Trafiku / Avionët e drogës, SHISH kishte njoftuar policinë që në mars të vitit 2014

 

avioni i ngecur ne plazh divjake drogaPas arrestimit të italianit Giorgio Riformato, Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimet, duke verifikuar edhe informacionet e SHISH-it për trafikun e drogës. Hetuesit thonë se janë siguruar disa dëshmi të banorëve të zonës së Dukagjinit, Vlorës, Fierit dhe Lezhës

 

Që në mars të vitit 2014 Shërbimi Informativ Shtetëror ka informuar Policinë e Shtetit për ulje-ngritjet e avionëve të vegjël në Shqipëri, që përdoreshin për trafik droge. Zyra e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është informuar nga SHISH-i se në zonën e Vlorës, Fierit, Lezhës dhe Dukagjinit uleshin avion të vegjël që transportonin drogë për në drejtim të Italisë. Në dosjet me mbishkrimin e klasifikuar, mësohet se është njoftuar edhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka referuar materialet në Prokurorinë për Krime të Rënda për vazhdimin e hetimeve. Sipas këtyre burimeve, këto raporte sekrete mësohet se fillimisht nuk janë marrë për bazë, duke neglizhuar verifikimin e tyre, të cilat u referoheshin banorëve të zonave nga ku mendohej e bëhej trafiku i drogës. Ndërkohë, me ngecjen e avionit të vogël të pilotit italian Giorgo Riformato, policia në bashkëpunim me prokurorin për krime të rënda ka vënë në lëvizje strukturat e saj për të verifikuar këto të dhëna të SHISH.

 

Hetimet

Burimet thonë se pas arrestimit të italianit Riformato, Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimet duke verifikuar edhe informacionet e SHISH-it për trafikun e drogës. Hetuesit thonë se janë siguruar disa dëshmi të banorëve të zonës së Dukagjinit, Vlorës, Fierit dhe Lezhës ku disa prej çobanëve të fshatit kanë konfirmuar informacionin e SHISH. Por pavarësisht se kanë kaluar mbi një vit nga nisja e hetimeve ende nuk ka asnjë rezultat konkret edhe pse në hapësirën ajrore shqiptare vazhdojnë të shfaqen avion të vegjël që përdoren për trafikun e drogës.

Për llogari të këtij hetimi është administruar edhe raporti përfundimtar i komisionit hetimor parlamentar për trafikun e drogës. Duke sekuestruar kështu edhe një avion të vogël të një diplomati austriak që ndodhej në një hangar në fshatrat për rreth aerodromit të Gjadrit në Lezhë. Ky avion vazhdon të jetë i bllokuar, pasi Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur një letër-porosi për autoritete italiane për të parë nëse është pikasur nga radarët italian në hapësirën e tyre ajrore. Burimet nga prokuroria, thonë se vështirësia e këtij hetimi ka të bëj edhe me kontrollin e hapësirës ajrore shqiptare nga radarët primar të Forcave të Armatosura dhe ato sekondar të “Alb-Control”-it, të cilat herë pas herë janë fiksuar se nuk janë të ndezur. Për këtë shkak edhe nuk identifikojnë avionët e vegjël që cenojnë hapësirën tonë ajrore, duke kryer trafik droge.

 

Rasti i fundit

Dy shqiptarë dhe dy italianë janë arrestuar dhe akuzuar si të përshirë në transportin e drogës nga Shqipëria në Itali. Avioni u kap tre ditë më parë dhe është rasti i tretë që këto mjete përdoren për trafik droge nga Shqipëria në Itali. Shqiptarët janë Maksim Llanaj, 37 vjeç, dhe Fitor Aliaj, 43 vjeç, i njohur me emrin Vito, që të dy nga Vlora. Ndërsa italianët janë Pasquale D’Ambrosio, 58 vjeç, dhe Rosario Campisi, 60 vjeç. Ata u kapën në Torino nga sektori i Antidrogës dhe Antimafias në policinë e këtij rajoni. Se nga cili vend ishte nisur sasia prej 80 kg kanabis, nuk është ende shumë e qartë. Mediat italiane, të cilat citojnë policinë vendase, thonë që droga ishte nisur nga Shqipëria, ndërsa një deklaratë e kundërt erdhi nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ai tha dje nga salla e Kuvendit se sipas informacioneve të tij, droga ishte nisur nga Torino për në Leçe.

Share it :