Tranzicioni, zhguni ku fshihen politikanët!

Ermal SHEHU

 

Sistemet demokratike pa dyshim që janë ato, të cilat personalizojnë realisht vlerat njerëzore falë lirive që kushtetutat e tyre garantojnë. Me anë të tyre, fjala e lirë, besimi, liria e të menduarit, sigurimi i të drejtave themelore të njeriut, zgjedhje të lira e të ndershme… natyrshëm për popujt marrin trajta reale në dobi të tyre. Kjo, në ndryshim me sistemet diktatoriale totalitare, të cilat në thelb depersonalizojnë njeriun dhe vlerat e tij. Shqipëria, si shtet, ka përjetuar të dyja këto sisteme kur njërin prej tyre (atë diktatorial) duhej ta kishte shmangur. Nëse kjo do të kishte ndodhur, situata për të cilën do të flisnim, pa dyshim që do të ishte krejt tjetër. Por, “fati” nuk na rezervoi këtë luks idesh për ditët e sotme.

Këto 24 vite tranzicioni sistemesh dukshëm nuk kanë rezultuar të jenë të lehta për të vënë në jetë demokracinë, si tërësi vlerash përfaqësuese të shtetit. Demokracia e këtyre viteve shpeshherë ka qenë e karakterizuar nga një brishtësi e qelqtë, krahasuar me “simotrat” e saj evropiane. Madje, me raste në disa aspekte, për më tepër nga natyra ekzekutive, ajo ka ngjasuar me sistemin totalitar paraardhës (po kjo zakonisht është justifikuar me termin “tranzicion”, të stërzgjatur në kohë krahasuar me fqinjët). Tranzicioni në Shqipëri, jo më pak se një herë, si term ka qenë shpëtimtari i situatave për politikanët, të cilët nëpërmjet përdorimit të tij si justifikim, kanë gjetur shpeshherë një rrugëdalje për t’u bërë bisht përgjegjësive të çdo lloji. Me anë të tij, politikanët kanë arritur të manipulojnë mendjet e opinionit, duke i devijuar ato nga thelbi i problematikave të shkaktuara nga vetë ata, në të mirë të qenies së tyre si të tillë. Kjo praktikë, që në momentin e parë ka rezultuar efektive, prandaj dhe stërzgjatja transitive në kohë e hapësirë duket e justifikuar, kur vlerëson “të mirat” që ai (tranzicioni) sjell për ta. Tranzicioni këto kohë, në tërësi është bërë streha e justifikimit të çdo dështimi politik (personal ose partiak), është bërë në jo pak raste mburoja ideologjike e tezave politike të gabuara, është bërë “rrota” që ndonjëherë ka ecur mbrapsht apo na ka shpënë drejt të kaluarës. Këto i janë lejuar për faktin se ka rezultuar të jetë i dobishëm si e tillë.

Megjithatë në këto 24 vite, demokracia shqiptare ka njohur nga klasa politike edhe gjeste emancipuese të karakterit evropian. Si të tilla nuk mund të lihen pa u përmendur dorëheqjet nga drejtimet politike pas humbjes së zgjedhjeve respektive, nga ana e dy figurave dominuese politike të vendit tonë për dy dekadat e pas viteve ‘90, Nanos dhe Berishës. Të dy këto akte në thelb mbeten të respektueshme, pasi si politikanë dhe për hir të ekzistencës në karrierë, të dy ata, nën mburojën e gamës së gjerë që siguron teza e tranzicionit shqiptar (nëse do ta kishin zgjedhur), nuk do ta kishin të vështirë justifikimin për të qëndruar në poste. Fatmirësisht, për precedentin demokratik ata nuk e zgjodhën rrugën e stërkonsumimit politik, për t’u bërë barrierë e forcave politike që ata përfaqësonin e drejtonin. Në vetvete, dorëheqja si akt është në majën e hierarkisë në një demokraci funksionale. Gjithashtu, ajo është edhe një nga shtyllat ku sistemi mbështetet. Dorëheqja pa dyshim që është një simbol përparimi në një demokraci, ajo i jep shoqërisë frymëmarrjen në çdo qelizë, me anë të saj mundësohet arritja e një sistemi vlerash të ngritura mbi meritokracinë njerëzore. Natyrshëm me anë të saj bëhet e mundur një qasje drejt parimit të vazhdimësisë. Dorëheqja politike realizon shmangien e një ngërçi idesh në një parti me vlera demokratike, e cila në rikuperim të vetvetes i jep frymë gjithë sistemit. Duke u zbatuar si e tillë, ajo sjell rifreskim idesh dhe njerëzish në atë forcë ku kryetari merr mbi vete përgjegjësitë me anë të aktit. Dhe pa dyshim, e zbatuar kjo në shoqërinë shqiptare të pas viteve ‘90, patjetër që përcjell në receptorët popullorë shpresën për një shkëputje përfundimtare nga tranzicioni i stërzgjatur kohor. Megjithatë, shpresa ngelet e vetmja rrugë që paraqitet nga e sotmja drejt të ardhmes. Kjo, pasi nga klasa politike drejtuese e vendit sot në realitet nuk po jepen shenjat konkrete me anë të veprimeve demokratike nderuese për moralin, se do të vazhdohet rruga e akteve politike për marrjen e përgjegjësive për gabimet.

Sot pas 24 vitesh demokraci transitive, duket se po bëhen hapa mbrapa në këtë drejtim. Fokusi i politikës së pas 23 qershorit nga mazhoranca qeverisëse i ngjason më tepër një arene krahasuese me të kaluarën sesa një vizioni drejt të ardhmes, ashtu siç edhe iu paraqit shqiptarëve gjatë fushatës zgjedhore. Duket se e kaluara po prevalon mbi të ardhmen, krahasimi me të parën po vret shpresat e së dytës, po pjell pasiguri, po vret në koshiencë shpresën. Është e patolerueshme që të justifikohet nën këtë krahasim krudel situata e mungesës së rendit të ditëve të fundit, që në fakt zgjatet në kohë prej muajsh. Kjo, sepse ndikimi dhe presioni shoqëror që ajo ka në mendjet dhe jetët e njerëzve është i drejtpërdrejtë. Mizor është edhe arsyetimi banal mbi të cilin ngrihen teori të tilla justifikuese, se në fakt sot qenkemi më mirë se dje, kjo në varësi të numrit të “ulur” të vrasjeve me X%. A thua se po flitet për birrila, për shishe qelqi të thyera, jo për jetë njerëzish…! E sa vlen në fakt për pushtetarët përgjegjës për situatën, gjithashtu elaborues të këtyre tezave absurdo-krahasuese me të shkuarën jeta e njeriut?! Me sa duket, më pak se betoni i hedhur për mbajtjen e një karrige pushteti. Ndryshe nuk justifikohet krahasimi në përqindje sot me dje i jetëve të humbura! Në të kundërt, patjetër që për gjendjen e krijuar dikujt do t’i duhej të jepte llogari, dikush do të detyrohej të mbante përgjegjësi. Por, dihet se nëse kjo do të ndodhte, mbi supet e përgjegjësve do të “rëndonte” dorëheqja. Akti që në fakt do t’i çlironte shpirtrat e tyre nga përgjegjësia morale dhe natyrshëm do t’i jepte fund kësaj maskarade me përqindje për jetë të humbura. Do t’i hapte rrugën meritokracisë, të kualifikuarve për ndreqjen e gjendjes, do t’u priste shpresat absurde për poste militantëve të verbër dhe do të krijonte për politikën në të ardhmen precedentin e përgjegjësisë morale lidhur me situatat. Mbi të gjitha, do të mbante gjallë shpresat e shqiptarëve dhe do të ndizte ndër to të reja, se një demokraci e re, e konsoliduar dhe në veprim fatmirësisht po troket. Gjasat që kjo të ndodhë, kanalizuar në të tilla hulli politiko-justifikuese të momentit sa për të kaluar lumin, janë minimale (për të mos i barazuar me zero).

Natyrisht situata dhe pozita shoqërore në të cilën shqiptarët ndodhen sot vetëm gjeografikisht si shtetas evropianë nuk ua lejon të kërkojnë ose shpresojnë nga politika akte parimore dorëheqjesh morale, siç ndodh jo rrallë në botën e demokracive të konsoliduara, ku dorëheqja është kthyer në institucion. Megjithatë, kjo nuk duhet të stepë thirrjen qytetare drejtuar politikës për ta bërë atë përgjegjëse përpara dështimeve, në mosrealizim premtimesh. Ngurrimi në këto kërkesa do të ishte fatal. Në shërbim të dobisë së përgjithshme qytetare, për ndërtimin e një demokracie funksionale bazuar në vlera morale shoqërore si themele drejt konsolidimit të saj, ky fatalitet medoemos duhet shmangur!

 

 

 

Share it :