrë këtë”.

Trump sugjeroi gjithashtu se, nëse do të kishte qenë president i SHBA-së në vitin 2022, “ajo luftë nuk do të kishte nisur kurrë. Nuk kishte asnjë arsye që të fillonte ajo luftë mes Ukrainës dhe Rusisë. Ajo nisi për shkak të paaftësisë”.

Zelenskyy ka humbur 30 për qind të vendit të tij dhe, mes të dyja palëve, mbi një milion njerëz janë përfshirë në këtë luftë, ndërsa mbi dy milionë njerëz janë vrarë. Kjo është një luftë që nuk duhej të kishte nisur kurrë. Dhe mendoj se ka ardhur koha që Ukraina të ketë një president të ri”, deklaroi Trump.

Reagimi i Zelenskyt

Vetë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha Axios-it në një intervistë telefonike të premten se vendimi i presidentit Trump për të hequr në mënyrë të njëanshme sanksionet ndaj Rusisë dhe për ta lejuar atë të eksportojë naftë dizel ishte “i padrejtë dhe jo i ndershëm”.

Gjatë intervistës 15-minutëshe, Zelensky u shfaq i zemëruar dhe i zhgënjyer, duke shprehur madje ndjenjën se ishte tradhtuar nga lajmi për marrëveshjen e naftës dizel.

“E dini, duket si një dhuratë për ditëlindjen e Putinit. Duket absolutisht e tmerrshme”, tha Zelensky i irrituar, duke iu referuar ditëlindjes së presidentit rus në fillim të kësaj jave.

Njoftimi i Trump, i bërë pas një telefonate me Putinin, tronditi Ukrainën dhe shumë qeveri europiane, duke shkaktuar një krizë të re mes SHBA-së dhe aleatëve të saj perëndimorë.

Reagimi i SHBA

Ndërsa pas kritikave të Zelenskyt për heqjen e sanksioneve ndaj naftës dizel ruse, SHBA-ja kërcënoi të ndërpresë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Kievin.

Gjatë tetë orëve të bisedimeve të zhvilluara një ditë më parë në Miami me negociatorët ukrainas, Steve Witkoff dhe Jared Kushner i kishin njoftuar ata për telefonatën mes Trumpit dhe Putinit, si dhe për heqjen e sanksioneve ndaj naftës dizel ruse, për shkak se Kievi kishte shpërfillur kërkesat amerikane.

Sipas një burimi ukrainas, të dërguarit e Trumpit kërcënuan gjithashtu se do t’i ndërprisnin Ukrainës informacionet e inteligjencës të nevojshme për operacionet e saj, nëse Kievi do të vazhdonte të shpërfillte kërkesat e presidentit amerikan.

Megjithatë, pala amerikane e mohon këtë version të ngjarjeve, duke theksuar se Witkoff dhe Kushner vetëm kishin shpjeguar se sulmet po shkaktonin probleme në SHBA.

Pse marreveshja?

Axios raportoi, duke iu referuar disa burimeve, se Trump vendosi të arrinte marrëveshjen me Rusinë për naftën dizel pasi Volodymyr Zelensky shpërfilli kërkesat e përsëritura amerikane për të ndaluar sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.

“Zelensky po e vlerëson gabim situatën. Duke vazhduar sulmet ndaj rafinerive, ai po dëmton besimin dhe gatishmërinë për bashkëpunim që Trump kishte krijuar gjatë gjashtë muajve të fundit”, shpjegoi një zyrtar amerikan, citon ANSA.

Presidenti amerikan dëshironte që Ukraina t’i ndalonte në mënyrë të njëanshme sulmet ndaj rafinerive, pasi ato po shkaktonin rritjen e çmimeve të energjisë në SHBA.

Sulmet ruse vijojnë

Ndërkohë Rusia ka vijuar sulmet ndaj Ukrainës, një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një marrëveshje për blerjen e naftës dizel nga Rusia, për të cilën Kievi paralajmëroi se do të ndihmonte në financimin e luftës së Moskës në Ukrainë.

Të paktën 20 persona u vranë nga sulmet ruse në rajonin e Zaporizhzhias në Ukrainë, njoftuan zyrtarët ukrainas të shtunën,.

Mes viktimave nga sulmet ajrore ruse ndaj ndërtesave të banimit në Zaporizhzhia janë edhe tre fëmijë, njoftoi të shtunën Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës. Të paktën 18 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Edhe Kievi u godit nga raketat gjatë një sulmi të kryer në mes të ditës të shtunën. Kryebashkiaku Vitalii Klitschko tha se katër persona mbetën të plagosur.

Share it :